Për xhaminë dhe dështimet e tjera arkitektonike

Konkursi për Xhaminë Qendrore të Prishtinës duhet të rishpallet në mënyrë që të mos përsëriten gabimet e deritanishme.

Detaj arkitektonik. Foto: Shutterstock



I.
Kam shkruar kundër ndërtimit të Katedrales në Prishtinë jo për shkak se kam diçka kundër fesë që simbolizon ajo ngrehinë. Kam shkruar kundër modelit të papërshtatshëm të objektit, pamjes dominuese dhe jashtë kontekstit urban të qendrës së Prishtinës. Katedralja, siç ka nënvizuar vite më parë arkitekti nga Zagrebi, Lulzim Kabashi, «për fat të keq nuk është duke u ndërtuar sipas modelit profesional».

Kam shkruar kundër synimeve të Bashkësisë Islame të Naim Tërnavës për të ndërtuar nja 100 dyqane në Prishtinë dhe duke vendosur disa minare mbi to pastaj të mashtrojë besimtarët se në Prishtinë u ndërtua një xhami. Kam kërkuar që objekti i xhamisë të jetë në përputhje edhe me ambientin tonë, traditën tonë, ambiciet tona për të qenë shoqëri tolerante dhe e hapur ndaj vlerave humane dhe kundër përdorimit të fesë për pazare politike dhe antikombëtare. Nuk e fsheh se kam pasur qejf që në konkurs të fitojnë projektet e arkitektëve shqiptarë që kanë bërë karrierë në Kosovë apo jashtë Kosovës, me një fjalë të tillë që kanë referenca respektabile dhe të cilët e njohin më së miri historinë jo vetëm urbane të Prishtinës. Sepse në historinë e zhvillimit të arkitekturës kudo në botë për të promovuar arkitekturën si kulturë është e domosdoshme t’u jepet shans edhe profesionistëve lokalë. Peter Zumthorin e famshëm së pari e ka përkrahur Zvicra, pastaj ai ka bërë karrierë ndërkombëtare.

Për fat të keq projektet e mira për xhaminë e Prishtinës, të punuara nga arkitektët kosovarë, nuk u morën parasysh nga Bashkësia Islame e Kosovës. Një juri e dobët profesionalisht nuk e ndau fare vendin e parë. Dy vendet e dyta i ndanë një projekt i një studioje nga Sllovenia dhe projekti i një kompanie turke, prapa të cilit besohet se qëndron TIKA, agjencia shtetërore turke për bashkëpunim dhe koordinim ndërkombëtar. Pastaj Bashkësia Islame, pa debat publik, vendosi të miratojë projektin e palës turke – me gjasë duke shpresuar se turqit kanë para dhe e ndërtojnë xhaminë për 24 orë.

Kam shkruar kundër projektit për të ashtuquajturën «Opera Ibrahim Rugova». Pas një pseudokonkursi të organizuar në mënyrë mafioze nga zyrtarët të papërgjegjshëm të LDK-së, fitoi projekti i një arkitekti të panjohur nga Berlini. Mbi një milion euro janë harxhuar (ose thënë më mirë: janë bërë rrush e kumbulla) për këtë projekt të shpifur. Natyrisht objekti nuk shihet askund, sepse nuk është punuar në mënyrë profesionale.

Kam shkruar kundër modeleve qesharake të përmendores së Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës. Nuk kam qenë i vetmi. Fatmirësisht pas presionit të shumë figurave të jetës publike, konkursi u rishpall dhe u bë një përzgjedhje më e pranueshme. Modelet e Rugovës që e paraqitnin atë si «besheret» përfunduan në bërllok.

Kam shkruar vazhdimisht kundër stilit socrealist të përmendoreve të luftëtarëve të UÇK-së anekënd Kosovës dhe emërimit të rrugëve pa asnjë kriter, duke lënë anash personalitete të rëndësishme të Kosovës dhe duke favorizuar njerëz që përkundër meritave që mund të kenë për çlirimin e Kosovës nuk duhet të zaptojnë krejt hapësirën publike dhe kështu të shlyhet kujtesa historike e Kosovës.

