Për shkak të terrorit zviceranët kalojnë pushimet kryesisht në Zvicër

Destinacionet më të pëlqyera brenda Zvicrës janë këto kantone: Tiçino, Graubünden dhe Wallis. Nga vendet fqinje më i pëlqyeri është Italia.

Liqen në alpet e Zvicrës. Foto: Shutterstock



Para disa vitesh vetëm dhjetë për qind e turistëve zviceranë e merrnin parasysh gjendjen e sigurisë para së të vendosnin se ku do të kalonin pushimet. Pas sulmeve terroriste anekënd Europës në dy vitet e fundit situata ka ndryshuar në mënyrë radikale: sipas një ankete të kryer për «Touring Club Schweiz» mbi 80 për qind e zviceranëve vendimin se ku do të kalojnë pushimet e marrin duke vlerësuar situatën e sigurisë, shkruan «SonntagsBlick». Rrjedhimisht, për shkak të frikës nga terrori shumica e zviceranëve pushimet i kalojnë në Zvicër. Destinacionet më të pëlqyera brenda Zvicrës janë këto kantone: Tiçino, Graubünden dhe Wallis. Nga vendet fqinje më i pëlqyeri është Italia. Anketa është zhvilluar me 1001 persona. Drejtori i «Touring Club Schweiz» Jürg Wittwer është treguar i befasuar nga rezultati i anketës. «Që nga 11 shtatori 2001 terrorizmi ka qenë temë. Por në vitet e fundit kemi konstatuar një ndryshim fundamental».

Bien çmimet e hoteleve malore

Për shkak të fuqisë së valutës zvicerane dhe mungesës së turistëve nga bota e jashtme, çmimet në hotelet malore të Zvicrës kanë rënë për 10 deri 12 për qind. Këtë e ka konfirmuar drejtori i Turizmit të Zvicrës Jürg Schmid për gazetën «SonntgsZeitung». Shoqata e hotelierëve madje thekson se çmimet kanë rënë për 15 për qind në pesë vitet e fundit. Lokalitetet me shumë hotele si qyteti i Davosit kanë pësuar më së shumti. Atje çmimet kanë rënë deri në 20 për qind. Në Zermatt, një lokalitet tjetër në kodrat zvicerane, çmimet kanë rënë për 10 deri 15 për qind. (-lli)