Për Srebrenicën – me lot e dashuri!

Në 20-vjetorin e shfarosjes së myslimanëve të Srebrenicës: kujtim, zemërim dhe shpresë.

Nga Enver ROBELLI

Kur të shkoni në Srebrenicë nuk mund t’i ndalni lotët. Në hyrje të qytetit, në Potoçari, sytë tuaj do të ndalen para fushës me varre. Nëse shkoni gjatë verës – dhe në Srebrenicë duhet shkuar gjatë verës! – një fushë e blertë si ngjyra e fesë islame do të hapet para syve tuaj. Këtu pushojnë mbi gjashtë mijë të vrarë, të cilët tashmë janë identifikuar në një uzinë në Tuzël, ku ruhen mbetjet mortore të viktimave. Përvojat e ekspertëve për identifikimin e boshnjakëve kanë shërbyer edhe në identifikimin e viktimave të luftës në Kosovë. Luftës së Serbisë kundër popullsisë shqiptare.

Kur të shkoni në Srebrenicë nuk mund të ndrydhni zemërimin. Do t’ju kujtohen skenat kur gjenerali Ratko Mlladiqi hyn në qytet, e detyron një gjeneral holandez të ngre dolli dhe çirret: «Ka ardhur koha t’u hakmerremi turqve». Mlladiqi i quan turq boshnjakët vetëm për shkak se gjatë sundimit osman ata kanë përqafuar fenë islame.

Pastaj skena tjetër: Izudin Aliqi, një djalë me flokë bionde, u gjend para Mlladiqit pak pas hyrjes së trupave serbe në Srebrenicë. Mlladiqi ia ledhaton flokët, i thotë se asgjë nuk do të ndodhë. Në prapaskenë kriminelët mprehin shpatat dhe mbushin armët me municion para se të fillojnë vrasjet masive. Brenda pak ditësh rreth tetë mijë djem e burra boshnjakë nga Srebrenica u ekzekutuan dhe u hodhën në varre masive. Për të fshehur gjurmët viktimat u zhgroposën dhe u varrosën në vende të tjera. Shpesh një këmbë u varros këtu, një dorë atje. Një vështirësi tjetër në procesin e identifikimit vite më vonë.

Kur të shkoni në Srebrenicë do të shihni se hijet e së kaluarës janë ende këtu. Srebrenica nuk është vetëm emër qyteti. Ky toponim moti, shumë moti është shkëputur nga qyteti dhe është bërë kod për dështimin e bashkësisë ndërkombëtare për të mbrojtur viktimat. Do t’u kujtohen politikanë cinikë si John Major i Britanisë, François Miterrand i Francës, gjeneralë e oficerë britanikë e francezë që entuziazmoheshin me «artin luftarak» të Mlladiqit dhe për viktimat nuk bënin asgjë. Tadeusz Mazowiecki, disidenti polak, raportuesi i Kombeve të Bashkuara për krimet në Bosnjë (dhe Kosovë), i dëshpëruar, i trazuar nga indiferenca perëndimore dha dorëheqje.

Duhet shkuar në Srebrenicë. Për të dëgjuar rrëfime mbi ferrin. Që ferri të mos përsëritet. Duhet të uleni në kafenenë e Abdullah Purkoviqit. Ky burrë e ka mbijetuar luftën dhe ishte ndër myslimanët e parë që u kthye në Srebrenicë pas masakrës. Abdullahu përgatit ushqim të mirë dhe tregon për anët e errëta të jetës. Të jetës së kaluar në luftë. Abdullahut i ka shkuar nami deri në Gjermani e vende të tjera të Europës: gjithkund është shkruar e raportuar për të, për specialitetet e tij të kuzhinës, për vullnetin e tij për jetë, për besimin e tij se Srebrenica nuk është qytet i vdekur, por qytet në ringjallje.

Duhet shkuar në Srebrenicë për t’i parë më 11 korrik, në përvjetorin e masakrës, nënat e Srebrenicës. Për t’i parë të mbijetuarit. Për të parë mijëra njerëz që vijnë nga mbarë bota, të gjithë ish-banorë të Srebrenicës. Askund nuk do të shihni më shumë targa të ndryshme veturash. Banorët e mbijetuar të Srebrenicës jetojnë të shpërndarë në të gjitha anët e botës – dhe më 11 korrik në Potoçari, në vendin e varreve, do të shihni vetura me tabela të Zvicrës dhe Finlandës, të Gjermanisë dhe Austrisë, të Belgjikës dhe të Britanisë së Madhe, të Norvegjisë dhe Italisë, të Holandës dhe të Francës. Do të shihni gra që ua kanë vrarë më të dashurit. Të mbuluara me shami të bardha në shenjë pikëllimi ato kërkojnë gropën ku do ta gjejë qetësinë e fundit më i dashuri i tyre. Në sfond do të dëgjoni një kor vajzash duke recituar me zë që të çon peshë vargje nga Kurani. Më 11 korrik bota është në Srebrenicë. Do ta keni vështirë të gjeni një vend për të fjetur. Është mendim i trishtueshëm të kërkosh dhomë hoteli në Srebrenicë. Aty ku gjithçka është shkatërruar, jetë njerëzish dhe infrastrukturë. Nëse s’gjeni vend te Abdullahu, atëherë dikush nga njerëzit e mirë të Srebrenicës do t’u bëjë konak. Por nuk do të flini fare. Natën do e kaloni duke biseduar me mikpritësit. Ku keni qenë më 11 korrik 1995? A keni shpëtuar të gjithë? «Jo», pason përgjigjja. Pastaj rrëfimi i plotë për kasapët e Mlladiqit, për varrezat masive, për indiferencën e trupave holandeze që me uniformë të OKB-së duhej të mbronin popullsinë civile. Por faji nuk ishte vetëm i holandezëve. Ata ishin pak dhe nuk do të mund të bënin gjë kundër armatës së Mlladiqit. Fajtorët kryesorë gjendeshin në New York, në selinë e OKB-së, të cilët nuk kishin guxim t’i kundërpërgjigjeshin ushtrisë së serbëve të Bosnjës, asaj ushtrie të përkrahur me personel e logjistikë nga Beogradi, asaj ushtrie që në radhët e veta kishte dhe vullnetarë grekë. Krahas flamurit serb në Srebrenicë në korrik 1995 valoi edhe flamuri grek.