Vazhdoj të jem kundër që Aeroporti i Prishtinës të bart emrin e Adem Jasharit, sepse gati asnjë qytetar i huaj që aterron në Prishtinë nuk e ka të qartë për kë bëhet fjalë. Aeroportit më për shtati do t’i shkonte emri i Ibrahim Rugovës për shkak se ka qenë i njohur në arenën ndërkombëtare që nga viti 1989. Pastaj ekziston një traditë që aeroportet të marrin emrat e burrave të shtetit. New Yorku e ka aeroportin John F. Kennedy, Washingtoni e ka aeroportin Ronald Reagan, Parisi e ka aeroportin Charles de Gaulle, Praga e ka aeroportin Valcav Havel, aeroporti i ri i Berlinit do të bart emrin e kancelarit Willy Brandt, Hamburgu e ka aeroportin Helmut Schmidt, edhe ky kancelar gjerman. Pas vdekjes së Helmut Kohlit muajin e kaluar, në mediat gjermane u propozua që aeroporti i Frankfurtit të bart ermin e kancelarit të bashkimit gjerman.

II.
Një grup qytetarësh, shumica aktivistë të shoqërisë civile (ose thënë më qartë: njerëz që nuk janë indiferentë ndaj barbarisë urbane që ka pllakosur Prishtinën sidomos pas luftës së fundit), këto ditë kanë lansuar një peticion, përmes të cilit kërkojnë që Xhamia Qendrore e Prishtinës të ndërtohet sipas ligjit dhe kritereve. Nënshkruesit dhe nënshkrueset shprehimisht theksojnë se nuk janë kundër ndërtimit të xhamisë, por për një model që i përshtatet kontekstit kosovar. Modeli i zgjedhur nga Bashkësia Islame e Kosovës është i importuar dhe që nga fillimi ka munguar transparenca, e cila është e nevojshme kur bëhet një ndërhyrje e tillë aq e madhe mes dy lagjeve – Ulpianës dhe Dardanisë -, të cilat në vitet ’70 janë ndërtuar sipas kritereve të atëhershme që janë aplikuar kudo në Europë. Nisma për të rishqyrtuar modelin e xhamisë së Prishtinës nuk ka qëllim dashakeqës, aq më pak antiislamik, siç mund të shpifin njerëz të papërgjegjshëm në livadhin e madh virtual të quajtur Facebook. Qëllimi është që një objekt sakral të jetë në shërbim të besimtarëve, por njëkohësisht të jetë edhe në harmoni me objektet e zonës. Nëse janë bërë lëshime profesionale me rastin e ndërtimit të Katedrales, atëherë së paku të mos lejojmë që kjo të përsëritet në rastin e Xhamisë Qendrore të Prishtinës. Për shkak të shumë parregullsive konsideroj se konkursi për xhaminë duhet të përsëritet. Që kjo të bëhet, komuna e Prishtinës duhet të marrë iniciativën. Ajo e ka dhënë tokën për ndërtimin e xhamisë dhe ka plotësisht të drejtë të thotë mendimin e vet profesionist, kuptohet në bashkëpunim me Bashkësinë Islame, me arkitektë dhe me shoqërinë civile.

