Përçarja brenda BDI-së lë një të vrarë në Kumanovë

Ish-komandanti i njësitit special të UÇK-së «Shqiponja», i cili ka mbajtur edhe këtë nofkë, Xhemail Rexhepi, ka mbetur i vrarë gjatë një përleshjeje me rivalin e tij kryesor për postin e kryetarit të Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Kumanovë. Përplasjet disamujore në këtë Degë që fillimisht ishin vetëm verbale shpërthyen të enjten në një përleshje fizike dhe kulmuan me shkrepje armësh

Nga Arben ZEQIRI

Kumanovë, 23 korrik

Dy muaj pas ngjarjeve të 9 e 10 majit, kumanovarët, të enjten, u tronditën edhe nga një incident tjetër. Edhe kësaj radhe i vrarë mbetet një bartës i dikurshëm i emblemës së Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, ndërsa aq sa incidenti, të dhimbshme kanë qenë edhe arsyet e ngjarjes. Ish-komandanti i njësitit special të UÇK-së «Shqiponja», i cili ka mbajtur edhe këtë nofkë, Xhemail Rexhepi, ka mbetur i vdekur gjatë një përleshjeje me rivalin e tij kryesor për postin e kryetarit të Degës së Bashkimit Demokratik për Integrim në Kumanovë. Përplasjet disamujore në këtë Degë që fillimisht ishin vetëm verbale shpërthyen të enjten në një përleshje fizike dhe kulmuan me shkrepje armësh. Nga krismat mbeti i vrarë Xhemail Rexhepi, ish-komandant Shqiponja i cili ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital, ndërsa u plagos edhe një person tjetër, Shefki Rexhepi. Incidentin e armatosur e konfirmoi edhe Policia e Kumanovës, sipas së cilës në mesin e personave që kanë gjuajtur ka pasur më shumë persona.

«Gjatë përleshjes, në vendin e ngjarjes është ekzekutuar Xhemail Rexhepi, i datëlindjes 1970, ndërsa ka mbetur i plagosur Shefki Rexhepi, i lindur më 1977, ndërsa personat që kanë qëlluar drejt tyre, janë arratisur në drejtim të panjohur. Policia ndërkohë është në kërkim të tyre dhe ajo në terren po i zhvillon hetimet», tha Valentina Nikollovska, zëdhënëse e SPB të Kumanovës.

I dyshuari kryesor për vrasjen është pikërisht rivali kryesor i Rexhepit për postin e të parit të BDI-së në Degën e Kumanovës, Bajram Limani, ushtrues aktual i detyrës kryetar dege. Ai në një deklaratë për Alsat-M pranon se ka pasur gjuajtje nga grupi i tij, por thotë se kjo është bërë për vetëmbrojtje.

«Ne kemi qenë në vend të punës, unë kam qenë duke ushtruar detyrën e ushtruesit të kryetarit të Degës së Kumanovës. Na kanë sulmuar, kanë dashur të nënshkruhen dokumentet, na kanë sulmuar me karrige e me grushte, ne kemi qenë të detyruar të mbrohemi. Shoku im ka gjuajtur në ajër që t’i largojë, por ne me qëllim nuk kemi bërë asgjë, se çfarë ka ndodhur ne nuk e dimë. Pas disa minutave të kacafytjeve ne jemi larguar nga vendi i ngjarjes, edhe opinioni i Maqedonisë e di se kjo na vjen keq shumë, por asgjë me fajin dhe përgjegjësinë tonë nuk ka ndodhur», ka deklaruar ai. Limani thotë se do t’i dorëzohet policisë dhe do t’ua lërë organeve të drejtësisë të zbardhin rastin deri në fund.

«Me keqardhje po e them se të sulmuar kemi qenë. Patjetër organeve të drejtësisë do t’i dorëzohemi, dhe nuk i ikim asnjë lloji përgjegjësie. Jemi të lënduar në fytyrë në stomak, në kokë, me këta persona probleme kurrë nuk kemi pasur. Ne kemi qenë në punë në institucion, unë sot kam pasur 3 takime, kam pasur edhe tri takime të tjera, por në orën 4 ndodhi kjo dhe jam jashtëzakonisht i shqetësuar. Kjo është një tragjedi që nuk është dashur të ndodhë. Jemi sulmuar me formën më të vrazhdë jo prej një personi po prej 8-9 personave. Jemi munduar në çdo formë me ik derisa nuk na kanë lënë asnjë shteg më të vogël. Organet e drejtësisë do ta zgjidhin këtë punë, ne nuk i ikim përgjegjësisë. Ne jemi larguar prej rrëmujës, që të mos ndodhë diçka», ka deklaruar Limani.
Për incidentin është prononcuar edhe partia amë e dy grupeve rivale, Bashkimi Demokratik për Integrim, e cila ka shprehur keqardhje.

«BDI-ja njëkohësisht shpreh ngushëllime për familjarët që humbën jetën në këtë ngjarje tragjike, kurse të lënduarve u uron shërim sa më të shpejtë. BDI-ja fton organet kompetente që të zbardhin deri në fund këtë ngjarje tragjike», thuhet në reagimin e BDI-së.

