Përçarja e paarsyeshme për demarkacionin

Të dy kampet kanë të drejtë, prandaj edhe janë barrikuar në qëndrimet e tyre. Arsyeja është që të dy palët flasin për kufij, mirëpo për dy lloje kufijsh. Njëra palë flet për kufijtë administrativ, siç quheshin gjatë kohës së Jugosllavisë kufijtë mes njësive federale të Jugosllavisë. Ishin administrativ, sepse nuk ishin kufij shtetërorë mes shteteve, por mes njësive të një shteti. Ndërsa pala tjetër flet për «kufij kadastralë».




Trajtimi që po i bëhet çështjes së demarkacionit ka arritur një pikë konfliktuoze, e cila nuk është aspak e arsyeshme. Këtij debati do t’i shërbente ulja e tensioneve dhe analizimi i pjesëve kontradiktore mes qëndrimeve të palëve. Kontradiktat rreth këtij debati kanë disa burime, të cilat do të shtjellohen në tekstin vijues. Por çfarë duhet të potencohet paraprakisht është se i gjithë debati rreth demarkacionit po komplikohet duke e lidhur me liberalizimin e vizave. Ndërsa argumenti më i pabazuar është të thuhet se vetëm ata që kanë pasaporta të huaja qenkan kundër demarkacionit. E shoh si shumë të dëmshme dhe të dyshimtë tentativën që qytetarët të joshen me viza dhe të bëhet presion për ratifikim të demarkacionit shkaku i vizave.

Debati rreth demarkacionit është shndërruar në arenë linqimi. Nëse nuk e ke mendimin e njejtë, linqohesh publikisht si sharlatan, pa e marrë mundin të dëgjohen arsyet. E vërtetë që kemi tre vite që mirremi me këtë temë. Pse nuk e caktoi qeveria e kaluar menjëherë pas tërheqjes së projektligjit nga votimi në kuvend një komision shtetëror për ta kontrolluar dokumentacionin e ofruar të komisionit paraprak? Komisioni i udhëhequr nga Shpëtim Bulliqi është caktuar në shtator dhe e ka prezantuar raportin në dhjetor. Nuk mund të flasim për vonesa. Raporti ka pasur gjetje shqetësuese për ata që janë të hapur për argumente të reja, gjetje të cilat dëshmojnë se marrëveshja sipas raportit të komisionit të parë nuk mund të konsiderohet si e ligjshme në aspektin juridik dhe raporti është i kontestueshëm në aspektin teknik. Nuk ka qenë detyrë e komisionit aktual që ta bëjë demarkacionin edhe njëherë, por vetëm ta vlerësojë punën dhe dokumentacionin e komisionit të kaluar. Sidoqoftë, më poshtë do të shohim se cilat ishin mospajtimet mes palëve rreth kësaj çështjeje.

Mospajtimi i parë, i cili ka ngjallur debatin intern në Kosovë, ka të bëjë me pyetjen se çka duhet të mirret si kriter për kufijtë mes Kosovës dhe Malit të Zi, pra a vlejnë kufijtë administrativë apo dokumentacioni kadastral. Kjo është pyetja esenciale, e cila është dashur të përcaktohet para se të fillojë punën komisioni i parë i udhëhequr nga Murat Meha. Meqë kjo pyetje nuk është zgjidhur, opinioni në Kosovë është i ndarë në qëndrime. Të dy kampet kanë të drejtë, prandaj edhe janë barrikuar në qëndrimet e tyre. Arsyeja është që të dy palët flasin për kufij, mirëpo për dy lloje kufijsh. Njëra palë flet për kufijtë administrativë siç quheshin gjatë kohës së Jugosllavisë kufijtë mes njësive federale të Jugosllavisë. Ishin administrativë, sepse nuk ishin kufij shtetërorë mes shteteve, por mes njësive të një shteti. Ndërsa pala tjetër flet për «kufij kadastralë».

