Për rastin R. dhe histerinë shqiptare

Ramush Haradinaj nuk ka asnjë arsye të protestojë kundër autoriteteve të Kosovës që gjoja nuk po e mbështesin, sepse një ndër figurat kryesore në negociatat me Serbinë ka qenë zëvendësi i tij i deridjeshëm në parti. AAK e ka mbështetur këtë format të bisedimeve me Serbinë. Sllovenia nuk është armike e Kosovës. Përkundrazi – në themelin e pavarësisë së Kosovës Lubjana ka vendosur një gur të rëndësishëm.




Një histeri ka përfshirë Kosovën. Histeria antisllovene. Në fakt dhe për fat të mirë pjesë e kësaj histerie është një pakicë agresive dhe e dhunshme, shumica absolute e qytetarëve të Kosovës po e vëzhgojnë situatën nga tribuna e spektatorëve. Situata është kështu: pas lirimit nga Tribunali i Hagës të Ramush Haradinajt Serbia nuk ka qëndruar duarkryq – ajo ka formuluar dhe ndoshta fabrikuar akuza të reja dhe i ka deponuar në shtetet që janë pjesë e Interpolit. Këto shtete janë të obliguara të veprojnë sipas marrëveshjeve që kanë me Interpolin. Ndalimi i Ramush Haradinajt në Lubjanë është një episod i pakëndshëm dhe pasojë e betejave ende të papërfunduara ballkanike. Këto beteja nuk zhvillohen më me armë, por me mjete të tjera – juridike, retorike dhe diplomatike. Ngjashëm si Sllovenia ka reaguar së fundi edhe Zvicra: policia kufitare e këtij vendi ia ka vënë prangat Naser Oriqit, figurë kryesore e mbrojtjes së Srebrenicës dhe – pak a shumë ngjashëm si Haradinaj – një luftëtar që duke përdorë e keqpërdorë famën e luftës rrëshqiti në botën e nëntokës gjysmështetërore, e cila merret gati me të gjitha bizneset e paligjshme. Këtu qëndron arsyeja përse po mungon solidariteti masiv me Haradinajn. Fama e luftës nuk mund të shërbejë më si mburojë për mbrapshtitë e pasluftës.

Pastaj, në këtë kontekst, duhet thënë qartë edhe këtë: Ramush Haradinaj nuk ka asnjë arsye të protestojë kundër autoriteteve të Kosovës që gjoja nuk po e mbështesin, sepse një ndër figurat kryesore në negociatat me Serbinë ka qenë zëvendësi i tij i deridjeshëm në parti dhe nuk e ka hapur kurrë temën e fletarrestimeve. AAK e ka mbështetur këtë format të bisedimeve me Beogradin. Sllovenia nuk është armike e Kosovës. Përkundrazi – në themelin e pavarësisë së Kosovës Lubjana ka vendosur një gur të rëndësishëm. Përse AAK nuk ka kërkuar nga Blerim Shala që gjatë shëtitjeve në Bruksel të insistohet që çështja e fletarrestimeve që lidhen me të bërat apo të pabërat gjatë luftës të jetë në kompetencë të shtetit, banor i të cilit është i dyshuari. Madje edhe një shtet i lodhur si Bosnjë-Hercegovina në vitin 2013 ka lidhur marrëveshje me Serbinë, e cila precizon se për të gjitha rastet që kanë të bëjnë me krime lufte kompetent është shteti amë. Përse nuk ka insistuar në këtë drejtim pala kosovare le të mbetet në përgjegjësinë e atyre që i kanë filluar negociatat në Bruksel jo për ta bërë Kosovën shtet funksional, por për të krijuar favore personale dhe eventualisht për të shpëtuar lëkurën e vet nga ndonjë ndjekje për korrupsion apo krime lufte.

Në paraqitjet e tij publike që nga ndalimi në Lubjanë Haradinaj sillet si njeri që ka humbur kontrollin. Sllovenët i quan vëllezër të serbëve, akuzon qeverinë e Kosovës se nuk po i kërcënohet Lubjanës me bombë atomike, nënvizon se Sllovenia me ndalimin e tij i paskësh provokuar shtatë milionë shqiptarë në Ballkan, bile disa militantë të tij vetëm sa nuk po bëjnë thirrje për të nisur një luftë kundër Sllovenisë. Hapat e parë drejt luftës janë bërë: apele për bojkot të produkteve sllovene nga një parti si puna e AAK-së që ka përfituar miliona euro nga Ramiz Kelmendi, njëri prej importuesve kryesorë të krejt produkteve të Serbisë në Kosovë, apele për bojkotim të një banke sllovene, e cila është punëdhënës i madh në Kosovë dhe shtyllë e rëndësishme e ekonomisë, apele bizare për ndërprerje të marrëdhënieve diplomatike, britma për t’i dërguar Sllovenisë notë verbale ose notë proteste, siç thotë këshilli i të urtëve analfabetë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Ka një tendencë të rrezikshme që Sllovenia të barazohet me Serbinë vetëm për shkak të një incidenti juridik, me të cilin – përndryshe – po ballafaqohen edhe Bosnja me Zvicrën pas arrestimit të Naser Oriqit. Sllovenia është shtet mik i Kosovës. Ky shtet prej më së paku tri dekadave ka ndikuar – herë për interesa të vetat, herë për interesa të shqiptarëve – që Kosova të marshojë drejt pavarësisë.

