Për viktimat nuk flet askush – dhe ky është turpi i shoqërisë kosovare

Ndërsa tërë debati fokusohet në teori komploti rreth Gjykatës Speciale, në opinionin publik kosovar nuk flitet për arsyen themelore të krijimit të kësaj gjykate: dështimin e Kosovës të ndëshkojë kriminelët e luftës dhe pasluftës dhe t’i trajtojë me dinjitet viktimat, pa marrë parasysh etninë e tyre.

Foto: Shutterstock



Kush do të akuzohet? Kush nuk do të akuzohet? Kush do të jetë dëshmitar? Ku janë dëshmitarët e mbrojtur? A janë akredituar avokatët në Gjykatën Speciale? Kush e përgatiti planin për pezullimin e Gjykatës Speciale – presidenti apo kryetari i Kuvendit? Apo të dy bashkë të përkrahur nga kryeministri? A u mashtruan apo jo deputetët kur u mblodhën nënshkrimet për seancë të jashtëzakonshme? Me këto dhe pyetje të tjera është marrë opinioni i Kosovës këto ditë, përfshirë edhe mediat.

Njëkohësisht është injoruar pothuaj plotësisht arsyeja përse u themelua kjo gjykatë. Arsyeja është kjo: dështimi i Kosovës të ndëshkojë kriminelët e luftës dhe të pasluftës. Në radhë të parë gjykata është themeluar për viktimat, pasi raportues, hetues dhe prokurorë me autoritet ndërkombëtar kanë mbledhur mjaft dëshmi të cilat tregojnë se në Kosovë – krahas krimeve pakrahasueshëm më të mëdha të agresorit nga Beogradi – krime kanë kryer edhe disa pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Për këto krime është pëshpëritur gjatë në Kosovë, por vetëm privatisht. Frika nga kërcënimet dhe pasojat e tjera edhe më të rënda i ka bërë njerëzit (sidomos dëshmitarët!) të heshtin, të mos flasin publikisht një kohë të gjatë. Viteve të fundit për këtë kapitull të errët herë pas herë kanë shkruar e raportuar mediat, por me kaq ka mbaruar muhabeti. Dëshmitarët janë shikuar si tradhtar, në vend se të çmohej guximi i tyre. Viktimat kryesisht janë injoruar. Sepse t’u kushtosh vëmendje viktimave domethënë pashmangshëm të kërkosh edhe sjelljen e të dyshuarve para drejtësisë. Nganjëherë të dyshuarit mund të jenë edhe figura me shumë pushtet, para dhe mbase edhe merita për çlirimin e Kosovës. Andaj jo pak gazetarë apo aktivistë të shoqërisë civile në Kosovë preferojnë të heshtin, ndoshta mendojnë pak a shumë kështu: lufta ka qenë çlirimtare, rrjedhimisht s’ka pasur mundësi të jetë kryer ndonjë krim, por nëse është kryer ndonjë krim, atëherë me siguri dorasit kanë pasur arsye të vrasin dikë – për shembull – ndonjë rom apo serb për shkak se ata i kanë shërbyer regjimit të Beogradit. Në të shumtën e rasteve në të vërtetë bëhet fjalë për civilë të burgosur, keqtrajtuar dhe vrarë. Që UÇK kishte burgje torturuese (që disa me gjuhë përkëdhelëse i quajnë qendra të ndalimit) dihet tashmë. Disa nga këto «qendra» kanë qenë në Kosovë, të tjerat në Shqipëri. Mediat serbe kanë shpifur shumë në lidhje me këto burgje, por nuk ka shpifur BBC. Përveç pjesëtarëve të zhdukur të pakicave (supozohet rreth 500) ka edhe shqiptarë të vrarë – në të shumtën e rasteve për shkak se ishin rivalë politikë apo kritik të disa veprimeve të UÇK-së.

Shoqëria kosovare gati 20 vjet ka bashkëjetuar me njerëz të dyshuar për këto krime, jo pak prej të dyshuarve kanë bërë karrierë politike, janë bërë ligjvënës ose kanë marrë detyra të larta në pushtetin ekzekutiv. Dhe pas gati 20 vitesh ka njerëz (të vetëquajtur patriotë) që thonë: Gjykata Speciale e përlyen luftën çlirimtare. E ku ishin këta njerëz, këta kalemxhinj që nga viti 1999? Tani disa prej tyre kërkojnë që të dyshuarit për krime të dënohen në Kosovë. Kur gjërat me Gjykatën Speciale kanë shkuar larg dhe zhbërja e saj duket e pamundshme, befas patriotët e botës digjitale angazhohen për trajtimin juridik të krimeve të luftës. Kësaj i thonë veçse hipokrizi.

Ballafaqimi me të kaluarën nënkupton të drejtën për të vërtetën, të drejtën për drejtësi, të drejtën për zhdëmtim dhe dhënien e garancive për mospërsëritjen e krimeve. Paralelisht me këtë duhet të etablohet një kulturë e kujtimit, e cila nuk lë hapësirë për manipulime për interesa të politikës ditore. Shoqëria kosovare i ka humbur dy dekada për t’u ballafaquar me të kaluarën. Çmimin e paguajmë sot. Është një ironi e hidhur e historisë që në 10 vjetorin e shpalljes së pavarësisë një pjesë e madhe e liderëve do të flasin si robotë për «sukseset e Kosovës», ndërsa mendjen do e kenë tjetërkund. Edhe në të kaluarën, por edhe në këtë 10 vjetor të mëvetësisë së vështirë Kosova ka merituar të ketë udhëheqës të tjerë, të cilët pa frikë për fatin personal dhe me krenari për veprën e tyre do të tregonin para botës se pavarësia e Kosovës hyn në listën e sukseseve të mëdha të Perëndimit në çerekshekullin e fundit, siç janë rrëzimi i Murit të Berlini, rënia e regjimeve komuniste në Europën Lindore, triumfi i demokracisë, anëtarësimi i pjesës më të madhe të tyre në BE dhe në NATO.