Për opozitën e bashkuar presidentja nuk reflekton unitet, s’do t’i shkonin në takim

Bllokimi i institucionit ligjvënës duket se do të zgjasë. Tri partitë opozitare në vend nuk janë të gatshme as për dialog nën ndërmjetësimin e Presidentes ose kujtdo tjetër, pa u zmbrapsur Isa Mustafa nga marrëveshja për Asociacionin.




Idenë që Presidentja Atifete Jahjaga të ndërhyjë për t’i ulur në tavolinë bisedimet pozitë e opozitë, është përmendur fillimisht nga kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli.

Por, këtë ide e ka përkrahur edhe partia e tij. Partneri i koalicionit, LDK është e mendimit se në fakt zgjidhja duhet të gjendet në Kuvend, mes shefave të grupeve të parlamentare dhe kryetarit Veseli.

Për opozitën e bashkuar, Presidentja nuk reflekton unitet dhe është gjithashtu e mendimit se marrëveshja për Asocoacionin është e mirë për Kosovën.

KohaVisioni ka pyetur Presidenten nëse ajo është e gatshme të ndërhyjë për të zhbllokuar situatën e krijuar, por Zyra e saj nuk ka qenë e gatshme të japë përgjigje.

Opozita që nga dje gjithashtu ka vendosur që t’i bojkotojë edhe mbledhjet e komisioneve parlamentare, përcjell koha.net. Për pozitën, këto veprime janë shqetësuese, duke thënë se pakica nuk mund të diktojë agjendën e shumicës.