Për shtatorin dhe shkollën

«Djali duhet me kalu me pesë, se m’vjen inati prej kunatës».



Rreth 29 mijë shkollarë të ri në Kosovë janë ulur për herë të parë në bankat shkollore me 1 shtator. Përtej luleve, kamerave, vizitave të ministrave, një pyetje kryesore që do të duhej të bëhej në çdo fillim shtator – e nuk bëhet kurrë – është ‹pse shkojmë në shkollë dhe cili është qëllimi i shkollimit›.

Në dekadën e fundit, në Kosovë ka humbur ai kuptimi gati i shenjtë i shkollës dhe i të shkolluarit. Dhe kjo në vetvete nuk është detyrimisht e keqe. Shkollimi duhet të shihet si emancipim, jo si patriotizëm apo si rezistencë siç ishte në vitet e ’80-ta dhe ’90-ta. Por, ajo që është lehtësisht e dukshme në ‹shtatorët› e Kosovës është se edukimi si i tillë është ndarë në mënyrë të vetëdijshme nga emancipimi. Pra ‹shkolla› (jo si godinë, por si koncept) është shndërruar në një ndërtesë ku kryhen disa obligime, ku duhet të mësohet për të pasur nota të mira, dhe jo shkolla dhe të shkolluarit si një hapsirë ku ngjizen bazat e qytetarit të emancipuar, ku mësohen dhe krijohen vlerat qytetare.

Shkolla në fakt është bërë poashtu një arenë ku defilojnë komplekse shoqërore, ekonomike dhe kulturore. Të veshur me sforcim (me dhe pa brende të famshme) nxënësit që në ditën e parë socializohen me një ambient që është çmendurisht i preokupuar me dukjen dhe me të dukurit. Kështu ata përfaqësojnë denjësisht manitë konsumeriste të prindërve të tyre, ndërsa në klasë bëhen pjesë e pamjes së bukur me mësueset që duket se më shumë preokupohen me ‹fenirim› dhe ‹bizhutë› e ditës së parë (dhe javëve në vazhdim) se sa me esencësn e orëve mësimore. Esenca ka vdekur me kohë!

Shkollarët në klasë të parë zvogëlohen në ‹produkte›, të cilët shihen si ‹fuqi puntore›, por jo si potenciale që mendojnë, krijojnë, ndryshojnë sisteme etj. Në thelb këta fëmijë duken sikur janë produkt i një fëmijërie të paramenduar (nga të rriturit), dhe produkt i një shkollimi dhe edukimi të paramenduar që nuk shkon përtej riprodhimit mekanik të mësimeve. Duke lënë anash diturinë që merret nëpër shkolla në Kosovë, kualitetin e kurrikulave mësimore dhe të librave shkollorë, edukimi si i tillë shkon përtej kësaj. Tani për tani, ajo çfarë nxënësit mësojnë përtej librave të përcaktuar në klasë, është dashuria për konsumerizëm. Konsumerizmi si materializim perfekt i vanitetit për t’u dukur, për të rënë në sy. Konsumerizmi është bërë aktiviteti kryesor kulturor dhe argëtues në Kosovë. Vizita nëpër qendra tregëtare me prindër, vizita dhe ekskurzione në qendra tregëtare me mësimdhënës. Deri edhe organizime me autobusë për nxënës nga qytete tjera për të ardhur nëpër qendra edhe më të mëdha tregtare në Prishtinë!

Ndoshta ky argument do të ishte i tepruar sikur konsumerizmi dhe kuptimi i qendrave tregëtare do të përfundonte aty. Nuk e kam shumë për konsumerizmin si akt, por si mënyrë jetese. Pra të mësuarit me konsumerizëm dhe të mësuarit me zbavitje nëpër qendra tregëtare shkon shumë përtej këtyre dyjave. Në këtë formë masa mësohet të ushqehet me konsumerizëm, të lexojë konsumerizëm, të shkollohet dhe të diplomohet si konsumerist. Gjithçka është në shitje! Gjithçka mund të blihet! Shpirtërorja ka vdekur me kohë!

Kjo nuk ka të bëj aq shumë me nxënësit, aq sa ka të bëjë me logjikën dhe të kuptuarit e ekskurzionit nga mësimdhënësit – sidomos ata të ciklit të ulët. Dhe këtu është e pashmangshme pyetja kush janë mësimdhënësit? Cila është ajo kategori e studentëve që regjistrohet në fakultetin e mësuesisë? Historikisht (me përjashtime kuptohet) fakulteti i mësuesisë nuk është karakterizuar me ndonjë kastë studentësh që duan të regjistrohen aty me çdo kusht, që e kanë pasion mësimdhënien dhe rrjedhimisht e kuptojnë rëndësinë e figurës që mësimdhënësi ka. Në rastin më të mirë, ky profesion ka qenë vetëm zgjedhje pragmatike e grave. Duke qenë qytetare të rendit të dytë, shumica prej tyre zgjedhin këtë profesion përshkak të orarit të shkurtër të punës dhe pushimeve relativisht të gjata. Kjo u jep hapsirë më shumë për ta ushtruar profesionin tjetër – atë të shtëpiakeve. Në rastin më të keq, ky drejtim mbledhë të gjithë ata të rinjë që nuk arrijnë të regjistrohen nëpër fakultetet e dëshiruara.

