Për të ardhmen

Votimet e së dielës janë për këtë të ardhme të imagjinuar nga mendje të cilat, në delirin e madhështisë, shesin vizionin e tyre miop dhe përfitimin personal si sakrificë për të nesërmen e Shqipërisë.

Foto: Shutterstock



Filmi Chinatown nis rëndom si një film policesk, por shpejt bëhet e qartë se vrasja me të cilën fillon është thjesht një instrument për të ekzaminuar korrupsionin në Los Anxhelos si dhe manovrat politike për të privatizuar gjithçka, përfshi edhe ujin. Në një moment kyç në film, personazhi kryesor, detektivi Gittes, bisedon me personin përgjegjës për aferat korruptive dhe, i ulur në kopshtin e pasur të këtij të fundit, e pyet se përse dikush që ka edhe pushtete dhe pasuri groteske vazhdon me afera të tilla. Përgjigjja që merr është: «Për të ardhmen, Z. Gittes, për të ardhmen», gjë që më ngjan – si nga shprehja ashtu dhe konteksti – me parullat ogurzeza, pseudo-progresive të thuajse çdo politikani në Shqipëri. Janë ogurzeza pasi premtojnë të ardhmen e një elite të korruptuar dhe kriminalizuar më gjerë, dhe jo ndonjë të ardhme sadopak dinjitoze për shqiptarët. Votimet e datës 25 janë për këtë të ardhme të imagjinuar nga mendje të cilat, në delirin e madhështisë, shesin vizionin e tyre miop dhe përfitimin personal si sakrificë për të nesërmen e Shqipërisë.

Për ne, zgjedhjet janë të humbura sidoqoftë rezultati. Nga njëra anë është partia e drejtuar nga një person i cili në paaftësi për vetë-reflektim, në pa dëshirë për të pasur një program specifik dhe norma të qëndrueshme, ia vë fajin për qeverisjen e dështuar kujtdo përveç vetes. Në një moment që shërben si metaforë e goditur e vanitetit, vetëkënaqësisë, kapadaillëkut, dhe mosreflektimit, ky lider i cili pak ditë më parë mori pjesë në një takim të lartë të NATO-s me tuta sporti, kalon një pjesë të konsiderueshme të fushatës duke u tallur me pantallonat e dokut të kundërshtarit. Një moment çiltërsie, sidoqoftë, pasi janë ndoshta e vetmja gjë që i dallon. Në anën tjetër është partia e drejtuar nga dikush që nuk ka as edhe një akt të suksesshëm gjatë periudhës si kryetar bashkie, por vetëm skandale në çdo ministri që drejtoi. Gjithsesi, me meritën e vetme se u piketua si trashëgimtar nga lideri historik i të djathtës, ai kërkon që t’i besojmë drejtimin e vendit. Më në fund, partia e tretë drejtohet nga një person për të cilin mjafton të thuhet se, në kushte të një shteti funksional, duhet t’i shihte këto zgjedhje nga qelia dhe jo nga shkallët presidenciale.

E megjithatë, sondazhet e fundit – i marrim si të besueshme – nxjerrin PS-në fituese me mbi 40% të votave, dhe dy partitë e tjera me një numër të konsiderueshëm votash. Absurditeti me të cilin ballafaqohemi ka kohë që është normalizuar. Përveç pakicës që përfiton drejtpërdrejtë nga lidhjet partiake, shumica e shqiptarëve të dielën do të votojnë kundër interesave të tyre. Që në fillim të viteve 1990, shumë prej nesh u ndanë në dy kampe, «demokrat» apo «socialist», dhe për shumë njerëz ky identitet i ka qëndruar besnik partive pavarësisht humnerës që ndan ideologjinë apo planin teorik të tyre nga ajo që kemi parë në praktikë.

