Për shkak të emrit kosovar? Norën njëherë s’e donte askush, pastaj ajo doli më e mira

Ëndërra e madhe e Nora Rexhës nga Menzikeni ishte zanati për administratore – për ta bërë këtë realitet nuk ishte e thjeshtë. Por ajo iu tregoi të gjithëve se mundet. Fundja ajo kreu me notën 5,4. Tani e nget edhe ‹staplerin› edhe ‹bagerin›.

Nora Rexha te Bertschi Mulden + Container Transport AG në Reinach e ka kryer zanatin. Ajo ta mësuar t'i japë edhe ‹staplerit› dhe ‹bagerit›. © HO

Dikur, pas nja njëqind aplikimeve të pasuksesshme për një zanat, nxënsja e klasave më të mira nga Menzikeni nuk i kishte numëruar më sa po bëheshin. «Ishte frustruese», thotë sot 19-vjeçarja Nora Rexha kur e kujton të kaluarën.

Tani ajo është e lumtur, i qesh fytyra, rrufit e lehtësuar ujin mineral në kafenenë e kopështit dhe rrëfen për suksesin e saj.

Në fillillim atë s’e donte askush, më pas ajo doli më e mira. Kjo – në mënyrë të përmbledhur – është historia e Nora Rexhës.

Ajo në KV Lenzburg të Reinachut në E-Profilin e saj ka qenë më e suksesshmja e gjeneratës. Nota: 5,4. Rexha është krenare. Ajo ua ka dëshmuar të gjithëve se mundet – edhe vetes së vet.

Suksesi ia ka forcuar sigurinë në veten. Por vështirësitë për të gjetur një zanat në profesionin e ëndërrave në zyrë, nuk janë harruar kaq shpejt.

Fajtor notat apo emri?

Gjatë kohës së shkollës notat e saj nuk ishin më të mirat. «Në klasën e nëntë e lëshova, mendoja se notat nuk ishin kaq të rëndësishme», tregon absolventja e zanatit.

Por, kjo qasje iu hakmorr. Një vit para përfundimit të shkollës ajo filloi të dërgonte aplikacione. I merte firmat në telefon, shkonte personalisht te ato, por asgjë nuk ndihmonte: Refuzimet i vinin njëri pas tjetrit.

Qëndronte puna vetëm te notat? Nora nuk e beson këtë. Ajo supozon që refuzimet kishin të bënin diçka edhe me emrin e saj kosovar.

Sepse kolegët e saj të shkollës me emra zviceranë dhe një sukses të ngjashëm e kishin gjetur më shpejt se ajo një zanat.

Zviceranët ndoshta trajtohen me përparësi, për ndërmarrjet është mbase thjesht tepër e ndërlikuar të kenë një nxënëse, emrin e së cilës duhet ta thonë me vështirësi dhjetë herë në ditë.

Por ky është një spekulim. Për të, kjo nuk është më me rëndësi. Fundja, në një farë mase, fati i eci megjithatë në minutën e fundit.

Ndodhi në vitin 2012, një ditë para pushimeve të verës. Nxënësja e klasës së dhjetë priste edhe tre përgjigje ndja aplikimeve të saj. Bashkë me prindërit i vizitoi ndërmarrjet me shpresën se megjithatë dikund do të ndizte. Te firma e tretë dhe e fundit pati fat.

Vërtet ajo te Bertschi Mulden + Container Transport AG në Reinach nuk mundi të nënshkruante në një afat të shkurtër kontratën për zanatin, por pas një prove spontane, të njëjtën pasdite fitoi një stazh me mundësinë e një shkollimi të ëndërruar profesional si administratore.

Jo vetëm ulur në zyrë

Nora Rexha e shfrytëzoi shansin dhe nuk është penduar për vitin e kaluar si praktikante. Ajo bëri përvojë, e cila më pas i shërbeu në zanat dhe në shkollën profesionale, sikurse thotë vetë ajo.

Dhe, i ka bërë edhe kënaqësi, që përkrah punës në zyrë të angazhohet edhe praktikisht. «Të ngasës ‹staplerin› dhe ‹bagerin› është ‹cool›», thotë ajo dhe qesh. «Dhe, kam mësuar të depërtoj.»

Edhe drejtoresha Sabine Frei-Bertschi është e lumtur me rezultatin e nxënësve të saj.

«Normalisht kandidatët më të mirë i kanë gjithmonë bankat dhe sigurimet», thotë ajo. «Që ne si ndërmarrje reciklimi tani jemi në frontin e parë, është një sukses për të gjithë.»

Menjëherë e avansuan në asistente

Nora Rexha do të vazhdojë të punojë 60 për qind te Bertschi Mulden + Container Transport AG, përkrah kësaj ajo dëshiron ta kryejë maturën, që pastaj në një shkollë të lartë të studiojë «çfarë do që të jetë diçka me ekonominë».

Shefja e saj e ka emëruar me kontratë menjëherë si «asistente e drejtorisë» – në mënyrë preventive, sikurse thotë duke shkelur syrin Sabine Frei-Bertschi: «përpara se t’ma rëmbejë dikush nga ndërmarrja.»

(Aargauer Zeitung: http://www.aargauerzeitung.ch/aargau/wyna-suhre/wegen-kosovarischem-namen-erst-wollte-nora-rexha-niemand-dann-war-sie-die-beste-130424349) ks