Perceptimet e Isa Mustafës

Korrupsioni në Kosovë më shumë është perceptim se realitet. Po thotë kryeministri i vendit, Isa Mustafa. E vërtetë. Qe pse?

Korrupsioni si perceptim. Në këtë ilustrim shihen dy njerëz, por s'shihen zarfi, çanta dhe syzet. Ilustrimi: Shutterstock

Çka është perceptimi? Fjalori i Gjuhës Shqipe na jep këtë shpjegim: «Pasqyrimi në tërësi i anës së jashtme të sendeve ose të dukurive në vetëdijen e njeriut, që bëhet me anë të organeve të shqisave nga veprimi i drejtpërdrejtë mbi to i këtyre sendeve ose dukurive dhe që përmban në vetvete edhe përvojën e atij që percepton, formë e njohjes shqisore të realitetit objektiv».

Thënë me fjalë të thjeshta: çka ne mund ta regjistrojmë me shqisa është vetëm përvojë e jona e brendshme, pra vetë jemi fajtor që s’jemi në gjendje të shohim realitetin. Dhe realiteti është i pastër si loti, pa asnjë njollë, pa korrupsion dhe pa krim. Në vazhdën e këtij argumentimi duhet të gëzohemi pa masë që Isa Mustafa dje mbajti një fjalë rasti e fjalim historik, ku tha atë që pritej qëmoti prej tij: korrupsioni në Kosovë më shumë është perceptim se realitet. Kur thotë kryeministri i Kosovës kështu, s’kemi arsye të mos i besojmë. Ai e flet të vërtetën, 24 orë, madje edhe çka thotë jerm – e saktë është! Ka shumë shembuj që tregojnë se korrupsioni është vetëm perceptim.

Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, që në burg gjendet deputeti Azem Syla për pazare të paligjshme, mashtrim e pasurim marramendës. Grupi i tij dyshohet se e ka dëmtuar Kosovën 30 milionë euro. Isa Mustafa e di çfarë janë milionat, merret me menaxhimin e tyre që nga fillimi i viteve ’90.

Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, që drejtësia ka ngritur aktakuzë kundër deputetit të LDK-së, Naser Osmani, për keqpërdorime në Agjencinë Kosovare të Privatizimit, e cila, në të vërtetë, nga mediat shpesh quhet Agjencia për Privatizimin e Kosovës. Ky emër përshkruan më saktë veprimtarinë e kësaj organizate.

Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, që kryetari i Prizrenit Ramadan Muja (PDK) është dënuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Dhe përkundër dënimit Muja vazhdon të mbajë postin e të parit të këtij qyteti. Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, që Sami Lushtaku (PDK) falë «meritave të luftës» është ndër njerëzit më të pasur sot në Kosovë. Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, se është ngritur aktakuzë kundër Ukë Rugovës për allishverishe me viza Schengen. Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, se është dënuar dhe gjobitur Shukri Buja (PDK) për mosdeklarim të pasurisë.

Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, që gjykatësi Nuhi Uka mund t’i ketë bërë ndonjë dëm Republikës sonë të dashur. Assesi. Drejtësia jonë e poshtër e ndoqi padrejtësisht ish-kryetarin e Gjykatës Komunale në Prishtinë, duke shpifur ndaj tij se ishte pjesë e një grupi kriminal të prirë nga Azem Syla – një grup që merrej me manipulime me patundshmëri, mes tjerash. Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, që para disa ditësh është ngritur aktakuzë kundër drejtorit operativ të KEK-ut Njazi Thaçi, kundër ish-kryetarit të Organit Shqyrtues të Prokurimit, Hysni Hoxha, dhe kundër katër zyrtarëve të tjerë. Ky grup po akuzohet se është i përfshirë në dhënien e tenderit të KEK-ut dy kompanive («Solar & Ortex Uro Group» dhe «Beli Com») – edhe pse kanë qenë në dijeni se autorizimet e paraqitura dhe dokumentet e tjera relevante janë të falsifikuara.

Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, se Xhabir Zharku ekziston. S’ka ekzistuar kurrë një person i tillë. Edhe në qoftë se ka ekzistuar, ai nuk i ka bërë asnjë të keqe Kosovës. Pse duhet ta stigmatizojmë njeriun që mbolli disa palma, të cilat as nuk lëshuan rrënjë, as nuk lidhën kokrra? Kundër ligjeve të natyrës nuk mund të veprojë as Xhabir Zharku. Tack! (Faleminderit, suedisht).

Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, që nga posti i tij si komandant i policisë rajonale në Prizren ka qenë i suspenduar Nexhmi Krasniqi. Po aq sa është rrenë se ka qenë i suspenduar Nehat Thaçi, edhe ky zyrtar i policisë, i njohur në opinion pas arrestimit në Serbi. Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, që nga Dhoma e Dëshmive janë vjedhur nja 50 kilogramë drogë dhe dëshmi të tjera.

Në fund të fundit, është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, se janë vrarë Xhemail Mustafa, Smajl Hajdaraj, Shaban Manaj, Ismet Rraci, Haki Ymeri. Para disa vitesh Isa Mustafa u ngjit në një lajthi dhe lajthiti, duke e akuzuar SHIK-un për vrasje politike. Është perceptim, pra fantazi e dashakeqësve, se në fund të korrikut 2012 «Koha Ditore» botoi një raport të misionit të BE-së në Kosovë (EULEX) të nënshkruar nga hetuesi Gary Fainsworth, ku nënvizohej se dhjetëra persona janë vrarë ose është tentuar të vriten vetëm pse ishin anëtarë apo mbështetës të LDK-së.

Perceptime. Perceptime. Perceptime.

Megjithatë, të refuzosh të perceptosh një të keqe nuk domethënë se ajo e keqe nuk ekziston. «Dallimi mes asaj që është dhe asaj që e perceptojmë është burimi i të gjitha vuajtjeve», thotë Dalai Lama. Kryeministri Isa Mustafa me gjasë ka rrëshqitur në hendekun e dallimit, andaj faqe botës thotë: korrupsioni është sall perceptim. Dhe Dino Asanaj ende është drejtor i Agjencisë PËR Privatizimin e Kosovës.