Për ushtarin e panjohur që luftoi për liri dhe për ata që ia përdhosin lavdinë

Luftëtarët e vërtetë të UÇK-së duhet të distancohen nga mashtruesit. Luftëtarët e vërtetë duhet të kërkojnë ndëshkimin e atyre që duke marrë ilegalisht para nga buxheti i Kosovës duan ta shndërrojnë UÇK-në nga një lëvizje të domosdoshme çlirimtare në turmë grabitqare. Kosova nuk ka para për mashtrues! Nëse disa komandantë liria i bëri kusarë të mëdhenj, ju, luftëtarë të vërtetë, bashkohuni dhe mbroni vlerat për të cilat keni luftuar.

Foto: Shutterstock



Më 25 shkurt 1969 studenti çek Jan Zajíc i hodhi vetes benzinë në njërën prej shtëpive afër sheshit Václvské náměstí të Pragës dhe pastaj ia vuri flakën vetes. Ai qëllimisht kishte ndjekur shembullin e Jan Palachut, po ashtu student çek, i cili në janar të po atij viti kishte djegur veten në shenjë proteste kundër pushtimit të vendit të tij nga trupat e Bashkimit Sovjetik.

Në një poezi kushtuar Jan Palachut studenti Jan Zajíc shkruante: «Një pasdite tekanjoze. / Atë e bartin pranë nesh, më i rëndësishëm se Prometeu. / Sytë si pendët e shkallmuara. / Qaj – nën shi – në trotuar. / Gjithçka vajtoj. / Njëzet e një vitet, / lulen e rinisë të shkelur, / njeriun që refuzoi të kthehet prapa, / (…) Është janar 69.»

Mund të ketë qenë janar i vitit 1999 ose tetor i vitit 1998. Kjo nuk është me rëndësi. Studenti i panjohur ishte nisur nga Prishtina për të shkuar në fshatin e lindjes. Rrugës, në hyrje të fshatit, ishte ndalur dhe rrahur nga policia serbe. Si mijëra e mijëra shqiptarë të tjerë. Pas kësaj përvoje poshtëruese studenti i panjohur u bë ushtar i panjohur. Mori pushkën dhe luftoi për liri. Nuk e pa ditën e lirisë, ra në fushë të betejës kundër forcave serbe. Njëzet e një vitet e jetës së tij, lulen e rinisë së këputur – nuk ka kush ta vajtojë e kujtojë. Shokët e tij, shumica, i kanë harruar idealet, ndërkohë ideal i jo pak njerëzve në Kosovë është bërë vjedhja e mashtrimi. Rasti i fundit me veteranët mashtrues nuk paraqet përjashtim. Është bërë tashmë rregull. «Për besë je bë mafi» – ky është komplimenti më i dëgjuar që komandantët pa ideale ia bëjnë njëri-tjetrit.

E zhveshur nga idealet dhe e etur për pushtet të përjetshëm e para pafund kjo kastë komandantësh lëre që ka harruar luftëtarët e vërtetë, por ka kurdisur aferën e radhës: i ka regjistruar 50 mijë veteranë të luftës. Kush e vë në dyshim këtë shifër, goditet ashpër nga krerët e shtetit, nga komandantët. Por, edhe në kohën e frikësimit të një prokurori që ka bërë hapat e parë për të hetuar veteranët mashtrues, ka njerëz që po e thonë të vërtetën. Nexhat Llumnica, luftëtar i UÇK-së, tha se nuk janë më shumë se 14 mijë veteranë të UÇK-së. Sylejman Selimi, luftëtar dhe komandant i UÇK-së, ta se nuk janë më shumë se 12 mijë veteranë të UÇK-së. Jakup Krasniqi, zëdhënës i UÇK-së dhe ish-kryetar i Parlamentit, tha se nuk janë më shumë se 12 mijë veteranë të UÇK-së.

Pa marrë parasysh motivet e deklaratave të tilla, është mirë që ende ka figura të ish-UÇK-së që refuzojnë ta shndërrojnë luftën çlirimtare në tregti me numra. Luftëtarët e vërtetë të UÇK-së duhet të ndjekin shembullin e tre të lartpërmendurve. Duhet të distancohen nga mashtruesit dhe të kërkojnë ndëshkimin e atyre që duke marrë ilegalisht para nga buxheti i Kosovës duan ta shndërrojnë UÇK-në nga një lëvizje të domosdoshme çlirimtare në turmë grabitqare. Kosova nuk ka para për mashtrues! Nëse disa komandantë liria i bëri kusarë të mëdhenj, ju, luftëtarë të vërtetë, bashkohuni dhe mbroni vlerat për të cilat keni luftuar. Përndryshe do të jeni bashkëpjesëmarrës në vjedhje. Dhe respekti për luftën tuaj do të zbehet. Kjo nuk është as në interesin tuaj, as të Kosovës.