Perëndimi t’i kundërpërgjigjet blofit rus në Ballkan

Ballkani nuk rrezikon të rrëshqasë në luftë në një të ardhme të afërt. Për më tepër, mosangazhimi në rritje i Perëndimit në rajon, bashkë me stagnimin dhe prapakthimin demokratik, ofrojnë terren të përshtatshëm për kthimin e ndikimit tinëzar të Rusisë në mesin e liderëve dhe opinionit të gjerë anembanë Ballkanit.

Foto: ID1974 / Shutterstock



Në Ballkanin e paqartësive të përhershme, ka diçka që kurrë nuk ndryshon. Mjafton të kalojnë disa vite dhe para syve të na shfaqet kryelajmi nëpër mediat botërore, «Përsëri jemi afër luftës». Për herë të fundit kjo ndodhi më 2014 me rastin e njëqindvjetorit të Luftës së Parë Botërore, datë që i kishte nxitur analistët militantë të shtronin dilemën se mos ishim në pragë të një konflikti tjetër evropian. Tani sebepi është kthesa e madhe izolacioniste e politikës amerikane dhe zgjedhja e Donald Trumpit president, shto edhe përpjekjet e Rusisë për të nxitur telashe në ish-Jugosllavi.

Në fakt, Ballkani nuk rrezikon të rrëshqasë në luftë në një të ardhme të afërt. Për më tepër, mosangazhimi në rritje i Perëndimit në rajon, bashkë me stagnimin dhe prapakthimin demokratik, ofrojnë terren të përshtatshëm për kthimin e ndikimit tinëzar të Rusisë në mesin e liderëve dhe opinionit të gjerë anembanë Ballkanit.

Në një shkrim autorial në «The Observer», analisti i sigurisë, John Schnidler, shkruante për atë se në Ballkan shumë shpejt mund të plasë lufta. Schnidlerit ia merr mendja se aleanca e Kremlinit me Serbinë do të mund të nxiste luftë të re në Kosovë, të copëtonte Bosnjën pikë e pesë, dhe se do t’i paraprinte konfliktit ushtarak me shtetin anëtar të NATO-s, Kroacinë. «Kriza e parë e politikës së jashtme të presidentit Trump», siç parashikohej në kryeartikull, do të lidhej me dëshirën e Rusisë për t’iu hakmarrë Perëndimit për ndërhyrjet e tij në Bosnjë dhe Kosovë, që konsideorheshin «fyerje për botën ortodokse sllave», thuhet ndër të tjera në analizën e hulumtuesit të Qendrës për Euroazi të Këshillit Atlantik

Afërmendsh se kjo është ironike. Mbi të gjitha, ishte presidenti Vladimir Putin ai që urdhëroi tërheqjen e trupave ruse nga Bosnja dhe Kosova në vitin 2003. Helmetat e kaltra ishin mbetje të aventurave të dështuara të Yeltsinit në Evropën Juglindore. Në vend se të shpartallonte ushtrinë dhe burimet politike të Rusisë, sundimtari i ri i Kremlinit vendoi të përqendrohej në vende që ishin në fqinjësi të afërt: «fqinjësinë» post-sovjetike. Nocioni i një bote ortodokse sllave që zgjatet deri në brigjet e Adriatikut nuk ishte në zemër të politikës së jashtme ruse një dekadë më parë.

A ka ndryshuar ajo qasje tani? Mbase, po. Kriza e Ukrainës ia ka fuqizuar edhe më shumë qasjen ideologjike Putinit. Krishterimi ortodoks dhe vlerat tradicionale janë tani në zemër të diskursit të regjimit. Për më tepër, Rusia është e përgatitur t’i fryejë muskujt në ish-Jugosllavi. Mali i Zi e akuzoi në tetor Moskën se kishte orkestruar përpjekjen për rrëzimin e Qeverisë malazeze me një puç ushtarak që do të kryhej në natën e zgjedhjeve palamentare. Qëllimi i dukshëm ishte prishja e planit për anëtarësim të Malit të Zi në NATO, që pritet të përfundohet këtë vit. Bashkëpunimi në rritje në mbrojtje dhe siguri me shtetin ngjitur, Serbinë, gjithashtu u ka shkaktuar kokëçarje shumë diplomatëve në Perëndim, dhe ngjashëm mund të thuhet edhe për punën e përkrahjes ruse serbëve të Bosnjës për kontestimin e autoritetit shtetëror dhe për kërcënimet e fundit për ndarje.

