Për pushtet Pal Lekaj e dëbon në Turqi edhe ipeshkvin e Kosovës

Vetë autokrati turk iu falënderua me emër presidentit të Kosovës për kapjen e gjashtë gylenistëve dhe dëbimin e tyre ilegal në Turqi. Nga Stambolli ka dy ditë që kryeministri i Kosovës po tallet si palaço cirku. Por kjo s’po e prish fare rehatinë e AAK-së – sepse kjo parti, e sidomos figura shahu si Pal Lekaj, për pushtet mund të bëjnë çfarëdo kompromisi – madje t’i dërgojnë jesir në Turqi në pako edhe ipeshkvin e Kosovës dhe Donika Kadaj-Bujupin si politikane për sporte të rënda.



Rrëmbimi i gjashtë shtetasve turq dhe dëbimi i tyre në Turqi nuk ka kaluar edhe pa komentet e të pashmangshmit Pal Lekaj, menaxherit për kriza të rënda dhe batare gjysmë humoristike, gjysmë të turpshme. Lekaj, ministër i Infrastrukturës, u arsyetua se përse resori i tij i kishte dhënë leje për aterrim në Prishtinë aeroplanit të një firme turke, të cilin shërbimi famëkeq sekret turk MIT me gjasë e kishte marrë me qira për të kryer operacionin ilegal. Ishte një fshehje pas neneve e dispozitave për t’i larë duart në pafajësi.

Gjatë gjithë këtyre ditëve jo vetëm Lekaj, por edhe ithtarë, militantë, «mashqi» të AAK-së janë përpjekur të tregojnë e belbëzojnë se AAK nuk ka qenë e përfshirë në këtë operacion – thua se kjo i shkarkon nga përgjegjësia. Krejt arsenali i kritikave drejtohej nga presidenti i vendit si organizator ose miratues i planit për rrëmbim të shtetasve turq. Vetë Hashim Thaçi të shtunën e arsyetoi dëbimin, ndërsa të dielën mori lëvdata vëllazërore nga sulltani i Bosforit. Zakonisht pengmarrësit lavdërojnë njëri-tjetrin.

Si në rastin e arrestimit të Marko Gjuriqit edhe pas aferës me turq kryeministri tha se nuk dinte asgjë. Por, sipas Pal Lekajt, asgjë nuk paskësh ditur as kryetari i Kosovës. Lekaj tha se s’beson se Thaçi ka gisht në arrestimin e gylenistëve. Të dielën Lekaj kishte zgjedhur të postojë në rrjetet sociale edhe ca fotografi nga shtëpia e tij, ku i kishte pritur në një gosti fetare Thaçin dhe Haradinajn. Kjo si përpjekje për të dëshmuar se gjithçka është në rregull në raportet mes Haradinajt dhe Thaçit. Afër kryetarit dhe kryeministrit të Kosovës ishte ulur – stoike, sypatrembur, krenare dhe pa fije turpi – Donika Kadaj-Bujupi, e njohur në opinionin e gjerë si një deputete që ishte e gatshme të përdorë edhe dhunën për të mbrojtur Kosovën dhe Republikën. Në odën e Pal Lekajt ajo mund të ruante vetëm ndonjë shishe «kukakollë» nga duart e shkathëta të çlirimtarëve.

Heshtja e krerëve të AAK-së pas skandalit të fundit me turq është kalkulim i pastër politik. Prioritet absolut gëzon ruajtja e pushtetit. Andaj Haradinaj hesht qe dy ditë, ndërsa autokrati turk po tallet me të si të ishte një palaço cirku. Madje po e kërcënon, duke i thënë: «Do ta paguash shtrenjtë» shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të AKI-së. Rrallë në historinë moderne të politikës ka ndodhur që autokrati i një shteti të falënderojë për lojalitet dy zyrtarë kyç të një vendi tjetër. A janë zgjedhur shefi i AKI-së dhe ministri i Brendshëm për t’i shërbyer Kosovës apo interesave parapolitike dhe të biznesit? A janë zgjedhur të punojnë për interesa të qytetarëve të Kosovës apo sipas qejfeve e tekave të Rexhep Taip Erdoanit?

Rrëmbimi i turqve është një precedent i rrezikshëm, por AAK për pushtet mund të bëjë çfarëdo kompromisi – madje t’i dërgojnë jesir në Turqi në pako ipeshkvin e Kosovës dhe Donika Kadaj-Bujupin si politikane për sporte të rënda. Kushedi, ndoshta krerët e AAK-së kanë dëgjuar për planet e Thaçit për të mobilizuar deputetët që kontrollon për të rrëzuar qeverinë dhe për t’i treguar Kadri Veselit se si kryetar i PDK-së nuk po e kalon dot rolin e shefit te SHIK-ut që i raportonte Shefit të Madh në kafehanet e Kosovës. Shefi i Madh është prodhues skandalesh e aferash me një shpejtësi që nuk mund ta përcjellin as politikanë të sporteve të rënda si Ramush Haradinaj. Por, për Haradinajn është me rëndësi që u bë kryeministër dhe i kryen disa punë me «mashqit» dhe për «mashqit» e tij. I mjafton të funksionojë si një kryeministër që e ka marrë Thaçi me qira.

Kur qeverisja me çdo çmim shndërrohet në qëllim në vetvete, atëherë respektimi i ligjit, i etikës dhe vlerave morale si dhe i të drejtave të njeriut janë pengesa. Andaj për Thaçin, Haradinajn dhe Veselin tashmë nuk janë të rëndësishme parimet falë të cilave ata gjetën strehim politik në Zvicër në vitet ’90. Po të ishin të rëndësishme ata do të kishin lexuar në nëntor të vitit të kaluar një shkrim në një gazetë zvicerane. Aty tregohet se në gjysmën e parë të nëntorit të vitit 2017 në bregdetin verilindor të ishullit grek Lesbos brenda pak ditësh dallgët e detit i sollën tri kufoma fëmijësh. Autoritetet greke supozojnë se fëmijët vdiqën ndërsa familjet e tyre po përpiqeshin të iknin nga represioni i regjimit të Erdoanit. Në portalet e lajmeve në Turqi dhe Greqi dhe në rrjetet sociale njoftohej se viktimat janë fëmijë të një familjeje mësuesish turq të afërt me lëvizjen Gülen, të cilët qenë të detyruar të braktisin Turqinë për arsye politike. Si Haradinaj, Thaçi e Veseli dikur përballë terrorit serb. Ata sot të gjithë kanë fëmijë, të cilët fatmirësisht rriten në liri dhe nuk frikësohen se një ditë kufomat e tyre do të gjenden në ndonjë bregdet si pasojë e terrorit policor. Para familjeve të të dëbuarve turq këta politikanë të Kosovës sot shfaqen vetëm si cinikë që pështyjnë mbi vlerat humanitare, në emër të të cilave u çlirua Kosova.