Fotot cinike të fushatave të postuarave nga politikanët nëpër mediat sociale dhe ngrohtësia me të cilën priten nga njerëzit– sidomos në shumë zona ku situata ekonomike jo vetëm që është përmirësuar pak që nga fundi i diktaturës, por trajektorja e të ardhmes do t’u sigurojë një pozitë ekonomikisht të diskriminuar për breza me radhë – janë thjesht simbol i votimit tribal (sipas identitetit politik) si dhe abuzimit nga ana e politikanëve me këtë naivitet. Kryeministri referon shpesh «një milion shuplakat» si provë e mbështetjes popullore dhe si licencë për të bërë si do. Por shumica e njerëzve nuk votojnë me njohuri të plotë të programeve ekonomike: kjo do të ishte e vështirë edhe nëse do të kishte një program (nuk ka) dhe ky të ishte komunikuar qartë. Për më tepër, në kushte ku mendimi kritik i mungon edhe shumicës së arsimuar, kjo bëhet akoma më e pamundur. Njerëzit votojnë sepse identifikohen me një imazh të partisë së përzgjedhur, sepse nuk shohin alternativë, me një besim naiv ndaj premtimeve tashmë të stërshkelura, dhe sepse nuk mund të pranojnë se partia rreth së cilës kanë krijuar identitetin për kaq vite është po njëjësoj me ato të cilat kanë refuzuar. Studime të shumta në psikologji tregojnë se është më e lehtë të krijosh imazhin që do për një objekt sesa të pranosh subjektivitetin tënd të gabuar: është më e lehtë, me pak fjalë, të besosh se një lider partie të cilin e adhuron ka një arsye për tradhtitë e njëpasnjëshme, se sa të pranosh që je veçse një votë e cila i jep atij licencën për shkatërrimin e vendit sipas imazhit dhe interesave të veta. Për këtë arsye besoj dhe në gjysmë-sinqeritetin e Ramës kur ia vendos fajin për dështimet e shumta kujtdo përveç vetes: është po aq e vështirë për të të pranojë se ka qeverisur në mënyrë thellësisht rrënuese. Por shumica e votave, dhe rrjedhimisht «shuplakave», nuk janë aspak për t’u mburrur. Është abuzim të përdorësh vota të dhëna në mirëbesim për të justifikuar çdo akt që dëmton vetë votuesin, aq më tepër kur pas shumë prej këtyre votave qëndron edhe shpresa se shuplakat ndaj keqqeverisjes së kundërshtarit janë mësim për të gjithë.

Por ideja e përgjegjësisë ndaj votuesve në këto kushte është thjesht utopike. Në intervistën e fundit me Ylli Rakipin, pati disa minuta të nxehura ku Rama quajti çdo akuzëse nuk ka mbajtur premtimet e bëra votuesvesi «karagjozllëk», një turp që Z. Rakipi dhe ne të tjerët «merremi akoma me këtë». Në vend që të shpjegonte të gjitha pikat – mjaft madhore – ku qeveria Rama ka dështuar, kryeministri që në fund të mandatit drejton një qeveri teknike numëroi arritjet e tij – sipas tij, mjaft madhore gjithashtu. E dini çfarë? Ia quajmë të gjitha arritjet – ndërtime, lyerje, rikonstruksion të disa qendrave urbane, etj. I lëmë mënjanë edhe shqetësimet që kemi për estetikën e sheshit Skënderbej, apo uniformitetin (lexo: anonimitetin)e qendrave urbane të rilindura: i quajmë arritje si nga ana funksionale ashtu edhe estetike. Edhe nëse i marrim për të tilla, kjo nuk ndryshon faktin që puna e qeverisë – përfshi këto arritjet – ngelen një dëm i pakorrigjueshëm. Për vepra publike pyetja nuk mund të jetë vetëm dhe thjesht nëse ajo që u ndërtua është funksionale, por cila është kostoja ekonomike dhe sociale për këtë ndërtim.

Në periudhën midis luftërave botërore, partia naziste në Gjermani arriti rritje ekonomike lehtësisht superiore në krahasim me shtetet e tjera në Europë. Kjo ishte veçanërisht mbresëlënëse kur merret parasysh borxhi i papërballueshëm i Gjermanisë pas luftës së parë botërore. Edhe pse efekti i këtyre arritjeve është i rëndësishëm në shpjegimin e suksesit të ideologjisë naziste, nuk ka akademik të respektueshëm të argumentojë se këto arritje ia vlenin. Ato nuk justifikojnë asnjëherë çmimin që u pagua me jetën e miliona njerëzve. Edhe pse një krahasim hiperbolik, thelbi se kostoja shoqërore e çdo vepre qeveritare duhet matur njëkohësisht me vetë veprën është tepër e rëndësishme.

Prandaj edhe arritjet e (të vetë-shpallurës) rilindje nuk janë domosdoshmërish arritje – edhe pse vetë projektet mund të jenë relativisht cilësore apo të nevojshme. Pyetja ngelet: çfarë është kostoja sociale e këtyre arritjeve? Kur çdo ndërtim ngre dyshime të thella korrupsioni dhe klientelizmi; kur investime në energjinë elektrike vijnë tinëz, në kurriz të natyrës dhe ekonomive lokale – si në rastin e Valbonës – dhe pa justifikuar aspak këtë kosto; kur reformat fokusohen në projekte të menjëhershme dhe vizuale në dëm të atyre që duan kohë dhe janë më të rëndësishme; kur arsimi në vend që të përmirësohet futet në kaos të mëtejshëm; kur shëndetësia privatizohet në mënyrë klienteliste, të pajustifikuar, dhe të pakontrolluar; kur të ashtuquajturat reforma në tatime dhe dogana nuk shoqërohen me luftë reale ndaj korrupsionit në këto sektorë; kur të gjitha këto rezultojnë në pabarazi ekonomike dhe përforcim të kastës së pasur e rrjedhimisht të paprekshme, atëherë do të ishte shumë herë më mirë sikur asgjë të mos kishte bërë qeveria. Shuma totale e «arritjeve» qeveritare minus koston sociale dhe ekonomike na lë me një borxh të pafalshëm.