Në qershor të vitit të ardhshëm – atëherë kur do të përfundojë ky vit shkollor – do të jenë prindërit e po këtyre fëmijëve që do të vërshojnë ambientet shkollore për të ‹intervenuar› për nota. Kësaj here jo për të bërë ‹selfie› nëpër klasë, por për të rivendosur imazhin që ata kanë ndërtuar për fëmijët e tyre. Të fëmijëve perfekt! Të fëmijëve shembullorë me krejt pesa! Qoftë kjo edhe kur fëmijët nuk arrijnë ti lidhin dy fjali bashkë. Gjatë një bisede me mësimdhënës në një shkollë fillore të Kosovës, më rezultoi se çdo i treti mësimdhënës ishte gjendur në situatë për të ‹negociuar› nota të fëmijëve në klasë të tretë, të pestë etj. Intervenime me arsyetime më banale të mundshme, të tipit, «Djali duhet me kalu me pesë, se m’vjen inati prej kunatës». Intervenimi për nota në shkollat fillore është alarmant. Në shkollë të mesme nuk pyet më kush për nota! Atëherë këta fëmijë rriten dhe nuk janë më projekte të prindërve naivë që i projektojnë të gjitha komplekset e tyre shoqërore e kulturore në ta. Për më tepër, në shkollë të mesme ata fuqizohen vetë dhe perfeksionojnë metodën e presionit tek profesorët për rritje notash – metodë kjo e parë, e përjetuar dhe e mbjellur që në shkollë fillore.

Kështu mësohet me idenë e shkollës si një formalitet ku duhet renditur ‹pesat›. Edhe nëse këto pesa nuk janë rezultat i punës, apo i ndonjë kriteriumi për vlerësim, ata mësohen me idenë se në fund ato do të mbijnë si rezultat i një ‹shtyerje në pazar› ndërmjet prindërve dhe mësuesve të tyre. Dhe këtë leksion ata e shohin tek materializohet edhe kur ‹negociojnë› me rojën e spitalit për të hyrë pas orarit për vizitë. Kur duan të marrin ‹shpejt e shpejt› ndonjë dokument në komunë, e gjallë në botë se u shkon mendja për të pritur. Korrektësia ka vdekur me kohë!

Dhe në këtë logjikë shumë nga këta fëmijë do ta shohin edhe gjimnazin dhe shkollimin e mesëm në tërësi. Si një detyrim formal ku nuk ka fort rëndësi se çfarë lloj njerëzisht do të bëhen pas katër viteve. Në fund të fundit, edhe elita politike dhe intelektuale në vendin e tyre nuk është se shquhet për ndonjë arritje intelektuale, qytetare apo kulturore. Ata janë aty se kanë përmbushur disa formalitete tjera – kush në luftë, kush në pasluftë, kush me armë, kush me haraç. Rrallë e përmallë dëgjon për modele të mira. Të mirët kanë ikur me kohë!

Pas katër viteve ata do të bëhen pjesë e karvanit që mësynë universitietin shtetëror dhe ato private. E njëjta logjikë vlenë edhe aty. Presioni i vetëm për ta është t’i përfundojnë ato studime, jo për t’u bërë qytetarë aktivë, por për të gjetur ndonjë punë. Jo për tu bërë njerëz që dinë të mendojnë, por të diplomuar që dijnë ‹të depërtojnë› (lexo: që arrijnë të gjenden në vorbullën e nepotizmit e të korrupsionit).

Sa për të mbijetuar! Sa për të ngrënë! Sa për të shkuar në Ulqin njëherë në vit! Sa për të blerë një veturë! Kaq! Të tjerat janë lukse. Ka humbur koncepti i të shkolluarit për emancipim. Për të krijuar njerëz që mendojnë me kokën e tyre, njerëz që kërkojnë të drejtat e tyre, njerëz që do të kenë guximin dhe vetëdijen të protestojnë, të rrebelohen. Njerëz që nuk do të ‹shumohen› tutje për t’i dërguar edhe fëmijët e tyre nëpër qendra tregtare. Rroftë injoranca që defilon nëpër qendra tregëtare. Shkollimi ka vdekur me kohë!