Përçarësi në rolin e pajtimtarit

Hashim Thaçi ka tubuar në një sallë në Prishtinë disa politikanë vendorë, ca pensionistë nga Europa dhe një grusht ambasadorësh për të filluar jo më pak se procesin e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve. Projekti do të kishte sukses nëse do të fillonte nesër - në Ditën e Shën Valentinit. Ndërsa Serbia zyrtare refuzon të bëjë një hap të vetëm pajtues ndaj shqiptarëve të Kosovës, nismat qesharake të Thaçit janë vetëm pjesë e agjendave të tij personale e private, që burimin e kanë te frika nga Gjykata Speciale.

Portrete të shqiptarëve të zhdukur. Foto: Shutterstock



Në ditën e 13 shkurtit 2017 Kosova filloi një proces historik – procesin e pajtimit me Serbinë dhe me serbët. Po këtë ditë nisi rekrutimi i anëtarëve të Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. 18 vjet pas luftës Hashim Thaçi dha urdhër të groposen sëpatat e luftës dhe shqiptarët dhe serbët t’i hidhen njëri-tjetrit në përqafim – në emër të pajtimit, afrimit, fqinjësisë së mirë, në emër të integrimeve europiane dhe botërore. Për këtë qëllim në një sallë në Prishtinë u tubuan disa politikanë vendorë, ca pensionistë nga Europa dhe një grusht ambasadorësh. Pra, të dyshimtit të rëndomtë. Projekti do të kishte sukses nëse do të fillonte nesër – në Ditën e Shën Valentinit. Do të ishte një ditë më e përshtatshme. Duket se presidentit i janë ngatërruar datat në kalendar. Por ky nuk është defekti i vetëm i kësaj nisme tipike për Hashim Thaçin. Ashtu siç e ka siguruar njohjen faktike të Kosovës nga Serbia me negociatat e tij në Bruksel, ashtu siç i ka hequr vizat për «15 muaj», ashtu siç i ka hapur 220 mijë vende të punës, ashtu siç e ka bërë Kosovën një Silicon Valley të Ballkanit sa i përket tekonologjisë informative – bash ashtu ai tani po e fillon procesin e tejkalimit të armiqësive shekullore mes shqiptarëve dhe serbëve.

Para se të fillojë këtë mision të madh presidenti tregoi se çfarë është bërë që nga viti 1999: «Kosova është ndërtuar. Janë ndërtuar qytetet, fshatrat, shtëpitë tona të shkatërruara. Janë ndërtuar institucionet demokratike dhe ato të sundimit të ligjit. Është themeluar policia, e cila sot konsiderohet si më e mira dhe më e drejta në Ballkan. Në fakt, në shikim të parë, sot në Kosovë gati se nuk sheh asnjë shenjë që tregon se vetëm dy dekada më parë këtu kishte luftë». Pas kësaj fasade të «molerit» politik Hashim Thaçi gjendet një Kosovë krejt tjetër. Një Kosovë nga e cila në dy-tri vitet e fundit kanë ikur mbi 100 mijë qytetarë. Një Kosovë me qytete të ndotura, pa investime, pa ekonomi prodhuese dhe pa perspektivë. Një Kosovë që përtej mitit mbi «policinë më të mirë në rajon» ballafaqohet me një polici joefektive në luftimin e krimit e korrupsionit, madje shpesh komandatët e saj janë vetë të kyçur në aktivitete të paligjshme. Një Kosovë me gjykatës dhe prokurorë, të cilët bëjnë pazare me lëndë jashtë zyrave të institucioneve të drejtësisë. Një Kosovë me deputetë që më shumë janë përfaqësues të krimit të organizuar se sa të popullit në Kuvend.

