Për sulmuesin në masakrën e Orlandos flasin babai dhe ish-bashkëshortja e tij

Babai i sulmuesit, i cili vrau 50 persona në një klub në Orlando, thotë se nuk e dinte që i biri i tij kishte inat në zemër.

Seddique Mateen, the father of Omar Mateen, who attacked a gay night club in Orlando before being shot dead by police, speaks with reporters at his home in Port Saint Lucie, Florida, U.S. June 13, 2016. REUTERS/Bernie Woodall

Omar Mateen, pos viktimave, plagosi edhe 50 njerëz në sulmin më të ashpër në historinë amerikane, para se të vritej nga policia.

E babai i tij, Seddique Mateen, tha se nuk e kupton përse i biri e bëri këtë masakër.

Më herët, ai kishte deklaruar se Omar u inatos shumë kur kishte parë dy burra tek putheshin. Ai shtoi se nuk i kupton arsyet se çfarë e shtyri të birin e tij ta bëjë këtë krim, derisa fati i homoseksualëve nuk është në duart e njerëzve, por vetëm Zoti mund t’i gjykojë, tha ai. Omar Mateen, amerikan me prejardhje nga Afganistani, u lind në Nju Jork dhe jetoi në Florida, derisa nuk ishte në listën e personave të përcjellë shkaku i terrorizmit. Megjithatë, FBI-ja e kishte intervistuar dy herë shkaku i lidhjeve që mund të kishte me ekstremistët.

Ndërkohë, ISIS-i e ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Kaliforni, duke thënë se Omar ishte i biri i kalifatit. Pos babait të vrasësit, me mediat foli edhe ish-bashkëshortja e tij, e cila pohoi se Omar ishte person i dhunshëm.

«Kur përfshihej nga kriza, ai shprehte urrejtjen ndaj çdo gjëje. Ai ishte mendërisht jostabil dhe i sëmurë, ky është shpjegimi i vetëm që mund të jap», tha ajo. Çështja mbetet se si autoriteteve amerikane u iku gabimi dhe Mateen kishte mundësi që legalisht të blinte armë, pavarësisht se hetohej nga FBI-ja. Zbulimi se sulmin më të rëndë në historinë amerikane e kreu dikush që ishte në radarin e FBI-së do të shkaktojë debat rreth ligjeve të vendit për armë sidomos nëse individë hetohen për terrorizëm.

Komisari i policisë së Nju Jorkut me këtë rast sulmoi ashpër Asociacionin Kombëtar për Armët e Zjarrit, që nuk parandaloi individët, të cilëve qeveria ua ndaloi mundësinë e largimit nga shteti të blejnë armë.

«Fakti që kemi një listë të individëve të dyshuar për terrorizëm dhe listë të individëve që s’mund të largohen nga vendi dhe po këta kanë mundësi të blejnë armë është çmenduria e nivelit më të lartë,» tha Bill Bratton nga policia e Nju Jorkut.

Presidenti Barack Obama e përshkroi sulmin si akt terrorist dhe të urrejtjes, derisa edhe njëherë përmendi se sulmi në Orlando është dëshmi se sa lehtë në SHBA mund të blihen armë.

«Duhet të vendosim nëse ky është shteti që e duam. Nëse vazhdimisht s’bëjmë asgjë, epo edhe ky është vendim,» tha Obama, i cili gjatë mandatit të tij është angazhuar shumë për ligje më të ashpra ndaj armëve, por shkaku i republikanëve, në Kongres nuk pati sukses.

E kandidatja e demokratëve për presidente, Hillary Clinton, tha se armët e luftës nuk kanë vend më në rrugët e Amerikës, derisa republikani Donald Trump i bëri thirrje Obamës të japë dorëheqje ngase refuzon të përdorë fjalët ‘islamizëm radikal’.

Derisa nderime për viktimat janë duke u shprehur në shumë qytete amerikane dhe ngushëllimet po arrijnë nga të gjitha anët e botës, autoritetet kanë identifikuar dhjetëra viktima.