Për shkak të rritjes të krimit: Holanda kërkon që Shqipërisë t’i kthehen vizat

Pas problemeve në rritje si pasojë e kriminalitetit nga bandat shqiptare në Holandë, Policia Holandeze në bashkëpunim me Prokurorinë Holandeze kanë këshilluar Qeverinë për të rikthyer vizat për të gjithë shtetasit Shqiptarë në zonën Schengen.

Foto: Shutterstock



Policia dhe Prokuroria Holandeze kanë hartuar një raport ku kërkojnë rikthimin e detyrimit të vizave për shtetasit shqiptarë në hapësirën Schengen. ABC News ka siguruar dokumentin, në të cilin thuhet se rritja e kriminalitetit nga bandat shqiptare ka çuar në një kërkesë të tillë. Autoritetet holandeze kërkojnë rivendosjen e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë, duke kushtëzuar kështu lëvizjen e tyre në hapësirën Shengen.

Pas problemeve në rritje si pasojë e kriminalitetit nga bandat shqiptare në Holandë, Policia Holandeze në bashkëpunim me Prokurorinë Holandeze kanë këshilluar Qeverinë për të rikthyer vizat për të gjithë shtetasit Shqiptarë në zonën Schengen.

Kriminelet shqiptarë në Holandë janë fuqizuar se tepërmi vitet të fundit. Ata operojnë kryesisht në trafikun e drogës, pastrim parash dhe në trafikun e qenieve njerëzore. Për Policinë dhe Prokurorinë Holandeze mënyra më e mirë për të luftuar këtë fenomen është rikthimi i detyrimit për pajisjen me viza në mënyrë që shtetasit shqiptarë të mos hyjnë më lirisht në zonën Schengen dhe në Holandë.

Policia e Amsterdamit ka konfirmuar për ABC News ekzistencën e këtij raporti. Sipas saj është parë një fuqizim i elementëve kriminalë në Holande. Numri i të dyshuarve për vepra penale me kombësi shqiptarë përgjatë një viti është dyfishuar, duke shtyrë kështu kërkesën për masa më të ashpra.

Do të jetë Qeveria në Holandë që do të vendosë për një masë të tillë, që deri tani po studion raportin. Zyra e ministrit të Brendshëm preferon të reagojë pasi ministri të ketë marrë vendimin e tij.

Të paktën disa parti politike janë shprehur në të kaluarën pro forcimit të masave shtrënguese për shqiptarët dhe kështu rikthimi i vizave mund të jetë një opsion real për Holandën.