Gjatë shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, komisioni i Badinterit ka dhënë përgjigjen se si kufij shtetërorë të vendeve të dala nga ish-Jugosllavia do të vlejnë kufijtë ekzistues administrativë. Sepse edhe nuk do të kishte asnjë kuptim që kufiri shtetëror të bëhet i thyeshëm me lakesa sipas parcelave të vogla kadastrale.

Brenda shteteve nuk do të thotë se e gjithë toka doemos është e futur në kadastër. Pjesa e kontestuar mes Malit të Zi dhe Kosovës pikërisht karakterizohet nga ky fenomen. Kosova e ka në kadastër deri aty ku është caktuar vija kufitare sipas komisionit të Meha. Mirëpo pjesa e mbetur jashtë asaj vije kadastrale, por brenda kufijve administrativë të Kosovës sipas kushtetutës së 1974, nuk është e mbuluar me kadastrin kosovar. Por nëse jemi duke folur me kriter kadastral, atëherë, nëse Kosova nuk e ka të mbuluar me kadastër këtë pjesë, do të duhej që Mali i Zi ta ketë. Por kjo nuk qëndron. Mali i Zi nuk e ka dokumentacionin kadastral për këtë pjesë. Edhe as nuk mund ta ketë, sepse në të gjitha hartat topografike dhe ushtarake të asaj kohe, Çakorri dhe Kulla janë brenda kufijve të Kosovës. Kufiri është ai që shihet në ato harta, e jo aty ku e ka caktuar komisioni i Murat Mehës. Mbi të gjitha, komisioni i Murat Mehës ka pasur mandatin e shënjimit të kufijve, e jo të përcaktimit të kufijve. Këto dy gjëra dallojnë. Demarkacion do të thotë të vësh shenja nëpër vijën kufitare, e cila është veçse e përcaktuar në një proces paraprak. Procesi i përcaktimit të kufirit quhet delimitim. Kriteri kadastral mund të mirret për një kufi parasysh vetëm kur sistemet kadastrale të të dyja vendeve përputhen, pra kur ka një hartë me përpjesëtim të njejtë dhe kur nga të dy anët e atij kufiri të vendosur mbi kriterin kadastral ekzistojnë të dhëna institucionale kadastrale nga të dy shtetet, me numra të ngastrave kadastrale. Por edhe në atë rast kur të dhënat kadastrale do të përputhesin, procesi i demarkacionit nuk do të ishte i vlefshëm, sepse është bërë nga një komision për shënjim dhe mirëmbajtje të kufirit sipas nenit 40 të Ligjit për Kontrollin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit, i përbërë nga teknikë të fushës, të cilët janë të përshtatshëm për demarkim, pra për shënjim të kufijve, e jo për delimitim (përcaktim të ri) të kufijve. Vija e cila shihet në disa harta të paraqitura nga komisioni i Mehës dhe tani po përshkruhet si vijë kufitare mes dy shteteve ka qenë vijë e kufijve kadastralë komunalë, e jo vijë kufitare shtetërore. Vija kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi nuk ka ndryshuar asnjëherë dhe ka qenë ajo e njejta që është parë në të gjitha hartat e mëhershme të punuara nga institucionet e ish-Jugosllavisë.

