Perëndimi i përçarë nuk mund të arrijë zgjidhje të kënaqshme për Kosovën

Hapja e temës së «korrigjimit të kufijve» mes Kosovës e Serbisë e ka ndarë Perëndimin në dy blloqe: administrata e Donald Trumpit, Franca e presidentit Emmanuel Macron, Austria favorizojnë «korrigjimin», Gjermania dhe më heshtur Britania e Madhe janë kundër kësaj zgjidhjeje. Po klasa politike e Kosovës çfarë qëndrimi ka? Kurrfarë. Dhe këtu qëndron rreziku më i madh.




Në prag të 11-vjetorit të pavarësisë së Kosovës presidenti i Francës Emmanuel Macron i dërgoi këtë mesazh Prishtinës zyrtare: Franca, sipas tij, mbështet përpjekjet për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare për normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke e konsideruar këtë pakt si thelbësor për stabilizimin e qëndrueshëm të Ballkanit. Më tej Macron shkruan se Franca shpreson që pengesat për rifillimin e dialogut midis Beogradit dhe Prishtinës do të mënjanohen sa më shpejt që të jetë e mundur.

Pra, mesazhi është i qartë: marrëveshja e parashikuar mes Kosovës e Serbisë konsiderohet pakt thelbësor për stabilizimin e rajonit. Për të përparuar drejt kësaj marrëveshjeje Franca bën thirrje për heqjen e pengesave për dialog – një eufemizëm për heqjen e tarifave ndëshkuese ndaj prodhimeve serbe.

Edhe më i qartë ishte mesazhi i presidentit amerikan Donald Trump. Ai shkroi: «Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është thelbësore për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse».

Mund të spekulohet me ditë të tëra për motivet që e shtynë administratën e Trumpit për të gjetur një zgjidhje për Kosovën. Më afër logjikës është supozimi se ekipi i Trumpit synon t’i heq qafe problemet si ky i Kosovës për t’u përqendruar në çështje më të mëdha, më të rëndësishme dhe më të leverdishme për Amerikën. Kërkesa e qartë nga Washingtoni se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë duhet të përfshijë njohjen e dyanshme është një përparim cilësor në krahasim me administratën e mëparshme të Barack Obamës, gjatë së cilës as nuk u themelua ushtria e Kosovës, as nuk pati kërkesa eksplicite dhe të vazhdueshme ndaj Beogradit për të njohur pavarësinë e Kosovës.

Çfarë na kujtohet nga trashëgimia e nënpresidentit Joe Biden? Në një mësymje pothuaj humoristike e shpalli Hashim Thaçin «George Washington të Kosovës», ndërsa gjatë një shëtitjeje nëpër Skadarlinë e famshme të Beogradit bleu një palë opinga. E qartë: diplomacia jeton edhe nga gjestet e tilla, por pak më shumë angazhim për t’i bërë presion Beogradit për të njohur Kosovën do t’i vinte gjërat në lëvizje në Ballkan. Gjatë administratës së Obamës në Kosovë – pak a shumë – u ruajt gjendja e vendnumërimit dhe pritjes. Problemi iu la në dorë europianëve të ndarë në mënyrë kronike ndaj çështjes së Kosovës. Kështu nga negociatat për normalizim sundimtarët e Serbisë dhe Kosovës kaluan te muhabetet për ndryshimin e kufijve. Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi së fundi e konfirmoi se është takuar me kolegun e tij serb Aleksandar Vuçiq «jashtë kamerave» dhe se këto takime janë zhvilluar «në Bruksel, Vatikan nëpër ceremoni të ndryshme, gjithashtu edhe në Paris, edhe Vjenë e Nju Jork». Mund të merret me mend se në këto takime nuk është folur për cilësinë e «leskovaçka muçkalicës», gjyveçit dhe rakisë së prodhuar në manastiret e Kishës Ortodokse Serbe.

Diskutimet e fshehta për ndryshimin e kufijve në Ballkan kanë ngjallur zemërim sidomos në Berlin. Në Gjermani ngjallet panik sa herë që flitet për ndryshimin e kufijve në Ballkan, sepse mendohet se kjo do të shkaktojë tensione në rajon dhe pasojat duhet t’i bart Gjermania. Kjo është e kuptueshme: refugjatët eventualë nuk do të kërkojnë strehim në Texas apo afër vilës së Trumpit në Floridë, por në Frankfurt, Flensburg dhe Freiburg. Takimet e fshehta të Thaçit me ambasadorin amerikan në Berlin, Richard Grenell, nga diplomatët gjermanë janë shikuar si paradë intrigash. Ndonëse mban qëndrim kundër ndryshimit të kufijve, Gjermania, nën presionin e ngjarjeve rreth «korrigjimit të kufirit Kosovë-Serbi», përmes ambasadorit në OKB, Christoph Heusgen, është deklaruar se Serbia s’mund të hyjë në BE pa a pranuar Kosovën. Madje Heusgen është tallur me ministrin e jashtëm serb, duke i thënë se është duke ia futur vetes me udhëtimet e tij nëpër shtete ekzotike për t’i bindur të tërheqin njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në mënyrë më të heshtur kundër ndryshimit të kufirit të Kosovës është deklaruar edhe Britania e Madhe. Atje ekziston jo vetëm një lobi i fuqishëm që dëshiron të ruajë Bosnjën, por – njëjtë si në Gjermani – edhe bindja se po filloi ndryshimi i kufijve në Ballkan nuk dihet se ku përfundon ky muhabet.

Me idenë e tij për rrudhjen territoriale të Kosovës Thaçi ka arritur të përçajnë Perëndimin. Dhe kjo gjithsesi është në interes të Serbisë. Sepse tani që kufijtë kosovar janë vënë në dispozicion, presioni mbi Kosovën do të vazhdojë të rritet. Klasa politike nuk ka qëndrim unik. Një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) vrapojnë pas Thaçit. Në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) kryetari thotë se është kundër prekjes së kufijve, nënkryetari premton se Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës. Partitë minore si Nisma Socialdemokrate, e ashtuquajtura Partia Socialdemokrate, por edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kryeministrit Ramush Haradinaj nuk kanë legjitimitet të pakontestueshëm për të vendosur për të ardhmen e Kosovës. Tani këto trumbetojnë se kanë përpiluar një platformë që ndalon prekjen e kufijve të Kosovës, por gjithçka duket vonë kur e shikon situatën absurde në Konferencën e Sigurisë në München. Kryetari propagandon agjendën e tij për «korrigjimin e lehtë» të kufijve të Kosovës, kryeministri është kundër, dhe nga Tirana «babai i kombit» (cilit komb?) Edi Rama thotë se kufijtë e Kosovës do të preken që ç’ke me të, pastaj këndon parullën «Kosova është Shqipëri» dhe i jep disa leksione patriotike Ramush Haradinajt. Kjo është një portokalli reale politike.