Fërkimet brenda strukturës lokale të BDI-së në Kumanovë filluan qysh para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2014 kur në këtë qytet BDI-ja nuk arriti të zgjedhë kryetarë dege. Në shkurt të këtij viti, tanimë i ndjeri Xhemail Rexhepi kishte hyrë në zyrat e Degës së BDI-së dhe i shoqëruar nga anëtarë të BDI-së dhe mbështetës të tij kishte zgjedhur kryesinë e degës, ndërsa ai ishte zgjedhur kryetarë dege. Por, qendra nuk e njohu zgjedhjen e tij dhe paralajmëroi zgjedhje të reja. Por këto zgjedhje nuk u mbajtën për muaj të tërë. Në një deklaratë të tij të fundit, në muajin shkurt, Rexhepi pati deklaruar: «Më 11 shtator kemi pasur takim me koordinatorin ku është dashur të shpallet kandidatura kush dëshiron të kandidojë për kryetar dege të BDI-së, por nuk ka pasur kandidaturë tjetër pos kandidaturës sime. Dhe që prej atëherë popullata e Kumanovës ma ka uruar postin e kryetarit të Degës së BDI-së».

Në muajin qershor, me vendim të kryetarit të Partisë, Ali Ahmeti, një nga të dyshuarit për vrasjen e së enjtes, Bajram Limani, zgjidhet për ushtrues detyre, kryetar i Degës së BDI-së në Kumanovë. Por, as me këtë vendim gjakrat nuk u ftohën, përkundrazi, marrëdhëniet brenda strukturave partiake u acaruan edhe më tej në këtë qytet.

Ekspertë dhe analistë politikë disa herë i kanë bërë thirrje kreut të BDI-së që të ndërhyjë dhe të vendosë rendin brenda partisë. Disa madje edhe paralajmëruan se këto përplasje mund të kulmojnë edhe me tragjedi të kësaj natyre. Edhe të enjten, pati reagime që shkonin në adresë të kreut të partisë, Ali Ahmeti. Me akuza ndaj tij kanë dalë edhe ish-pjesëtarë dhe komandant të UÇK-së, duke e bërë fajtor për situatën e krijuar dhe incidentin në fjalë. Një prej atyre që ka akuzuar Ahmetin është edhe Xhezair Shaqiri, komandant Hoxha, i cili pasi shpreh ngushëllime për viktimat, fton bashkëluftëtarët e tij që të mos bien pre e ngatërresave të BDI-së.

«Kur hiena është në rrezik për jetën e saj, sakrifikon edhe familjen e vet. BDI-ja do të turpërojë me lajme të rënda gjithë shqiptarinë në këto momente kur po e shohin se po fundoset karriera e tyre, për t’i mbajtur postet e tyre… Rastin e Degës së Kumanovës e pati marrë vetë ‹Ali Kjameti› dhe po shihet se çfarë ngatërrese ka prodhuar hiena. Ngushëllime familjes së shokut tonë të UÇK-së, Shqiponjës. I lus gjithë bashkëluftëtarët e UÇK-së që deri tani kanë përkrahur BDI-në të kenë kujdes që mos të bien pre e ngatërresave për këtë subjekt të cilin e udhëheqin hienat, se nuk kanë dert që vriten disa ish-ushtarë, vetëm e vetëm të mbajnë pushtetin në gjakun tuaj, me respekt shoku i juaj i UÇK-së Hoxha», ka reaguar Shaqiri.

Qenan Aliu, ish-zyrtar i Partisë për Prosperitet Demokratik, aktualisht publicist dhe analist, ka rikujtuar në fushatën që BDI-ja zhvillonte në periudhën 2006-2008 derisa ishte në opozitë. Edhe ai ka akuzuar kryesinë e partisë shqiptare në Qeveri.

«‹Ne (BDI-ja) nuk kemi plumba për të vrarë shqiptarë›, kjo ishte një thënie që në fushata u bë logo mashtrimi. Po ju lutem, të kujt janë këta plumba dhe armë, me të cilat jo vetëm që vriten e plagosen shqiptarë (militantë të një partie) në mes veti, bile vriten e plagosen shqiponja. Si është e mundur, një parti politike të eksploatojë në mënyrën më perfide, ndoshta sinqeritetin apo naivitetin e individëve të ndryshëm për joshje të një posti të pshurrtë për kryetarë dege. Kështu përçarje bëjnë matrapazët funksionarë në hierarkinë e partisë, që kanë ndikime në forma të llojllojshme, duke favorizuar apo inkurajuar grupime të ndryshme për këtë post të Degës. Ky është turp, Zoti do t’ju mallkojë», ka shkruar Aliu.

Për vrasjen ka reaguar edhe vëllai i të ndjerit, Xhelil Rexhepi. Ai në postimin në profilin e tij personal në Facebook ka qenë shumë i shkurtër, duke mos bërë komente mbi ngjarjen.

«Familjarë, miq e dashamirë sot ma kanë vra vëllain njëkohësisht edhe shokun e Luftës që e pata. Allahu Xhehnetin o Vëlla», ka shkruar Xhelil Rexhepi, i cili jeton dhe vepron në Vjenë të Austrisë. Ai ka postuar edhe një foto me vëllanë e tij «Shqiponjën» të shkrepur gjatë luftës së vitit 2001.