Sa i përket argumenteve të cilat bazohen mbi ligjet rreth organizimit territorial të komunave, ato janë thjeshtë irrelevante për diskutimin rreth kufijve shtetërorë. Gjithashtu edhe argumentet të cilat potencojnë se në Kushtetutën e 1974 Kosova përbëhet nga komunat e saj. Natyrisht që Kosova përbëhet nga komunat e saj, sepse nuk është e ndarë në kantone apo shtete! Që kjo është e shkruar ashtu nuk do të thotë së kufijtë shtetërorë janë kufijtë e komunave kufitare dhe nuk e përjashton mundësinë e përcaktimit të kufijve shtetërorë mbi kritere tjera përpos atyre kadastrale komunalë. Përndryshe nuk do të kishte pasur nevojë të ekzistonin fare kriteret tjera ndërkombëtare rreth përcaktimit të kufijve, por do të merreshin parasysh vetëm dokumentacionet kadastrale të shteteve. E Drejta Ndërkombëtare e njeh përcaktimin e kufijve sipas parimit «uti possidetis» apo sipas kufijve natyrorë dhe askund nuk përmend kufij kadastralë. Askush që e njeh të Drejtën Ndërkombëtare nuk mund të thotë se argumenti që Kosova përbëhet nga komunat e saj i zhvleftëson kufijtë e saj administrativë të ish-Jugosllavisë. Askund, në asnjë dokument nuk thuhet se kufijtë e Kosovës me shtetet tjera janë kufijtë e komunave të saj kufitare. Natyrisht që përbrenda shtetit, komunat mes njëra-tjetrës e ndajnë kufirin sipas kufirit kadastral që kanë mes tyre. Nuk mund të mirrën për bazë të përcaktimit të kufijve ndërshtetërorë ligjet për organizim territorial të komunave apo për kufijtë administrativë të komunave.

Gjatë procesit të demarkacionit kanë punuar profesionistë të gjeodezisë, të cilët kanë njohuri të mjaftueshme teknike për të ditur se të gjitha hartat e Institutit Gjeografik Ushtarak (IGJU) në shkallën 1:25000 nuk përmbajnë kufij dhe prandaj ato harta nuk mund të përdoren si dëshmi të ekzistimit apo jo të kufijve. Në dokumentacionin e komisionit të parë, mbi këto harta është vizatuar me të kuqe vija kadastrale e Kosovës, edhe pse në origjinal nuk ka qenë ashtu. Tutje, të njejtët profesionistë e dinë se për t’u ndarë një kufi mbi kriter kadastral duhet të ekzistojnë të dhëna nga të dy anët e atij kufiri, të dhëna të të njejti standard sikurse është ofruar nga pala kosovare (plan kadastral 1:2500). Ana malazeze ka ofruar skica pa detaje institucionale se kush i ka prodhuar, në çfarë baze juridike thirren ato apo cilin vit të prodhimit e kanë. Komisioni shtetëror kosovar, i udhëhequr nga Meha ka dokumentuar (sipas procesverbalit të mbledhjes së komisioneve të datës 25-26 mars 2013) që kufiri real mes dy vendeve është përafërsisht në pikat Çakorr dhe Kullë, duke ofruar hartën topografike 1:100000. Por më vonë është tërhequr nga ky qëndrim për arsye të panjohura. Qytetarët e Kosovës kanë të drejtë të dinë se jo të gjitha hartat përmbajnë kufij administrativë, se hartat mund të kenë dallime mes veti dhe se nëse mirren për bazë hartat, ato duhet të jenë të standardit të njejtë, vitit të njejtë dhe të përgaditura nga organe të besueshme shtetërore, të cilat edhe shënohen si referencë në hartë. Ndërsa nëse mirret si kriter për përcaktim të kufirit plani kadastral, atëherë duhet të ketë plane kadastrale me standarde të njejta dhe numra të ngastrave kadastrale nga të dy anët e vijës të atij kufiri. Asnjëra nga këto kushte nuk janë përmbushur nga ana e Malit të Zi.