Gjithmonë është mirë të flitet për pajtim. Por në rastin e Kosovës pajtimin nuk mund as ta inicojë, as ta bëjë përçarësi që merr rolin e pajtimtarit. Pikësëpari pa arritjen e pajtimit mes shumicës shqiptare, as që mund të bëhet fjalë për pajtim me serbë. Nëse Lidhja Demokratike e Kosovës i keqpërdorë të vrarët e pasluftës për të viktimizuar veten me qëllim të përfitimit të poenëve politikë, janë familjet dhe shtresa të gjera të shoqërisë që nuk lejojnë një gjë të tillë. Asnjë shoqëri e shekullit XX nuk e ka gjetur qetësinë pa ndriçimin e krimeve politike. Dhe të tilla në Kosovë ka pasur gjatë dhe pas luftës. Këtë shoqëri e ndan një pellg gjaku – në njërën anë janë ata që duke vrarë njerëz të pafajshëm erdhën në pushtet (dhe këtu sidomos partia e presidentit ka luajtur një rol të ndyrë), në anën tjetër ata që nuk patën guxim apo mundësi t’i kundërvihen të keqes, u pajtuan me të, heshtën, u dorëzuan. Rrjedhimisht, Hashim Thaçi sot mund të dërdëllit edhe këso fjalësh cinike: «Dhe në luftë kam ndërtuar bindjen që të angazhohem që të mos lejoj që ato tmerre të përsëriten më». Dy dekada më vonë, pasi në Kosovë kanë ndodhur aq shumë tmerre, Thaçi i tregon opinionit se – në të vërtetë – gjatë luftës paskësh vendosur që tmerret të mos përsëriten më. Cili ishte kontributi i tij për pengimin e tmerreve? Ndoshta më e drejtë është pyetja: cili ishte kontributi i tij në shkaktimin e tmerreve? A mund t’i prijë pajtimit një person, i cili pasi ka zënë vend në kolltukun e presidentit pothuaj nuk bën gjë tjetër përveç se zgjidhjen e ngatërresave personale, duke i «rregulluar» ato me dhënie dekoratash, me «hajmali» presidenciale, me pjesëmarrje në «akademi përkujtimore»? Përgjigjet në këto pyetje do t’i kuptojmë nga Gjykata Speciale.

Kur në mesin e shqiptarëve Thaçi është figurë aq e diskutueshme, aq e kontestuar, mund të merret me mend sa seriozisht merret në opinion përpjekja e tij e dëshpëruar dhe absurde për t’u dukur një lloj Nelson Mandele kosovar. Parakusht për të luajtur një rol të tillë është – në radhë të parë – kredibiliteti moral, i cili i mungon Thaçit. Ai sot flet për dialog, pajtim, kundër hakmarrjes dhe kundër përsëritjes së të kaluarës, për një «fillim të ri» dhe kështu me radhë, një vokabular monoton i mësuar përmendësh në «workshopet» e atyre diplomatëve që nuk dallojnë viktimën nga agresori. Thaçi flet për falje, por pa treguar se çfarë duhet të falë pala shqiptare. Të shohim njëherë cilat krime i ka kryer pala shqiptare, atëherë mund të diskutohet edhe për këtë çështje.

Iniciativa e Thaçit për kinse pajtim vjen në një kohë kur Serbia po e zgjeron narrativin se në Kosovë të gjithë kanë kryer krime dhe se shteti serb nuk bart asfarë përgjegjësie për terrorin në Kosovë. Siç tregoi një dosje e publikuar së fundi nga Fondi për të Drejtën Humanitare rreth 110 zyrtarë serbë kanë marrë pjesë në transportimin e qindra viktimave shqiptare në Serbi në vitin 1999, por asnjë prej tyre nuk është dënuar. Madje në varrezat masive me shqiptarë në Serbi as sot e kësaj dite nuk ka një pllakë të vetme përkujtimore, e cila do të nderonte viktimat. Këta njerëz janë vrarë në Kosovë, janë varrosur në Kosovë, pastaj janë zhvarrosur dhe janë dërguar 400 kilometra larg vendit të krimit me qëllimin e dukshëm për të fshehur dëshmitë. Ndërkohë gjuha raciste ndaj shqiptarëve nuk po «shkëlqen» vetëm në ballinat e revolver-gazetarisë serbe. Edhe vetë kryeministri Aleksandër Vuçiq duke komentuar konfliktin me trenin e stolisur me parulla nacionaliste i krahasoi shqiptarët me fiset indiane. Ndërsa Serbia zyrtare refuzon të bëjë një hap të vetëm pajtues ndaj shqiptarëve të Kosovës, nismat e Hashim Thaçit janë vetëm pjesë e agjendave të tij personale e private, që burimin e kanë te frika nga Gjykata Speciale.