Duhet të shkoni në Srebrenicë për të mësuar rrëfimin për lulen ambrozia. Është konstatuar se kjo bimë rritet sidomos mbi varret masive.

Disa fakte: në vitin 2007 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e klasifikoi masakrën në Srebrenicë si gjenocid; rezoluta për Srebrenicën në të cilat konfirmohet vendimi i GJND-së kanë aprovuar vendet anëtare të BE-së, Kanadaja, SHBA-të dhe Australia; këtë javë Këshilli i Sigurimit të OKB-së nuk miratoi një projektrezolutë britanike për Srebrenicën për shkak të vetos ruse; por Dhoma e Përfaqësuesve e Kongresit amerikan miratoi një rezolutë duke theksuar se në Srebrenicë është kryer gjenocid; njëjtë veproi edhe parlamenti europian; krahas tetë mijë të vrarëve nga Srebrenica u dëbuan rreth 30 mijë gra dhe fëmijë – brenda dy ditësh; në raportin e ekspertëve holandezë të publikuar më 10 prill 2002 u konstatua se qeveria holandeze dhe OKB bartin përgjegjësi për masakrën në Srebrenicë; pas këtij raporti qeveria holandeze dha dorëheqje; për masakrën në Srebrenicë janë akuzuar liderët e serbëve të Bosnjës Radovan Karagjiqi dhe Ratko Mlladiqi. Karagjiqi është arrestuar në korrik 2008, pas 13 vitesh në arrati, ndërsa Mlladiqi në maj 2011, pas 16 vitesh në arrati; që të dy gjenden para gjyqit në Hagë; një sërë vartësish të tyre janë dënuar me shumë vite burg për krimet në Srebrenicë; në shenjë respekti për viktimat në Potoçari është ndërtuar një qendër përkujtimore, të cilën në vitin 2003 e ka hapur ish-presidenti amerikan Bill Clinton; sot, më 11 korrik 2015, Clinton do të marrë pjesë në shënimin e 20 vjetorit të masakrës – bashkë me ish-ministren e jashtme Madeleine Albright; në Potoçari janë të varrosur 6241 viktima; mbetjet mortore janë gjetur në më shumë se 150 lokacione, prej tyre 74 varreza masive; sot në Srebrenicë do të varrosen edhe 136 viktima të identifikuara, mes tyre gjenden edhe kufomat e 18 djemve të moshës jomadhore; Kuvendi i Serbisë në vitin 2010 e ka dënuar me deklaratë masakrën e Srebrenicës, por nuk e ka përmendur shprehimisht nocionin gjenocid; me vendim të Parlamentit Europian 11 korriku është shpallur ditë përkujtimi për gjenocidin në Srebrenicë; prej vendeve të Ballkanit këtë vendim të Parlamentit Europian e kanë pranuar Mali i Zi, Kroacia dhe Maqedonia; Parlamenti i Bosnjës e ka shpallur 11 korrikun ditë zie në tërë territorin e Bosnjës; në mars të këtij viti në disa lokacione në Serbi janë arrestuar shtatë persona të dyshuar për krime në Srebrenicë; këto ishin arrestimet e para në territorin e Serbisë për shkak të krimeve në Srebrenicë; sot në Srebrenicë do të marrin pjesë më shumë se 80 delegacione nga mbarë bota në ceremoninë përkujtimore.

Duhet shkuar në Srebrenicë për të dëgjuar rrëfimin e Nexhat Avdiqit. Ai ishte në klasën e parë të gjimnazit në korrik 1995 kur e zuri rob ushtria serbe. Bashkë me burra të tjerë ai u dërgua afër Zvornikut, ku u rendit për pushkatim. Plot të tjerë i mori plumbi, vetëm Nexhatin jo. «Isha i shtrirë nën grumbullin e të vdekurve, dridhesha, pastaj dëgjova zërin: ‹Jovo, shiko nëse të gjithë kanë vdekur, kush është i nxehtë shkrepja një plumb›».

Qe, pra, përse duhet shkuar në Srebrenicë! Me lot e dashuri.