Për «rastin Haxhiu», deputeti Zemaj vetëm në procedurë kundërvajtëse

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, do të vazhdojë të ketë lëndë në Prokurorinë e Shtetit, por vetëm për kundërvajtje, pasi ky organ ka pushuar hetimet ndaj tij për sulm të rëndë trupor në tentativë, siç ishte paditur nga deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, në tetor të 2015-ës, raporton KTV.




7 muaj më vonë prokuroria ka pushuar hetimet ndaj të pandehurit Armend Zemaj, sepse nuk ekziston dyshimi se ka kryer veprën e penale, siç ishte akuzuar nga Vetëvendosje.

Për prokurorinë, vendimi i deputetit për të gjuajtur me gotë qelqi në drejtim të opozitës në seancën e 8 tetorit ka qenë i atëçastshëm, i ndikuar nga rrethanat të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në formimin e vendimit të tij.

Kështu, prokurorja e rastit, Merita Lumezi, që është kunata e kryeprokurorit të Shtetit, ka vendosur t’i pushojë hetimet kundër Armend Zemajt, meqë në rastin konkret nuk është shkaktuar asnjë pasojë.

Por, e njëjta ka ushtruar kërkesë për ngritjen e procedurës kundërvajtëse për deputetin Zemaj për prishje të rendit dhe qetësisë publike.

E këtë vendim deputetja e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu, e ka quajtur të papranueshëm, duke thënë se organet e drejtësisë po veprojnë me standarde të dyfishta.