Për Ohrin, princeshën dhe të tjerët



U mbushën 14 vjet nga Marrëveshja e Ohrit. Historikisht, ajo përbën Mont Everestin e arritjeve të shqiptarëve në Maqedoni. Ky vlerësim është pothuajse unanim. Për këtë na kanë bindur jo vetëm ata që sot pretendojnë autorësinë e saj. Kështu del kur konsideron edhe rrethanat që e diktuan marrëveshjen dhe patjetër sakrificën e kryengritësve të 2001-shit, të cilët i kanë merituar fjalët më të frymëzuara për të. Marrëveshja ishte rezultat i një unifikimi të paparë të faktorit politik dhe ushtarak shqiptar dhe manifestimi më i vendosur i vetëdijes kombëtare shqiptare në Maqedoni. Ajo e reflekton edhe angazhimin e faktorit ndërkombëtar në dobi të avancimit të statusit politik të shqiptarëve në këtë shtet. Ndonëse Marrëveshja e Ohrit përbënte edhe një kompromis, jo vetëm në raport me kërkesat fillestare të shqiptarëve, por edhe në krahasim me përvojat më të përparuara botërore në çështje të multietnicitetit. Ajo në fakt i sanksionon disa parime, si atë të shumicës së dyfishtë, që do t’i imunizonte shqiptarët nga majorizimi, por e lë në dorëzim vullnetit të mirë të politikanëve që detajet t’i disenjojnë më pas në frymën e këtyre praktikave. Prandaj ajo, në fakt, quhet Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Por, një fat i keq i ka prirë Marrëveshjes së Ohrit. Ajo u vendos në një kontekst ters historik për shqiptarët. Qyteti ku u celebrua dhe që ia dhuroi emrin asaj përreth një shekull u transformua nga një vendbanim multietnik me shumicë shqiptare në qytetin e radhës ku jomaqedonasit nuk përbëjnë as edhe një atraksion turistik. Ndërkohë janë ndarë nga jeta nënshkruesit më të përkushtuar të marrëveshjes. Së fundmi, vërshimi desh e rrëmbeu edhe fshatin e Malësisë së Tetovës, nga ku lideri i kryengritësve e shpalli pajtimin e organizatës ushtarake me marrëveshjen. Elitat politike të Maqedonisë, prodhim i një shkolle që nuk ka dremitur për 200 vjet duke hartuar programe për «zgjidhjen» e çështjes së shqiptarëve në Jugosllavi, nuk mund të pajtohej me këtë sfidë. Ndërkohë që ata e kishin të gatshëm një alfabet me plane për zbatimin e atyre programeve, përnjëherë duhej të merrnin obligime për avancimin e statusit të shqiptarëve. Me ta marrë veten nga sfida, në momente shpërqendrimi të Perëndimit dhe vetëkënaqësisë së shqiptarëve, elitat maqedonase filluan me avazin e vjetër në raport me shqiptarët në Maqedoni. Nga diskriminimi ekonomik dhe represioni deri te promovimi histerik i një identiteti më të vjetër se ai i shqiptarëve. Marrëveshja e Ohrit u përmbys. Oguri më i keq u zbulua, më duket, vitin e kaluar: është zhdukur pa gjurmë dokumenti origjinal i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit!

Në zhvillimet politike në Maqedoni sikur ka abstenuar për një kohë të gjatë bashkësia ndërkombëtare. Aq më tepër kur ajo në Marrëveshjen e Ohrit paraqitet si garantuese e saj. Nuk e thonë vetëm cinikët: Lindja kujtohet në ngjarje që nuk kanë ndodhur kurrë, kurse Perëndimi nuk kujtohet në gjëra që kanë ngjarë vërtet. Në Maqedoni nuk është parë as përafërsisht ajo vëmendje që bashkësinë ndërkombëtare e ka karakterizuar në zhvillimet politike në Kosovë. Sidomos në ato lidhur me serbët. I bindem teorisë se në politikë gjërat nuk duhen parë kështu. Por, indiferenca për një kohë të gjatë ndaj zhvillimeve që bien ndesh me frymën e Marrëveshjes së Ohrit, sikur e sforcon bindjen e përhapur se Perëndimit, në radhë të parë, i intereson stabiliteti dhe se drejtësia nuk është kategori me prioritet e politikave të tij. Partnerët lokalë të bashkësisë ndërkombëtare janë politikanët e duruar që kanë kurajën të marrin vendime të dhimbshme për komunitetin e tyre. Mjafton që ata ta kenë një përkrahje relative në popullatë.

Për 14 vjet kanë ndodhur shumë gjëra edhe në skenën politike shqiptare. Në partinë shqiptare, që doli nga organizata ushtarake, e cila e imponoi Marrëveshjen Ohrit, ka munguar insistimi për kauzën që çoi në kryengritje. Aq më tepër bie në sy kjo kur kujton letrën që Ali Ahmeti më 2001 ua dërgoi krerëve të strukturave veriatlantike, në të cilën ai e ligjëronte kryengritjen. Në këtë kontekst, më duhet ta rimarr një metaforë. Pikërisht atë kur princesha doli nga sarajet për ta thyer për disa çaste monotoninë e jetës në oborrin mbretëror. Në pyll, ajo e takoi një malësor që po kryente ca punë të zakonshme për të. Dhe, princesha u magjeps aq shumë nga energjia dhe çiltërsia e malësorit, sa u harrua për orë të tëra me të. Kur u ngrys dhe ajo duhej të kthehej në kafazin e saj të artë, princesha e zgjuar nxori nga mënga një as për ta takuar malësorin përsëri: ajo e ftoi atë përzemërsisht në pritjen për miq që do të jepte oborri pas një jave. Atë ditë, princesha i përshëndeste mysafirët me dashamirësi dhe priste me padurim të dukej malësori. Dhe ai u shfaq – i pispillosur sa ajo nuk e dalloi menjëherë. Princesha i uroi malësorit mirëseardhje dhe e përgëzoi për paraqitjen e tij. Më vonë, ajo e komplimetoi edhe një herë malësorin për elegancën që tregonte, ndërsa me shumë çiltërsi ia kujtoi atij se kështu si ishte stisur ai, ajo kishte gjithë ata njerëz në oborr.