Përbindëshat perversë

Ngacmimi seksual është një nga krimet më të përhapura në botë, sidomos në botën e të pushtetshmëve. Rasti i producentit të filmave Harvey Weinstein zbulon një humnerë të thellë. Athua si është përditshmëria në botën shqiptare sa i përket ngacmimit seksual? Duhet të jetë e llahtarshme.

«Pushteti është si alkooli», thotë psikologu gjerman Jo¬r¬is Lam¬mers. «Rruga më e mirë për t’i penguar burrat nga keqpërdorimi i pushtetit është t’u bëhet e qartë se mund të humbin pushtetin». Si mund të bëhet kjo? Duke i denoncuar përbindëshat perversë. Foto: Shutterstock



Edhe unë. Edhe unë. Edhe unë. #Me­Too. Me këtë sllogan gratë anembanë botës po flasin e po shkruajnë për përvojat tejet të pakëndshme nga jeta e tyre: ngacmimin seksual në jetën e përditshme, në vendin e punës, në park, në zyrë, në transportin publik. Debati (ri)filloi pasi u bë e ditur se producenti i filmave Harvey Weinstein, një figurë me ndikim në Hollywood, ka ngacmuar e keqpërdorur disa gra, kryesisht aktore. Weinstein ka shfrytëzuar pushtetin e tij si producent me ndikim për t’u bërë presion grave për shërbime intime që i shkrepnin në mendjen e tij perverse.

Si ndihet një grua e ngacmuar? Këtë mund të na e shpjegojë vetëm një grua, për shembull Khuê Pham. Kjo gazetare shkruan në numrin e fundit të gazetës «Die Zeit» mbi një përvojë personale: «Një mbrëmje në Berlin, po ecja shkallëve drejt metrosë. Në platformën mes daljes dhe peronit drejt meje vinte një burrë, ia pashë sytë e skuqur, pastaj e harrova sërish. Po mendoja mbi koreografinë që e kishim ushtruar pak më parë gjatë vallëzimit, kur befas më përqafoi dikush nga prapa. Dikush nga shkolla e vallëzimit?
<Hej>, bërtita unë. Asnjë përgjigje.
Është burri që e pashë më parë, ai më shtrëngon. Një trup i huaj në trupin tim, ai ngjishet pas meje.
<Ç’është kjo?! Lëshomë!>
Nga poshtë dëgjoj jehonën e zërave të njerëzve të huaj që ngjiten nga peroni. Por këtu në këtë platformë nuk është askush. Vetëm ai.
Ai fillon të lëvizë prapanicën, duke e shtyrë. Athua e ka ndërmend të më dhunojë? Këtu, në këtë stacion të metrosë? Përpiqem të shkëputem prej tij, por ai është më i fuqishëm se unë. Rrëmujë. Psherëtimë. Dikush duhet të na dëgjojë dhe të ma heq nga trupi këtë njeri të dehur, të pagojë. Hapa gojën dhe bërtita. Bërtita aq shumë, saqë jehona e zërit u dëgjua nëpër stacion.
Askush s’erdhi.
Ai më lëshoi. Vrapova poshtë.
Për fat të keq atëherë nuk munda t’i them më shumë policisë për të.
Për fat të keq nuk mund t’i thosha më shumë për ty policisë. Qelbësirë».

***

Qelbësira nuk ka vetëm në platforma të stacioneve të trenit apo autobusëve. Të shtunën gazetat zvicerane njoftonin për një austriak, i cili ishte ndaluar pasi një detektiv i policisë e kishte vërejtur duke e mbajtur telefonin e tij nën fustanin e një gruaje me qëllim që të fotografonte apo incizonte. Qelbësira ka edhe në vendin e punës. Aso burrash perversë që gratë i reduktojnë në objekte seksuale. Harvey Weinstein nuk është rast i izoluar. «Nuk është ai (Weinstein) skandali, por epoka patriarkale, në të cilën regjisorët, producentët, botuesit, filozofët dhe kryeredaktorët kishin përshtypjen se janë sundimtarët e universit», shkruan kritikja e njohur letrare gjermane Iris Radisch në numrin e fundit të «Die Zeit». Sipas saj revolucioni seksual i filluar në vitet ’60 përfundoi në seksizëm të ri. Në skena të teatrit dhe në filma artistet shfaqeshin për herë të parë të zhveshura. Kështu ranë disa tabu. Filozofi i majtë Jean-Paul Sartre lejonte që partnerja e tij Simone de Beauvoir t’ia sillte në shtrat studentet e saj. Kryeredaktorë që e mbanin veten për progresivë si Rudolf Augstein i «Der Spiegel» i prisnin sekretaret në pelerinë nate prej mëndafshi, kur ato vinin të konkurronin për një vend pune.

***

Athua si është përditshmëria në botën shqiptare sa i përket ngacmimit seksual? Duhet të jetë e llahtarshme duke pasur parasysh se – me ndonjë përjashtim – politika, kompanitë e mëdha, universitetet, shtëpitë mediale dominohen nga burrat. Dhe jo rrallë nga burra që pushtetin e tyre e ushtrojnë me shkumë në gojë sapo të shohin një grua, të cilës i vërsulen me gjoja komplimente – në të vërtetë janë llafe vulgare e seksiste që denigrojnë dinjitetin e gruas. Nuk është legjendë e sokakëve dhe kafehaneve që ka profesorë që i shantazhojnë studentet: notën në shkëmbim të shtratit. Nuk është legjendë se ka «firmasha» që me rastin e pranimit të një gruaje në punë më shumë përqendrohen te atraktiviteti i saj trupor se te kualifikimi. Nuk është legjendë e sokakëve dhe kafehaneve se shumë gra kanë frikë të hyjnë në ashensor me një burrë të panjohur nga frika se në vend se burri t’i thotë «mirëdita» menjëherë përpiqet të demonstrojë instinktet e tij të ulëta të mëzatit. Aspak nuk është legjendë se neveritshëm shumë biseda burrash, madje edhe kur takohen për herë të parë, sillen e pështillen rreth përgojimit të grave. Nuk është legjendë se shumë burra me pushtet papritmas ia hedhin krahun koleges në zyrë gjoja për t’i ndihmuar të plotësojë një tabelë në Microsoft Exel.

***

Kundër kësaj bote primitive burrat duhet të thyejnë heshtjen. Nuk mjafton vetëm protesta e grave. «Pushteti është si alkooli», thotë psikologu gjerman Jo­r­is Lam­mers. «Rruga më e mirë për t’i penguar burrat nga keqpërdorimi i pushtetit është t’u bëhet e qartë se mund të humbin pushtetin». Si mund të bëhet kjo? Duke i denoncuar përbindëshat perversë.