Por, në vend që të merret përgjegjësi për këtë dëm, përgjegjësia i kalohet LSI-së, aktorit që deri më tani ishte aleati më i mirë i arritjeve të rilindjes. Të gjithë jemi të qartë se LSI nuk është veçse një korporatë nepotiste dhe s’është nevoja të përsërisim se aleanca me të duhet të kishte qenë edhe fundi i pakthyeshëm i legjitimitetit të Ramës, ashtu siç janë të pakthyeshme jetët e viktimave të 21 janarit apo  djersa e vjedhur e shqiptarëve nga blloqe ministrash. Por hedhja e fajit vetëm LSI-së ështe një delir i atillë sa është ofenduese që jemi të detyruar ta marrim seriozisht. Kjo mungesë përgjegjësie, ky delir është thjesht simptomë e problemeve që na presin, e problemeve që do vijojnë nga çdo votë për një politikë te tillë.

Sigurisht, të gjitha këto injorohen si «broçkulla» të «medias së kazanit». Edhe pse do të doja që fjalori politik të ishte i një niveli më të lartë se ai i adoleshentëve në rrugë, ka diçka reale në kritikën shpesh të merituar ndaj medias. Për ne që i shohim mediat nga jashtë, niveli i analizës dhe diskursit ka rënë ndjeshëm në thuajse të gjitha mediat tradicionale dhe në shtyp, përfshi në krahasim me periudhën parazgjedhore të vitit 2013. Por kur Rama përdor epitetin e tij të preferuar ndaj medias ai nuk po flet për këtë problem; një media e tillë i shërben politikës nëpërmjet dezinformimit publik dhe dhënies së mundësisë për të diskredituar çdo lloj argumenti kundër qeverisë, sado – apo sidomos atë – të bazuar në fakte. Media e kazanit, në këtë logjikë, janë dhe intervistat me fakte, edhe dokumentari i Publicus dhe çdo akt tjetër që nxjerr të vërtetën kundër pushtetit.

Por edhe ato media të cilat janë realisht problematike, nuk mund të kritikohen nga politikanë të cilët janë përgjegjës për kufizimin e lirisë së fjalës dhe për marrëdhëniet ekonomike me pronarë të medias, të cilët detyrimisht kthejnë reciprocitetin nëpërmjet manipulimit të informacionit. Censura ka shumë forma, përfshi dhe atë të tërthortë. Artikulli i fundit që botova në një nga gazetat kryesore tërhoqi vëmendjen e dikujt me pozitë shumë të lartë në administratë, i cili më kontaktoi për të diskredituar argumentin tim, por duke theksuar disa herë se ky kontakt i tij nuk ishte censurë. E megjithatë, artikulli tjetër që i dërgova gazetës u refuzua si i papërshtatshëm. Artikujt e mi nuk meritojnë automatikisht botimin, por nëse kriteri i vlerës së artikullit është përkulja ndaj qeverisë, atëherë kemi të bëjmë shumë më pak më cilësinë e shkrimit sesa me krijimin e vetëdijshëm të medias së kazanit.

Si shqiptare dhe eksperte në Lindjen e Mesme dhe Afrikën Saheliane, optimizmi politik nuk më vjen natyrshëm. Megjithatë, libri të cilin po përfundoj më ka shtyrë të kem një këndvështrim më afatgjatë ndaj historisë. Në informacionet që kam mbledhur për të gjitha lëvizjet kundër-qeveritare në botë duke filluar nga viti 1900, rezulton se 30% e lëvizjeve mbarëpopullore arrijnë të rrëzojnë qeveritë përkatëse. Ka një kleçkë ama: këto mobilizime, edhe kur duken spontane, janë rezultat i strukturave organizative të afta të artikulojnë besueshëm problemet, si dhe t’i mbushin mendjen njerëzve për mundësi që s’janë asnjëherë tamam aty përveçse në mendjen e aktivistëve. Një aspekt tjetër që diskutoj në libër është edhe nisja e paparashikueshme e këtyre lëvizjeve. Kështu, vetëm dy javë përpara fillimit të Revolucionit Rus, Lenini shprehte keqardhje se do të ishte brezi i ardhshëm që do të shijonte një revolucion të tillë. Më japin pak shpresë këto rezultate pasi tregojnë se çfarë duhet për të arritur sukses dhe në të njëjtën kohë më kujtojnë se ndjenja e pashpresë – që shoh përpara këtyre zgjedhjeve dhe në çdo periudhë para lëvizjeve të mëdha kundër pushtetit – nuk është medoemos provë e mungesës së shpresës.

Ndërkohë, duhet të luftojmë censurën mediatike dhe propagandën politike duke theksuar se jemi këtu, shohim ç’po ndodh, dhe se politikanët mund të shkruajnë të sotmen siç duan, por historinë e tyre nuk do ta ruajnë dot nga e vërteta.

(https://www.reporter.al/per-te-ardhmen/)