Përfaqësuesit e Listës Serbe kërkojnë shkarkimin e Jabllanoviqit

Përfaqësuesit e Listës Serbe kanë paraqitur një kërkesë të përbashkët, përmes së cilës kërkojnë dorëheqjen e menjëhershme të liderit të kësaj liste, Aleksandër Jabllanoviq, nga të gjitha funksionet brenda Listës.




Në këtë kërkesë thuhet se Jabllanoviq, «me veprimet e tij, është diskualifikuar moralisht dhe profesionalisht dhe kështu angazhimi i tij është bërë i dëmshëm për interesat e popullit».

Kërkesën, siç raporton B92, e kanë nënshkruar të tre përfaqësuesit e Listës Serbe në qeverinë e Kosovës dhe nëntë nga dhjetë kryetarët e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

«Si përfaqësuesit më të shquar politikë të Listës Serbe nga të gjitha komunitetet serbe në Kosovë, besojmë se veprimet e papërgjegjshme arbitrare, të udhëhequra nga interesat personale, interesat fitimprurëse apo interesat e ngushta partiake i shkaktojnë dëme të mëdha interesave të tërë popullit serb», thuhet mes tjerash në kërkesë, transmeton Koha.net.

Ata shtojnë se Jabllanoviq në veçanti ka ndërmarr veprim arbitrar në kohën e diskutimeve për formimin e qeverisë së Kosovës «kur ai, duke dashur të përfitojë për vete një funksion, ka dëmtuar mbijetesën e Listës Serbe».

«Me diskutimet me liderët shqiptarë pa u konsultuar me përfaqësuesit tjerë të Listës Serbe dhe të Qeverisë së Serbisë, Jabllanoviq qartazi ka dëshmuar se interesat personale janë më të rëndësishme sesa ato të popullit i cili e ka zgjedhur. Një sjelle të tillë e cilësojmë si të papranueshme», thuhet më tej në këtë kërkesë.

Nënshkruesit e kësaj kërkese thonë gjithashtu se Jabllanoviq ka shpenzuar para në mënyrë jotransparente, para të cilat është dashur të shkojnë për luftën politike të popullit serb për realizimin e të drejtave të tyre themelore, e jo për pasurimin e cilitdo politikan, transmeton Koha.net.

Ata në fund të kërkesës së tyre kërkojnë që largimi i Jabllanoviqit të mos paraqes ndarje të reja në mesin e serbëve të Kosovës, por të jetë impuls i ri i bashkimit drejt realizimit të qëllimeve.

Ndërkaq, vet lideri i Listës Serbe, Aleksandër Jabllanoviq ka thënë se kjo kërkesë është nënshkruar me presion të Beogradit.

Ai, duke folur për televizionin «Most», ka thënë se ka folur në telefon me përfaqësuesit e kësaj Liste të cilët thotë t’i kenë kërkuar falje me sqarimin se, «për shkak të presionit nga Beogradi dhe Prishtina» kanë qenë të detyruar të nënshkruajnë kërkesën.

«Më kanë thirrur që të më kërkojnë falje se për shkak të presionit që e kanë marrë nga Zyra për Kosovë e Metohi dhe nga zëvendëskryeministri i Kosovës Branimir Stojanoviq, është dashur të nënshkruajnë diçka e të mendojnë diçka tjetër», ka thënë Jabllanoviq.