Për Smajl Hajdarajn dhe heshtjen publike

Si sot para 15 vitesh në një pritë u vra deputeti i Kuvendit të Kosovës, Smajl Hajdaraj. Në dorë mbante qumështin që e kishte marrë te nëna e tij dhe do t’ua sillte fëmijëve. Partia e tij e kujtoi me një akademi monotone si çdo vit. Heshtën, siç pritej, krerët e PDK-së dhe të SHIK-ut, organizatës kriminale për vrasjen e patriotëve të Kosovës. Heshti edhe Vetëvendosje, ajo që nuk duhet të hesht kurrë.

Ilustrimi: Shutterstock



Sivjet mesazhi i Shpëtim Hajdarajt me rastin e 15 vjetorit të vrasjes së babait të tij ishte i shkurtër. Një klithmë për drejtësi. Në profilin e tij në Facebook ai vetëm përkujtoi se u bënë 15 vjet padrejtësi. Smajl Hajdaraj u vra më 17 janar 2002 në hyrje të banesës së tij në Pejë nga një dorë kriminale. Ai po kthehej nga vizita që i kishte bërë nënës së tij në fshat, me vete kishte qumësht për fëmijët e tij. Nuk arriti t’ua sillte. Qumështi dhe gjaku i viktimës u përzien me borën në hyrje të ndërtesës ku gjendej banesa e tij në Pejë.
Smajl Hajdaraj ishte inxhinier.
Ai ishte aktivist sindikal.
Ai ishte kundërshtar i regjimit të Serbisë.
Ai ishte funksionar i Lidhjes Demokratike në Pejë e Rugovë.
Ai kishte autoritet të madh në atë pjesë të Kosovës.
Ai bashkoi njerëzit, u armatos dhe organizoi mbrojtjen me armë të rajonit të Rugovës.
Gjatë luftës ai ishte komandant i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Rugovës.
Pas luftës dorëzoi uniformën dhe iu kthye jetës civile – për të ndërtuar një Kosovë për të cilën kishte rrezikuar jetën.
U zgjodh deputet i Kuvendit të Kosovës, kur pavarësia e Kosovës dukej larg, por besimi i tij ishte i palëkundur se data dhe dita e pavarësisë do të vinin më shpejt se ç’pritej – me punë, përkushtim, atdhedashuri.
Më 17 shkurt 2008 Smajl Hajdaraj nuk ishte në sallën e Kuvendit të Kosovës për të nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë.
Kishte vite që trupi i tij ndodhej në dhe.
I vrarë në rrethana të panjohura ose fare mirë të njohura: edhe Smajl Hajdaraj u vra sipas metodës së njëjtë të vrasjeve të pasluftës. Para banesës ishte vrarë edhe Xhemail Mustafa, prind, publicist, lexues, kritik letrar, këshilltar i presidentit Ibrahim Rugova, qytetar i Prishtinës, kronist i luftës 78-ditore të NATO-s. Para banesës ishte vrarë edhe Enver Maloku.
Si çdo vit edhe sivjet Lidhja Demokratike e Kosovës mbajti një akademi përkujtimore, monotone, në të cilën nuk mori pjesë kryetari i LDK-së Isa Mustafa. Dhe ndoshta ka bërë mirë që nuk ka marrë pjesë: kryeministri i këtij vendi nuk ka çfarë t’u thotë familjarëve të viktimave. Sepse nuk bëri asgjë për të gjetur vrasësit e qytetarëve të Kosovës, të cilët ishin anëtarë të LDK-së, por mbi të gjitha ishin njerëz bujarë e luftëtarë me pushkë e fjalë për lirinë e këtij vendi.
Në 15 vjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt familja e tij mbajti një minutë heshtje – për sistemin e drejtësisë. «Koha Ditore» shkruan: «Në Zyrën e Aleksandër Lumezit kanë thënë se rastet e vrasjeve të pasluftës po hetohen.
Familja Hajdaraj thotë se megjithatë LDK-ja këto vite do të duhej të bënte më shumë për ndriçimin e vrasjeve të anëtarëve të saj».
Duhej.
Të bënte.
Në 15 vjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt heshtën, siç pritej, krerët e PDK-së dhe të SHIK-ut, organizatës kriminale për vrasje të patriotëve të Kosovës.
Heshti presidenti i Kosovës për Smajl Hajdarajn. (Përkujtoi Gjergj Kastriotin, Jusuf e Bardhosh Gërvallën dhe Kadri Zekën).
Heshti edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës. Heshti për një deputet. Nëse historia e pështirë e Kosovës do të ishte e drejtë me Smajl Hajdarajn, ai sot lehtësisht do të mund të ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Nuk është.
Është në dhe.
Dhe i thërret ndërgjegjes sonë të topitur.
Në 15 vjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt heshti edhe Vetëvendosje, ajo që nuk duhet të hesht kurrë. Kjo parti me të drejtë po kërkon mobilizim të qytetarëve për të bërë presion që të japin përgjegjësi zyrtarët e shtetit, të cilët mund të jenë fajtorë për vdekjen në rrethana të dyshimta të Astrit Deharit. Me po kaq vendosmëri VV duhet të kërkojë edhe zbulimin e vrasësve të Smajl Hajdarajt. Vrasëseve të Haki Imerit. Vrasësve të Ismet Rracit. Vrasësve të Shaban Manajt. Vrasësve të Xhemail Mustafës. Vrasësve të Enver Malokut. Dhe vrasësve të shumë personaliteteve të tjera të Kosovës. Arsyetimi standard i VV-së se «ne kemi kërkuar hetim parlamentar të SHIK-ut, por LDK nuk i dha votat» nuk ka asnjë peshë. Lufta për drejtësi mund të bëhet me përpjekje të tjera.
Në 15 vjetorin e vrasjes së Smajl Hajdarajt heshtën edhe gazetarët – të mirëfilltët dhe ata të estradës, të cilët vrapojnë si të dehur pas pëlqimeve virtuale («likes»).
Heshtja nuk e ka çuar përpara asnjë shoqëri.
Heshtja ndaj krimit e ka shkatërruar një shoqëri.
Ne e kemi kaluar këtë pikë kritike si shoqëri.
Vrasja në këtë vend është vetëm pjesë e jetës.
Vrasja është pjesë e modelit politik që kemi lejuar të lëshojë rrënjë në këtë vend.
Smajl Hajdaraj ishte kundërshtar i këtij modeli.
Andaj e vranë.
E vranë me qumësht në dorë.
Sot mbarë Kosova do të duhej të kujtonte fëmijët e tij. Por me zemra të ngrira, pa kurajë qytetare dhe duke bërë kompromise me politikanë që në pushtet erdhën pas krimeve të pakompromis ndoshta më mirë është të heshtni, mos ta kujtoni një njeri të mirë të Kosovës. Sepse përballë cinikëve Smajl Hajdaraj është më i fuqishëm edhe në varr.