Paqartësia tjetër ka ndodhur shkaku se ky proces i demarkacionit është përzier me një proces të delimitimit. Komisioni kosovar ka pasur mandat vetëm për demarkacion, pra për shënjim teknik dhe sipas kësaj është dashur shënjojnë vetëm vijën kufitare administrative (ekzistuese prej kohës së ish-Jugosllavisë) mes Kosovës dhe Malit të Zi. Ndërsa komisioni malazez ka pasur mandatin për përcaktim të ri (delimitim) të kufijve, gjë që nuk ka pasur fare nevojë të bëhej. Kështu që janë bërë dy procese që do të duhej të ishin parimisht të ndara dhe sukcesive. Por mbi të gjitha, nuk ka pasur nevojë të bëhej fare procesi i përcaktimit të kufirit, kur ai veçse ka ekzistuar. E që këto dy komisione kanë pasur mandate të ndryshme shihet qartë nga emërtimet e tyre të ndryshme në dokumentacionin e përpiluar nga këto dy shtete dhe që gjinden në dosjen e komisionit të parë të udhëhequr nga Meha. Ky fakt, a priori e bën të pavlefshëm të gjithë procesin e demarkimit. Mbi të gjitha, ngurrimi i Kosovës për ta ratifikuar këtë marrëveshje nuk mund të shihet si jo-seriozitet i shtetit të Kosovës, sepse vetë e Konventa e Vjenës për Traktatet me nenin 14 e përcakton ratifikimin si përmbyllje të procesit. Ekziston mundësia që edhe nënshkrimi të konsiderohet si proces përmbyllës (neni 12) dhe marrëveshja të jetë valide ndërkombëtarisht vetëm në bazë të nënshkrimt, mirëpo vetëm atëherë kur teksti i marrëveshjes e përcakton këtë mundësi dhe shtetet nuk janë të detyruara ta ratifikojnë. Në rastin e marrëveshjes për demarkacionin nuk mund të quhet nënshkrimi si pranim i marrëveshjes. Që nga fillimi, nga ana e Kosovës, marrëveshja ka pasur qëllimin e demarkimit, pra të shënjimit të kufirit (vendosjes së shënjave).

Mirëpo Mali i Zi e ka dërguar një komision me mandat dhe qëllim të përcaktimit të kufirit. Kjo është dëshmia e parë e jo-seriozitetit të Malit të Zi. Dëshmia e dytë është mungesa e të dhënave kadastrale të besueshme për pjesën përtej kufijve kadastralë të Kosovës, sidomos për pjesën mes pikave kufitare 40 dhe 70, tek kufiri ku gjendet Kulla. Dëshmia e tretë është ndryshimi i qëndrimeve të Malit të Zi rreth mundësisë së bisedimeve në rast të paqartësive, meqë në fillim ishte i hapur për rishikim e tani ka marrë qëndrim tjetër. Jo-serioziteti më i madh është kur Mali i Zi thotë se me ratifikimin nga ana e tyre e shohin si të mbyllur këtë çështje. Çështja e demarkacionit nuk mund të konsiderohet e mbyllur pa ratifikim nga ana kosovare. Ndërsa kur Mali i Zi nuk pranon ta dërgojë në arbitrazh, ajo nuk është vetëm jo-seriozitet, por naivitet, sepse një marrëveshje e ratifikuar nga vetëm njëra palë nuk mund të quhet marrëveshje ndërkombëtare. Prandaj, Kosova me mosratifikim nuk shkel asnjë marrëveshje ndërkombëtare!

Një gjë duhet ta kemi të qartë: E Drejta Ndërkombëtare, sipas Konventës së Vjenës për Traktatet, në nenin 46 e parasheh edhe mundësinë e tërheqjes nga një marrëveshje ndërkombëtare nga vetëm njëra palë. Kjo mund të bëhet nëse është shkelur ndonjë dispozitë ligjore e ligjit të shtetit rreth së drejtës për të nënshkruar një marrëveshje ndërkombëtare (mangësitë formale) dhe nëse njëri shtet ka hyrë në obligim ndërkombëtar me një marrëveshje, e cila përmban një gabim (mangësitë materiale), përpos nëse për atë gabim ka kontribuar vetë, apo është dashur të llogarisë në mundësinë e atij gabimi (neni 48 i Konventës së Vjenës për Traktatet). Komisioni i udhëhequr nga Meha ka pasur vetëm detyrën e shënjimit të kufirit, jo tër përcaktimit të tij. Kjo nënkupton se nënshkrimi i asaj marrëveshjeje është jo-valid juridikisht, sepse është bërë në bazë të raportit të një komisioni të mandatuar për tjetër punë. Prandaj, për të mos e sjellur veten në pozitën kur edhe pas ratifikimit të ekzistojë mundësia që dikush të kërkojë tërheqjen e Kosovës nga ajo marrëveshje, kjo çështje duhet të kryhet në mënyrë profesionale. Kjo do të nënkuptonte që të largohemi nga politizimi i çështjes si një kauzë e opozitës së atëhershme, por njëherazi edhe nga qëndrimi se gabimet gjatë procesit kanë qenë të qëllimshme nga ana e nënshkruesve kosovarë.

