Për një lëvizjeje politike që fuqizon të drejtat e emigrantëve

Kongresi i Parë i Emigrantëve në Bernë, apeloi kundër racizmit dhe ksenofobisë dhe miratoi disa rezoluta, ku kërkohen të drejta të njëjta për emigrantë dhe një solidaritet më i madh në raport me refugjatët. Edhe atyre me prejardhje nga Ballkani.

Foto: Rexhep RIFATI



Në përfundim të Kongresit, që u ftua nga sindikata Unia dhe organizatat [email protected] plus dhe Federazione Colonie Libere Italiane, spikatën disa prononcime nga disa prej pjesëmarrësve. Siç merret vesh nga organizatori, shkak i këtij tubimi ishin tendencat ksenofobe në rritje në politikën zvicerane. Organizatorët theksuan nevojën e një lëvizjeje politike, e cila do të fuqizojë të drejtat e emigranteve e emigrantëve dhe qytetarëve me sfond migracioni dhe do të ngrejë zërin kundër diskriminimit.

Migracioni nga shtetet e treta

Një vit pas aprovimit të Iniciativës së Migrimit Masiv, personat dhe organizatat pjesëmarrëse kërkuan respektimin e qarkullimit të lirë të personave me Bashkimin Evropian. Ata refuzuan qartas kontingjentet diskriminuese të imigrantëve dhe rikthimin e statutit të stinorëve: Të gjithë migrantët, të cilët jetojnë në Zvicër, duhet të gëzojnë parakushte të njëjta në tregun e punës dhe të kenë të drejtën e patjetërsueshme për bashkim familjar.

Rreth 250 pjesëmarrësit në kongres aprovuan edhe tri rezoluta tjera. Ata kërkuan rregullimin (legalizimin) e statutit të qëndrimit për të gjithë personat «pa letra» që jetojnë në Zvicër, rritje të numrit të lejeve të punës për punëmarrësit nga shtetet e treta, ku hyjnë edhe si Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia, si dhe ndalimin e dëbimit të personave, të cilët janë lindur apo që janë socializuar në Zvicër. Pos kësaj ata mbështetën kërkesën për pranimin në afat sa më të shkurtë të 100’000 refugjatëve nga Siria.

Migracioni i «ri » dhe i «vjetër»

Për herë të parë në Zvicër u takuan bashkë migrantë dhe persona me sfond migracioni, organizata të migrantëve të «ri» – kryesisht të arsimuar mirë, të cilët janë të punësuar në sektorët e shërbimeve – politikanë dhe personalitete të ndryshme me sfond migracioni, pastaj ata nga «Fabbrica di Zurigo» dhe «Marea Granate», refugjatë, persona «pa letra», punëmarrës e sindikalistë dhe të punësuar në pozita të larta. Të gjithë bashkërisht për të krijuar një forcë të përbashkët politike kundër përjashtimit dhe ksenofobisë.

Kongresi shqyrtoi e diskutoi manifestin, i cili paraqet dokumentin bazë që do të shërbejë për punë të mëtejme të përbashkët. Pjesëmarrësit e interesuar patën rastin të regjistrohen në katër grupe pune, të cilat do të fillojnë punën e tyre pas kongresit. Një grup koordinuese u autorizua të përpunojë strukturën dhe aksionet e ardhshme.

Sa personale, aq edhe strukturale

Njëra nga referueset kryesore, në Kongres ishte edhe doktorantja e Universitetit të Neushatelit, Shpresa Jashari. Ajo shprehet: «Në kumtesën time kushtuar diskriminimit dhe racizmit, u nisa nga vetja, pasi këto forma përjashtimi do trajtuar edhe si personale edhe strukturale. Duke shikuar nga këndi sesa këto dukuri i pranon apo përjashton shteti. Unë, si fëmijë me sfond migracioni, e ardhur në moshën trevjeçare në Zvicër, kur është dashtë të regjistrohem në gjimnaz, kam hasur edhe në refuzime. Por, edhe në mbështetje tek disa profesorë vendas, që thonin se duhet dhënë shanse edhe dikujt me prejardhje nga një vend tjetër. Përndryshe, mua më pëlqen që në këtë tubim janë bashkuar forca që duhet të reagojnë dhe punojnë kundër shfaqjes së dukurve raciste dhe diskriminuese në shoqërinë zvicerane, sepse edhe ne jemi pjesë e kësaj shoqërie. Të gjithë së bashku – edhe ne shqiptarët – si qytetarë tejet të organizuar të këtij vendi, të japim kontributin për një mirëqenie të përbashkët, pa përjashtime e diskriminime.

Kundër favoreve pa kriter

Përparim Avdili, me prejardhje nga Kumanova, një nëpunës bankar dhe përfaqësues i Partisë Liberale Zvicerane, FDP, njëherësh kandidat në zgjedhjet për delegat në njësinë Altstetten të Cyrihut, e çmon organizimin e këtij kongresi, por ka edhe një këndshikim paksa më ndryshe nga pozita e një liberali: «Ka detaje që nuk i mbështes. Sidomos kur flitet për të drejta të barabarta, siç është kërkesa për një shtetësi me automatizëm e pa kriter, përfshi edhe favore të pakufizuara për personat pa letra. Vërejtja tjetër është se në këtë tubim, marrin pjesë kryesisht emigrantë me orientim majtist, ndërsa brenda shoqërisë zvicerane, funksionon një pluralizëm më i gjerë.» «Fakti se unë kam migruar si foshnje në Zvicër, nuk më bën ta ndiej vetën plotësisht vendas, por nuk mund ta përjashtoj veten nga përkatësia e të qenit qytetar i barabartë këtij vendi», vazhdon ai.

Digë ndaj ekstremit të djathtë

Ndërkaq Osman Osmani, sekretar për migracion në sindikatën Unia, njëri nga organizatorët e kongresit nga radhët e shqiptarëve, flet për përvojën e parë me këtë kongres që u kushtohet emigrantëve dhe qytetarëve me sfond emigracioni: «Është me interes, që në këtë tubim përherë të parë në këtë formë janë tubuar njerëz me prejardhje nga vende të ndryshme të botës, pa dallim feje, race apo ideologjie, me qëllim që t’i mbrojnë të drejtat e tyre, karshi forcave të djathta që kanë sjelljë ksenofobi ndaj të huajve. Ky është tubimi i parë më i madh me sfond emigracioni, i cili do të gjejë forma më të mira e më të avancuara për realizimin e të drejtave të punës, sigurisë sociale në Zvicëre.»

Sa i përket përfaqësimit të shqiptarëve në këtë tubim, synimi ynë ka qenë që në te të përfaqësohen shqiptarë me përkatësi dhe orientime të ndryshme partiake, apo fetare e ideologjike, me një shtrirje gjeografike si në Zvicër ashtu edhe trojet tona etnike.

 

 

Përparim Avdili, pjesë e debatit
Përparim Avdili, pjesë e debatit
Shpresa Jashari dhe Zarije Zenuni-Bajrami, të vetmet  shqiptare në tubim
Shpresa Jashari dhe Zarije Zenuni-Bajrami, të vetmet shqiptare në tubim
Osman Osmani në mesin e organizatorëve
Osman Osmani në mesin e organizatorëve
Delegatët shqiptarë gjatë pauzës së kongresit
Delegatët shqiptarë gjatë pauzës së kongresit