Faktet e tregojnë këtë. Kur në dimrin e vitit 1989 në Trepçë u futën në grevë minatorët, Komiteti për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut në Slloveni mbështeti protestën dhe filloi të mbledhë para për minatorët dhe familjet e tyre. Kur Kryesia e Jugosllavisë, pra presidenca kolektive e vendit, vendosi të dërgojë ushtrinë në Kosovë, më shumë se një milion sllovenë, pra më tepër se gjysma e banorëve të këtij vendi, nënshkruan një peticion kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë. Madje 450 mijë sllovenë peticionin e nënshkruan brenda një dite.

Më 27 shkurt 1989 në Cankarjev dom u organizua tubimi i famshëm i solidaritetit me Kosovën e përvuajtur nën dhunën serbe. Kësaj proteste iu bashkuan edhe komunistët e asaj kohe: lideri komunist Milan Kuçan ishte në një vijë të frontit me opozitën antikomuniste në përpjekje për të goditur shovinizmin serb në Kosovë. Si rrallëherë në jetën e tij të enjten, gjatë debatit në Kuvendin e Kosovës për rastin Haradinaj, Hashim Thaçi ishte i sinqertë ndaj fakteve historike: ai tha se kufiri i Kosovës me Malin e Zi do të përcaktohet në bazë të Kushtetutës së vitit 1974. Pra, shoku Hashim Thaçi iu referua kushtetutës së komunizmit jugosllav. Duhet thënë qartë: pa sllovenin Edvard Kardel dhe pa kroatin Josip Broz Tito Kosova nuk do t’i kishte kufijtë e sotëm, të cilëve iu referua Thaçi. Rrjedhimisht, Ramush Haradinaj është mirë që të shfrytëzojë kohën në Lubjanë të lexojë pak për historinë më të re dhe të jetë më i rezervuar me deklarata fluturuese, kërcënuese dhe qesharake ndaj Sllovenisë.

Pas tubimit në Cankarjev dom Sllovenia vendosi të tërheq policët sllovenë nga Kosova, sepse nuk dëshironte të ishte pjesë e skenarëve antishqiptare. Pastaj Lubjana u bë oazë e veprimtarive të rëndësishme politike të alternativës kosovare, siç quhej atëherë udhëheqja politike e Kosovës. Në Lubjanë bëri punë të vyeshme kombëtare shoqata «Migjeni», u botua revista e famshme «Alternativa», në kryeqytetin e Sllovenisë dhjetëra gazetarë filluan të merren me problemet e Kosovës, disa erdhën në Kosovë dhe shkruan tekste madhështore në favor të kauzës shqiptare. Njëri prej tyre – Ervin Hladnik-Milharçiq – pas Kosovës shkoi gati në të gjitha vatrat e krizës dhe botoi reportazhe mbresëlënëse edhe në shtypin e Europës perëndimore. Revista «Mladina» ishte pothuaj gazetë e Kosovës – madje në një numër, për t’ia dhënë një shpullë Sllobodan Millosheviqit, ajo në ballinë botoi një duzinë kokash të Titos me plis të bardhë.

Në Slloveni gjetën strehim deputetët e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, të cilët më 2 korrik 1990 miratuan Deklaratën Kushtetuese dhe më 7 shtator 1990 Kushtetutën e Kaçanikut, e cila u shkrua kryesisht nga akademik Gazmend Zajmi dhe është themeli i shtetit nëpër të cilin Ramush Haradinaj shëtit i lirë dhe bën gati çfarë të dojë. Ishin këta sllovenë që Haradinaj sot po i quan vëllezër të serbëve që në fund të viteve 80-të ia ndaluan banditëve të Millosheviqit të mbajnë miting në Lubjanë. Pas tubimit në Cankarjev dom Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë deklaroi se «në të gjithë historinë askush nuk i ka fyer serbët më shumë» se sllovenët me mbështetjen e shqiptarëve. Edhe diçka kishin thënë akademikët racistë serbë: sipas tyre përkrahja sllovene për Kosovën ishte një «aleancë e çuditshme mes përfaqësuesve të shoqërisë së civilizuar të Europës qendrore dhe përfaqësuesve të dhunës orientale». E kuptoni? Nacionalistët mesjetarë në Beograd çuditeshin se si sllovenët e civilizuar po përkrahin shqiptarët primitivë.

Kjo është historia. Dhe këtë histori do të duhej ta dinte edhe Haradinaj, i cili para një viti thoshte: dua të bëhem kryeministër, dua ta kalojë menjëherë votimin për Gjykatën Speciale në parlament, dua të përshpejtojë integrimet europiane dhe të luftoj krimin e korrupsionin. Përralla mëhalle. Ky tani ka një mision tjetër: t’i bëjë sllovenët vëllezër të serbëve dhe të luftojë kundër pashtetës Argeta, qumështit Alpsko dhe një firme sllovene të telekomunikacionit. Lufta mund të vazhdojë edhe kundër ushtarëve sllovenë të KFOR-it. Pse jo! Marrëzia nuk ka fund.Ramush Haradinaj nuk ka asnjë arsye të protestojë kundër autoriteteve të Kosovës që gjoja nuk po e mbështesin, sepse një ndër figurat kryesore në negociatat me Serbinë ka qenë zëvendësi i tij i deridjeshëm në parti. AAK e ka mbështetur këtë format të bisedimeve me Serbinë. Sllovenia nuk është armike e Kosovës. Përkundrazi – në themelin e pavarësisë së Kosovës Lubjana ka vendosur një gur të rëndësishëm.