Kosova si shtet i ri nuk ka pasur ende rastin të fitojë përvojën e nevojshme rreth marrëveshjeve ndërkombëtare dhe gabimet janë njerëzore. Kryesorja është që ato gabime të korrigjohen dhe jo që procesi si i tillë të finalizohet në dëm të interesave shtetërore vetëm sa për t’i maskuar gabimet teknike.

Mospajtimi tjetër ka të bëjë me ngatërrimin e argumentiti se kufiri duhet të jetë ai i 1974 me statusin politik të 1974. Kemi dëgjuar zëra se po qe se diskutohet për kufij të 1974, atëherë Kosova po hapë kutinë e Pandorës. Por kjo nuk qëndron. Sepse kërkesa që si kufij të vlejnë kufijtë, të cilët Kosova i kishte në momentin e hyrjes në fuqi të kushtetutës së 1974, është pikërisht ajo çfarë e thotë Badinter dhe Pakoja e Ahtisaarit. Në Pakon e Ahtisaarit, Aneksi VIII «Sektori i Sigurisë së Kosovës», neni 3 «Kufiri», paragrafi 3.2 thuhet: «Territori i Kosovës do të përkufizohet nga vija kufitare e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës brenda Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë ashtu siç kanë qenë këto vija kufitare më 31 dhjetor 1988, përveç ndryshimit të vijës kufitare nga marrëveshja e demarkacionit në mes të Republikës Federative të Jugosllavisë dhe ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë më 23 shkurt 2001». Kërkesa të vlejnë kufijtë e 1974 (që janë të njejtit që prej 1945 e këtej) nuk do të thotë se kërkohet të ndryshohet edhe statusi politik. Çështja e statusit është kryer. Nuk na shërben për qartësim të çështjes së demarkacionit kur fillohet të flitet për pasoja duke menduar në status politik të 1974. Por mbi të gjitha një argumentim i tillë është thjeshtë nonsens dhe shkakton edhe më shumë konfuzion.

