Për Shkodrën e Kosovës…

Kur një lojë futbolli shndërrohet në histori. Shënime për Shkodrën, kryeqytetin e dytë të Kosovës – dhe kroatët me të cilët jemi rritur.

Lajmi: sonte do të luajnë futboll Kosova kundër Kroacisë. Cinikët mund të thonë: ç’kuptim ka kjo lojë gjatë së cilës 22 djem vrapojnë pas topit dhe në rastin më të keq as nuk arrijnë të shënojnë një gol. Sa dallim i madh me basketbollin.

Lajmi i vërtetë: sonte Kosova luan më shumë se futboll. Në mungesë të një stadiumi që plotëson kriteret e FIFA-s, Kombëtarja e Kosovës ka zbritur në Shkodër, në kryeqytetin e saj të dytë, pas Prishtinës. (Shqiptarët nuk kanë pasur fate me kryeqytete: Tirana ishte një kasaba kur u bë kryeqytet dhe po të mos ishin arkitektët italianë edhe sot do të ishte e tillë fund e krye. Prishtina, përkundër sharmit dhe dinamikës, është një gërmadhë me beton. Nuk do të ishte mëkat sikur kryeqytet i Shqipërisë londineze të ishte Shkodra, ndërsa i Kosovës Prizreni. Por kjo është temë tjetër…). Sonte Kosova e luan ndeshjen e parë në historinë e saj si mikpritëse e një ekipi të huaj, kësaj radhe Kroacisë. Ndonëse duhet thënë menjëherë se aq të huaj kroatët s’janë për ne, shqiptarët e Kosovës. Çiro Bllazheviqi, Drazhen Petroviqi, Branko Horvati, Tanja Torbarina, Jelena Lovriqi, Oliver Dragojeviqi, Ivan Zvonimir Çiçaku, Darko Hudelisti, Nenad Popoviqi dhe shumë e shumë të tjerë, emra me të cilët jemi rritur në mënyra të ndryshme. Bëhet fjalë për trajnerë futbolli, sportistë, botues, gazetarë, aktivistë për të drejtat e njeriut.

Duke pasur këtë histori në mendje ardhja e Kombëtares së Kosovës në Shkodër nuk është rastësi. Sepse mes Prizrenit dhe Dubrovnikut Shkodra ka qenë pika kryesore ku ndaleshin karvanet tregtare, ku vinin libra, ide, mendime. Në Kosovë i këndohet Vlorës po aq sa Shkodrës. Ky qytet ka hyrë në legjenda. Nga Kosova në Shkodër shkohej për të blerë duhan, në Shkodër shkohej «për të dalë në syret», te Marubi, në Shkodër shkohej në shkollë – në lice. (Shumica e udhëheqësve kosovarë të periudhës pas Luftës së Dytë Botërore janë nxënës të Shkodrës). Në Shkodër shkohej për të organizuar çlirimin e Kosovës – jo rastësisht në këtë qytet e kishte selinë Komiteti Mbrojtja Kombëtare e Kosovës, i cili udhëhiqej nga figura të shquara atdhetare si Hasan Prishtina dhe Bajram Curri, por pjesë e këtij grupi ishte edhe Sali Nivica, një atdhetar nga rrethi i Tepelenës.

Qysh thoshte Gjergj Fishta: «Saliu ishte portë e shtyllë, a thue nji shkamb në të cilin tash 10 vjet i turren tallaze të mëdha pa mujte me e bremun kërkund». Qysh thoshte Luigj Gurakuqi: «Saliu ishte intelektuali ma i aftë dhe ma konsenguent i kohës».

Kombëtarja e Kosovës sonte fitoren duhet t’ia kushtojë Sali Nivicës së Tepelës. Sepse, po, jemi një, por ata që provojë që pavarësinë e Kosovës ta shohin si kundërshtënie të shtetit shqiptar të 28 nëntorit 1912 është mirë të vënë gishtin në kokë. Pavarësia e Kosovës i ka dhënë vrull jo vetëm shqiptarëve të Kosovës, Maqedonisë shqiptare, Preshevës e Ulqinit, por edhe tërë Shqipërisë nga Saranda në Theth, i cili për çdo vit po shndërrohet në zonë alpine për kosovarë. Sonte fitoren kundër Kroacisë lojtarët e Kosovës duhet t’ia kushtojnë filozofit shkodran Arshi Pipës, i cili shkroi se Kosova është vend ku «leu Shqipnia». Sonte Kosova në Shkodër e kujton edhe Ernest Koliqin, i cili bëri aq shumë për arsimimin e kosovarëve në rrethana të vështira. Por sonte duhet të kujtojmë edhe mijëra shqiptarë të Drenicës dhe të trevave të tjera të Kosovës të cilët në pranverën e vitit 1945 në Shkodër jetuan çastet e fundit të jetës para se të masakroheshin në Tivar.

Kush e ka menduar më 1945 se më 6 tetor 2016 do të vijnë në Shkodër djemtë e Kosovës të luajnë më shumë së futboll për vendin e tyre të përgjakur qe më shumë se një shekull nga regjime e ideologji të ndryshme. Kush e ka menduar këtë mrekulli ditën kur u vra Ylfete Humolli në Llap, kur u vra Valmir Deliu në Drenicë, kur u vranë e u grinë mijëra njerëz të tjerë vetëm përse dëshironin të jetonin të lirë.

Liria është këtu, mes nesh. Luani, fitoni dhe festoni. Dhe mos harroni prej çfarë qorrsokaku historik dolëm! Ky është sonte kryelajmi.