Kjo nuk do të thotë se lufta ishte në prag të derës, me Rusinë që e shndërron Republikën Sërpska në kopje të Donbasit, ose që i jep krah ushtrisë serbe ta ripushtojë Kosovën me ndihmën e Putinit. Ndryshe nga vitet nëntëdhjetë, politikanët e sotëm muskulozë të Ballkanit nuk i kanë mjetet për të nxitur luftë me pasoja të panjohura. Por nuk kanë as vullnet për këtë punë. Ditëve të sotme, një prijës kombëtar mund t’i gëzojë të gjitha përfitimet e mundshme prej popullaritetit të brendshëm vetëm duke i demonizuar fqinjët dhe pakicat, pa i urdhëruar trupat ushtarake. Dhe ai prapë mund të shihet me sy të mirë në Perëndim, e sidomos në BE, derisa nuk paraqet sfidë frontale që cenon status-quon-ë.

Në të vërtetë, shtetet anëtare të BE-së i mbyllin sytë para aspekteve plot lakmi të politikës së Ballkanit, si ndaj ngecjes demokratike ashtu dhe ndaj deficiteve të sundimit të ligjit; politikanët e sojit të kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, ose ish-kryeministrit maqedonas, Nikola Gruevski, janë partnerë të rendit të parë kur vjen puna te çështje, si mbajtja mbyllur e rrugës ballkanike të emigrantëve nga Lindja e Mesme. Dhe, këta operatorë të rryer e dinë fort mirë si ta luajnë lojën me Evropën, duke flirtuar njëherësh anash me rusët.

Andaj, nëse ka ndonjë problem që po zien në Ballkan, më shumë ka lidhje me efektet perverse të «stabilitetit» që e ofrojnë qeveritë aktuale, se sa prej rrezikut të rrëshqitjes në konflikt. Por kur kombinohen me sprapsjen e BE-së dhe tërheqjen relative të Shteteve të Bashkuara, këtij stagnimi të përgjithshëm u shtohen edhe rënia demokratike dhe rritja e pamjaftueshme ekonomike. Mund t’u referohemi të nëntëdhjetave të dhunshme, por nuk është se janë mbajtur premtimet për transformim politik dhe institucional të udhëzuar nga Brukseli.

Dhe, spektri i tanishëm politik i ditëve të sotme i ofron Rusisë mundësi të pafundme për të provuar ta fundosë anijen që Perëndimit t’i trazohen ujërat. Po të ishit në vend të Putinit, nuk do të kishit nevojë për ndërhyrje ushtarake në enklavat që rrethojnë territorin e BE-së. Krejt çfarë ju duhet është prishja e planeve politike perëndimore nëpërmjet shfrytëzimit të pikave të dobëta – qoftë në Bosnjë nëpërmjet krizës kushtetuese, minigarës së armëve ndërmjet Serbisë dhe Kroacisë me Moskën që premton pajisje ushtrake për serbët, ose nëpërmjet tensioneve politike brenda Malit të Zi për punën e anëtarësimit në NATO. Kremlini mund të shënojë shumë pikë politike në garën e tij kundër Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara me çmim minimal.

Kundërpërgjigja e duhur që kërkohet prej Perëndimit është që thjesht ta shqyrtojë dhe demaskojë blofin e Rusisë. Prijësit lokalë preferojnë të mbajnë njërën anë kundër anës tjetër, dhe të mos u ikin mundësitë pa i shfrytëzuar, duke u shërbyer me pëpikëri me doracakun e Titos. Nuk ka alternativë tjetër pos ngjalljes së angazhimit. Perëndimi nuk duhet të zbrapset prej muhabetit për rikthim në vitet nëntëdhjetë. Por duhet ta analizojë atë çfarë po ndodh në politikën e brendshme të shteteve post-jugosllave dhe t’u bëjë presion krerëve që ta marrin seriozisht sundimin e ligjit, lirinë e shtypit dhe shoqërinë e pavarur civile. Fatkeqësisht, kjo po shndërrohet në urdhër që has në vesh të shurdhër tani që ato elemente përbëjnë kërcënim për demokracinë e kahershme në dy anët e Atlantikut. 

(Autori është hulumtues senior në Qendrën Euroaziatike të Këshillit Atlantik dhe hulumtues në Qendrën për Studime Sllave, Euroaziatike dhe Evropianolindore në Universitetin e Karolinës Veriore. Marrë nga atlanticcouncil.org.)