Së këndejmi, partitë tona politike kanë kontribuar me sjelljet e tyre që kjo çështje të shihet si çështje e inskenuar, duke pretenduar se gjithçka ka qenë në rregull dhe se kush është kundër këtij versioni të demarkacionit e ka vetëm qëllimin që t’i dëmtojë palët nënshkruese të marrëveshjes. Ndërsa nuk e kanë kuptuar se të dy palët flasin për parime të ndryshme, pra se a duhet të vlejnë kufijtë administrativë apo të bëhen kufinj të ri në bazë të kriterit kadastral. Nëse mirret për bazë qëndrimi i komisionit të Badinterit, siç është marrë për të gjitha shtetet tjera që kanë derivuar nga ish-Jugosllavia, atëherë janë kufijtë administrativë relevantë. Duhet të jetë shumë e qartë për secilin qytetar se kufijtë shtetërorë përbëjnë interes vital për Kosovën dhe kundërshtimi i tërheqjes së një kufiri të ri nuk guxon të interpretohet sikur të ishte vetëm një kapriço apo vetëm për qëllimin që të dëmtohen ata që e kanë nënshkruar. Një trajtim i tillë e banalizon çështjen dhe mbi të gjitha i orienton në një qasje të gabuar edhe partnerët tanë ndërkombëtarë. Besoj se duhet të shihet se kishte gabime dhe ato të eliminohen, dhe kjo të kuptohet si një shërbim në interes të shtetit, e jo si zmbrapjse apo dorëzim. Të drejtë kishin të dyja palët, por flisnin për gjëra të ndryshme!
Barrikadimi i fronteve interne në Kosovë ka ndodhur shkaku i këtyre paqartësive të lart përmendura. Katrahurës së këtyre ngatërresave i janë shtuar edhe presione të tjera. Jemi në një situatë të presionit nga jashtë dhe kjo është e kuptueshme. Nuk duhet fajësuar partnerët tanë që po e humbin durimin. Procesi i demarkacionit kërkohet të kryhet, sepse ka qenë një proces teknik, i cili nuk është dashur të kërkojë kaq shumë kohë. Fatkeqësisht, komisionet e dy shteteve i kanë ngatërruar procesin teknik me një proces politik të delimitimit. Partnerët tanë ndërkombëtar nuk besoj se janë të interesuar që Kosova të humbë edhe më shumë territor, por çfarë ka ndodhur gjatë këtij procesi të demarkacionit mes dy shteteve ka shkaktuar konfuzion edhe te ndërkombëtarët, ngaqë çështja është dashur të jetë fare teknike dhe e thjeshtë, por përcaktimi i ri i kufijve e ka shndërruar në një çështje të së drejtës ndërkombëtare. Kjo duhet të ju argumentohet partnerëve tanë nga qeveria jonë, nga e cila kemi të drejtë të kërkojmë që të jetë e unifikuar në këtë çështje. Të thuhet e vërteta dhe të tregohet se nuk është bërë demarkim, por delimitim dhe të pyetet për delimitim cili kriter duhet të vlejë, ai i Pakos së Ahtisaarit, apo kërkesa e Malit të Zi që kufiri të caktohet sipas kadastrit. Nëse caktohet sipas kadastrit, Mali i Zi le t’i sjellë dokumentacionin kadastral, të cilin nuk e ka ofruar për pikat kufitare 40 deri 70.

Një tjetër çështje e diskutimit është këmbëngulja e Malit të Zi se për të kjo çështje është e mbyllur. Nuk mund të jetë e mbyllur një marrëveshje ndërkombëtare pa ratifikim të të dy vendeve. Një marrëveshje me vetëm një ratifikim nuk është valide ndërkombëtarisht. Prandaj edhe qëndrimi i Ministrit të Jashtëm malazez Darmanoviq se Mali i Zi asnjëherë nuk e ka zhvleftësuar një marrëveshje ndërkombëtare nuk ka kuptim, sepse ajo marrëveshje nuk është valide pa ratifikim të dyanshëm. Mali i Zi fillimisht nuk pati kundërshtuar një shqyrtim të ri rreth çështjes së demarkacionit. Mirëpo tani edhe Mali i Zi po e trajton si çështje ekskluzivisht të brendshme të Kosovës, ngaqë ashtu edhe është paraqitur nga qarqe të caktuara të politikës sonë dhe kjo i konvenon Malit të Zi. Ndërsa sa i përket NATO-s, aleanca në pyetjen e Radios Evropa e Lire rreth qëndrimit të saj për demarkacinin mes Kosovës dhe Malit të Zi është shprehur se nuk ka rol të drejtëpërdrejtë dhe se kjo është çështje mes dy shteteve. Në këtë kontekst, ngulmi i palës kosovare që ta përdorë qëndrimin e Malit të Zi se kjo çështje qenka e kryer si argument për ratifikim të demarkacionit është i pakuptueshëm dhe i dëmshëm.

