Për Serbinë është e papranueshme platforma e negociatave me BE-në për Kosovën

Ministri serb i Punëve të Jashtme Ivica Daçiq ka deklaruar se për Serbinë do të jetë e papranueshme nëse nuk do të ketë ndryshime në platformën negociuese të BE-së për kapitullin 35.




Platforma ka të bëjë me vazhdimin e dialogut të Prishtinës e Beogradit, zbatimin e Marrëveshjeve të Brukselit dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.

«Të gjithë e dinë mirë deri ku mund të shkojë Serbia. Serbia mund të shkojë deri te vija e neutralitetit statusor. Është thënë qartë se asgjë që nuk është arritur në Bruksel nuk mund të jetë në platformën negociuese. Për fat në BE janë edhe pesë vende që nuk e kanë njohur Kosovën», ka thënë Daçiq për RTS, transmeton Koha.net.

Daçiq ka thënë se Serbia habitet me qasjen e vendeve dhe partnerëve nga Perëndimi që ndryshojnë tekstin e platformës negociuese pa informimin Serbisë.

«Ne nuk duhet të pajtohem me të gjitha, por qasja duhet jetë miqësor e me partneritet dhe për këtë ua shohim për të madhe vendeve perëndimore që e kanë njohur Kosovën pse nuk punojnë në ujdi me Serbinë», ka thënë Daçiq.

Në pyetjen nëse propozimplatforma për negociata hap rrugën e Kosovës drejt anëtarësimit në KB, Daçiq ka thënë se kjo nuk është e mundur, sepse anëtarësimi i plotë kërkon vendimin e Këshillit të Sigurimit ku është institucioni i vetos.