III.
Sado që duket atraktive të kërkohet që projekti turk të zëvendësohet me projektin e Zaha Hadidit, mendoj se një veprim i tillë do të ishte gabim. Arkitektja irakiane, e cila bëri karrierë ndërkombëtare, sigurisht ka meritat e veta, por po ashtu është e vërtetë se në Europë ajo ka ndërtuar kryesisht në zona periferike (për shembull Muzeu i Arteve të Shekullit ’21 në Romë, stadiumi i notit në Londër, një kërcimore e skive në Austri). Në vitet e fundit (Hadid vdiq në vitin 2016) ajo ka punuar kryesisht në Azi. Në Azerbajxhan ka ndërtuar Qendrën Hajdar Alijev, në Guangzhou të Kinës Shtëpinë e Operës. Profesionistë kosovarë, të cilët kanë bërë karrierë lokale dhe ndërkombëtare, projektin e Zaha Hadidit për xhaminë e Prishtinës e shohin me sy kritik për shkak se nuk është në harmoni me objektet e zonës. Nëse patjetër kërkohet një model i xhamisë që bashkon vlerat arkitektonike të orientit dhe oksidentit, atëherë le të shikohet pak Xhamia e Romës, e cila është projektuar nga arkitekti italian Paolo Portoghesi. Sipas profesionistëve të Shkollës së Lartë Teknike të Zürichut (ETH) me këtë objekt sakral Portoghesi në mënyrë simbolike ia ka dhënë islamit çelësat e Qytetit të Përjetshëm, siç quhet Roma. Arkitektja zvicerane Rahel Hartmann shkruan në një punim shkencor: «Dialektika e jashtme mes polit të qetë të natyrës dhe trafikut që qarkullon ka edhe një logjikë të brendshme. Dialogu i vetmuar me Allahun në xhami reflektohet në foaje – duke iu referuar tipologjisë së korridorit të hapur me harqe -, dhe pastaj gjen jehonë në dialogun ndërkombëtar në sallën e kongreseve».

IV.
Në debatet e fundit në Prishtinë mbi xhaminë është përmendur si shembull ndërtimi i xhamisë në Rijekë të Kroacisë. Ky nuk është kurrfarë shembulli. Ndonëse një studio arkitektonike kroate e ka fituar konkursin, Bashkësia e atjeshme Islame e ka injoruar projektin dhe bashkë me skulptorin Dushan Xhamonja ka ngritur një objekt, i cili në botën e kritikëve të arkitekturës në Kroaci nuk shikohet me sy të mirë. Ka një shembull pozitiv afër Kroacisë sa i përket ndërtimit të objekteve sakrale: në Visoko të Bosnjës, arkitekti kroat Zllatko Ugljen në vitin 1980 ka përfunduar ndërtimin e Xhamisë së Bardhë, e cila më 1983 mori çmim «Aga Khan», ndërsa më 2007 nga një grup arkitektësh hungarezë u përzgjodh në mesin e tri ndërtesave më të mira sakrale në Europë. Xhamia në Visoko u ndërtua në stil dhe frymë moderne.

Sigurisht imamët janë të zotët të interpretojnë Kuranin, siç dinë priftërinjtë të lexojnë Biblën më mirë se laikët, por ashiqare teologët nuk duhet të merren edhe me arkitekturë. Kjo është punë profesionistësh. Meqë në dy dekadat e fundit në Kosovë është shkatërruar gati çdo institucion që merret me punë profesionale, Prishtina sot në çdo konkurs ndërkombëtar mund të fitojë trofeun e kaktusit për shëmti arkitektonike. Shikojeni Institutin e Historisë, një interpretim ballkanik i Zaha Hadidit, shikojeni ndërtesën e «rinovuar» të Rilindjes sipas modeleve të Kazakistanit, Akademinë e Shkencave dhe Ministrinë e Arsimit dhe shumë objekte të tjera. Debati për xhaminë duhet të ketë për qëllim krijimin e hapësirës që në projekte të rëndësishme publike të kyçen profesionistët, pa e mohuar rolin e çdokujt që dëshiron të angazhohet për një ambient urban të jetueshëm dhe – pse jo – edhe reprezentativ. Si çdo debat për çështje publike në Kosovë edhe debati i fundit për xhaminë menjëherë u politizua skajshëm. Militantë partiakë shkuan aq larg, saqë përhapën gënjeshtrën se nënshkruesit e peticionit paskëshin vepruar me porosi të kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti. Kjo është një ligësi e madhe, sepse kur janë bërë shëmtitë më të mëdha arkitektonike në Prishtinë, Shpend Ahmeti nuk ka qenë fare i kyçur në politikë. Detyrë e tij tani është të korrigjojë gabimet që kanë bërë paraardhësit e tij. Për këtë i pari i Prishtinës meriton mbështetjen e qytetarëve, përfshirë edhe të besimtarëve myslimanë, të cilët nuk duhet t’u besojnë fushatave propagandistike të tyxharëve politikë.