Është diskutuar edhe opinioni i profesorit të respektuar të së Drejtës Ndërkombëtare, Marc Weller në lidhje me demarkacionin. Weller në opionin e tij flet për konceptin «uti possidetis», administrimit efektiv dhe të dhënave kadastrale si dhe për vendimin e dy komisioneve që për bazë të mirren kufijtë komunalë sipas planeve kadastrale. Nga opinioni i tij mund të nxjerrim konstatimin se komisioni i Kosovës ka pranuar se të dhënat janë gjithëpërfshirëse dhe të plota. Nëse komisioni kosovar ka thënë se të dhënat janë gjithëpërfshirëse dhe të plota, është shumë e kuptueshme se çdo individ, si në rastin e Weller, poashtu edhe çdo komision ad-hoc, do të pranojë një deklaratë të komisionit kosovar si të mirëqenë, meqë është komision shtetëror. Analiza dhe opinioni i tyre do të varet nga ajo deklaratë e komisionit kosovar. Mirëpo, të dhënat kadastrale nga ana e Malit të Zi nuk janë konform standardeve që kërkohen për të caktuar një kufi shtetëror në bazë të planeve kadastrale. Ato nuk janë fare plane kadastrale, por skica përshkruese, të cilat nga teknikët e gjeodezisë nuk mund të mirren si bazë as përbrenda shtetit, e aq më pak kur bëhet fjalë për kufij ndërshtetërorë. Këto informata teknike Weller dhe komisionet ad-hoc kanë mundur t’i marrin nga njerëzit profesionistë të fushës së gjeodezisë, të cilët në lidhje me demarkacionin vazhdimisht janë shprehur rreth mangësive teknike të të dhënave kadastrale nga ana e Malit të Zi, siç është edhe Katedra e Gjeodezisë apo inxhinierit të Gjeodezisë. Meqë dokumentacioni i komisionit thotë se mirret parasysh kriteri kadastral, Weller e analizon kornizën ligjore të komunave dhe e citon Ligjin e Kosovës për Kufijtë Administrativë Komunal: «Kufijtë administrativ të Komunës janë kufijtë administrativ të zonave kadastrale që e përbëjnë territorin e komunës në pjesën që kufizohet me komunën fqinje ose përputhet me kufijtë administrative shtetëror të Republikës së Kosovës». Ky citat nuk dëshmon se kufiri kadastral i komunës së Pejës është kufi administrativ shtetëror, por thotë se kufijtë kadastralë të komunës së Pejës janë kufij në pjesën që kufizohet me komunën fqinje, e cila duhet të ketë gjithashtu dokumentacion kadastral valid. Poashtu thotë që kufiri administrativ i Komunës e përbën territorin e Komunës në pjesën ku përputhet me kufijtë administrativë shtetërorë të Republikës së Kosovës. Pra, ky citat në asnjë formë nuk thotë se kufiri administrativ i Komunës domosdo është kufi administrativ shtetëror, përkundrazi është vetëm atëherë kur përputhet me kufijtë administrativë shtetëror. Weller e ka dhënë një opinion mbi bazën e informatave që i ka poseduar dhe që i janë ofruar nga komisioni. Mirëpo ato informata kanë qenë të pamjaftueshme për të vërtetuar se a janë bërë gabime teknike dhe shkelje procedurale (sidomos fakti i mandateve të ndryshme të komisioneve është shkelje procedurale).

Por si të procedohet tani? Sigurisht se nuk duhet bazuar në deklarimet nga ana e Malit të Zi se mund të ketë rishikim edhe pas ratifikimit. Nëse që tani, kur ende nuk është ratifikuar marrëveshja, nuk ka vullnet për korrigjim, pas ratifikimit sigurisht se vullneti do të jetë edhe më i vogël. E vetmja mundësi që mbetet është mosratifikimi apo futja e një klauzole apo paragrafi shtesë në projektligjin për demarkacionin, i cili do të përcaktonte se ratifikimi është i kushtëzuar dhe do të hyjë në fuqi nga momenti kur pala malazeze ofron dokumentacionin kadastral në përputhje me dokumentacionin kadastral të Kosovës, me standardin e njejtë për vijën kufitare me Kosovën përgjatë kufirit mes tyre. Një propozim të ngjashëm kishtë dhënë edhe Marc Weller në opinionin e tij rreth kësaj çështjeje, kështu që ky propozim mbase edhe mund të jetë një opcion për të dalë nga kjo situatë sa më shpejtë dhe me sa më pak dëme kolaterale.

(Autorja është doktorande e Shkencave Politike në Nürnberg dhe ka studiuar Shkencat Politike, Të Drejtën Ndërkombëtarë dhe Letërsi Gjermane në Zürich)