Për shkak të numrit të madh të pasagjerëve: në Aeroportin e Prishtinës aterron «Airbus A340» i kompanisë zvicerane «Edelweiss»

Në vend të avionit «Airbus A320» tani nga Zürichu në Prishtinë po fluturon «Airbus A340».

Airbus A340.



Avionët e distancave të largëta janë po aq të rrallë në Aeroportin e Prishtinës sa bora në Saharë – kështu shkruan portali zviceran «Aerotelegraph» në një artikull mbi kompaninë ajrore zvicerane «Edelweiss», e cila për shkak të numrit të madh të pasagjerëve nga Zvicra në Kosovë ka vendosur që nga Zürichu në Prishtinë të fluturojë me «Airbus A340» në vend të «Airbus A320» si deri më tani.

Gjatë ditëve të verës në Aeroportin e Prishtinës mes avionëve të distancave të mesme shihet edhe një «Airbus A340» i «Edelweiss». Ky avion mund të fluturojë deri në 12’400 kilometra pandërprerë. Distanca ajorore mes Zürichut dhe Prishtinës është rreth 1100 kilometra. Gjatë pesë të shtunave në sezonin veror «Edelweiss» do të transportojë udhëtarët nga Zürichu në Prishtinë dhe anasjelltas me «Airbus A340», i cili zakonisht përdoret për fluturime ndërkontinentale. Një zëdhënës i kompanisë ka deklaruar se shkak i dërgimit të avionit «Airbus A340» në Prishtinë janë kërkesat e agjencive që merren me shitjen e biletave të avionëve. Avioni «Airbus A340» ka pothuaj aq kapacitet sa dy «Airbus A320». Avionët e mëdhenj rrallëherë fluturojnë në distanca në shkurtra.

Mediat zvicerane kanë shkruar këto ditë për një nismë të disa aktivistëve shqiptarë kundër çmimeve të shtrenjta të biletave në relacionin Zürich-Prishtinë. Në këtë vijë gjatë verës çmimi i biletave shkon deri në 700 apo 800 franga, një shumë marramendëse kjo dhe më e lartë se fluturimi Zürich-New York. Edhe sivjet viktimë e mashtruesve të biletave kanë rënë disa shqiptarë: individë të papërgjegjshëm kanë themeluar «agjenci turistike» virtuale duke shitur bileta fiktive. Agjencitë serioze të udhëtimit si «Eurokoha» dhe «Air Prishtina» vazhdimisht kanë apeluar që shqiptarët me banim në Perëndim të injorojnë ofertat që kompani mafioze të udhëtimeve u dërgojnë klientëve potencialë në aplikacionin «viber». Si arrijnë këto kompani mafioze t’i gjejnë numrat e telefonit të shqiptarëve në Perëndim? Ekziston dyshimi i bazuar se numrat sigurohen nga kompanitë e telekomunikacionit të Kosovës, të cilat i shesin të dhënat. Çdo shqiptar që i telefonon një familjari në Kosovë duhet të llogarisë se numri i tij pastaj i shitet për qëllime komerciale ndonjë kompanie mafioze të udhëtimeve. Mundësia më e mirë për t’i hequr qafe reklamat për bileta në «viber» është që çdo shqiptar në mërgim t’i drejtohet stacionit më të afërt të policisë zvicerane, gjermane, austriake apo të atij vendi ku jeton. (dp/-lli)