Për moralin në politikë, identitetin «tyrk elhamdylillah» dhe ëndrrën e rrethuar me gjëra të shëmtuara

Alexander Dubček, Eqrem Bej Vlora, Faik Konica: mbi tri mendime të tri personaliteteve historike dhe kontekstin e sotëm të politikës shqiptare në Ballkan.

Ilustrimi: Shutterstock



I.
Çfarë duhet morali në politikë? Po e pranuam mendësinë e politikanëve tanë shqiptarë në Kosovë, për moralin s’ka më vend në politikë. Sepse respektimi i disa kodeve morale bëhet pengesë për shumë punë të mbrapshta. Morali dhe etika në njërën anë dhe korrupsioni në anën tjetër – nuk shkojnë bashkë. Duke qenë vetëm politikanë që pasurimin e shohin si objektiv dhe shans që rrallë përsëritet në karrierat e tyre të shoqëruara me agresivitet e kërcënime, bartësit e funksioneve më të larta nuk përfaqësojnë asgjë të moralshme në punët e tyre të përditshme në kancelaritë e shtetit.

Kjo s’domethënë se morali nuk keqpërdoret. Flitet shumë me tone morale dhe shpesh edhe inskenohen veprime kinse të moralshme. Shkon filan politikani për pushime në një vend alpin, paguan mijëra e mijëra euro për klanin e tij (apo këtë qejf ia kanë paguar biznesmenët që dyshohet se e shoqëronin në malet me borë?) dhe kur kthehet hiqet si i moralshëm, duke pranuar në zyrë një person, të cilit ia jep rrogën për shërimin e vëllait të sëmurë. Nuk është vepër humanitare kjo, ngase i përkrahuri është pjesë e klanit të mbledhësve të haraçit në një rajon perëndimor të Kosovës. Filani tjetër, politikan i lartë, bëhet sikur po kujdeset për invalidët, por me veprimet e tij e ka shndërruar Kosovën në shtet invalidor.

Politika pa moral nuk funksionon. Së paku jo politika e mirë e në shërbim të qytetarëve. Një definicion e ka dhënë socialisti çekosllovak Alexander Dubček: «Në aspektin afatgjatë sjellja jonë e padhunshme dhe superioriteti moral i popullit çekosllovak mbi agresorin kishin rëndësi morale. Në retrospektivë do të mund të thoshim se sjellja paqësore ndikoi në shpërbërjen e bllokut <agresiv>… Bindja ime se shoshitjet morale kanë vendin e tyre në politikë rezulton jo vetëm nga fakti se vendet e vogla duhet të jenë morale, sepse nuk janë në gjendje t’i kundërshtojnë fuqitë më të mëdha. Pa moral nuk mund të flitet për të drejtën ndërkombëtare. T’i injorosh parimet morale në fushën e politikës domethënë të kthehesh te ligjet e xhunglës».

II.
Përse nuk ka moral në politikën shqiptare? Një shpjegim i mundshëm është historia jonë e koklavitur, përvoja jonë si popull që ose është lënë në anarki nga fuqitë sunduese, ose fuqitë sunduese e kanë mbajtur me kërbaç pa krijuar rend e rregull institucional. Në zonat rurale, për shembull, Perandoria Osmane nuk ka sunduar pothuaj fare, atje zyrtarët osmanë shkonin për të qetësuar gjakrat vetëm kur numri i viktimave të gjakmarrjes për shkak të një vade apo një jazi kalonte në dhjetëra apo qindra. Në qytete krijoheshin aleanca me bejlerë lokalë dhe popullsia lihej shpesh nën mëshirën e tyre.

Mes dy luftërave botërore shqiptarët kudo në Ballkan kaluan nëpër faza të anarkisë shpesh totale. Pas Luftës së Dytë Botërore regjime mizore komuniste ushtruan terror të pafrenueshëm ndaj çdo rivali politik. Një fazë e shtendosjes së situatës politike në Kosovë, e filluar në vitet ’70, nuk zgjati më shumë se një dekadë, ndërsa në Shqipëri vazhdoi sundimin një regjim që për nga brutaliteti mund të krahasohet vetëm me atë të Koresë së Veriut sot. Pasojat i vuajnë shqiptarët edhe sot – edhe për shkak se pas rënies së komunizmit në Shqipëri dhe pas çlirimit të Kosovës nuk u arrit të evitohet seleksionimi negativ i pjesëtarëve të elitës politike.

Këtë rrezik e kishte vërejtur Eqrem Bej Vlora kur në kujtimet e tij rezononte mbi identitetin e shqiptarëve: «Botëkuptimi i shumicës dërrmuese të shqiptarëve në vitet 1900 deri në 1906 ka qenë për të ardhur keq. Askush nuk e ndiente veten pjesëtar të një populli: kudo që ishte popullsia ndahej në dy kampe, të ndarë e të prerë si me thikë. Në njërin bënin pjesë ato tri të katërta që pyetjes se çfarë ishin i përgjigjeshin <tyrk elhamdylillah> (turk, i qofshim falë Zorit), gjë që natyrisht nuk duhej kuptuar ngushtë, nuk duhej marrë në kuptimin e një përkatësie etnike, por të një përkatësie fetare. Çereku tjetër, shqiptarët ortodoksë e hera-herës edhe katolikë quheshin gjaurë, emërtim që jo vetëm i përçmonte, por dhe i ndante nga tërësia e popullit shqiptar, si një element i ndryshëm, madje do të thosha i huaj. Një shtrembërim i tillë i gjendjes reale ishte hapi i parë për përçarjen e popullit shqiptar dhe një parapërgatitje për gllabërimin e këtyre pjesëve të ndara arbitrarisht të një populli nga etni të tjera, të huaja dhe armiqësore kundrejt shqiptarëve. Pikërisht për të luftuar këtë shkombëtarizim që po përparonte vazhdimisht prej një shekulli, u ngrit lëvizja kombëtare shqiptare».

III.
Zbukuruesit e realitetit do të thoshin se nuk duhet parë gjithçka nga këndvështrimi nihilist. E saktë! Dikur s’mund të shkonim fare në Shqipëri, pastaj shkonim nga Maqedonia, sot shkojmë nga Kukësi, ku në autostradë të përshëndesin lopë gazmore, çifte të dashuruarish që pistën e autostradës e shndërrojnë në korzo dhe ca plaka të shkreta me një turrë dru mbi shpinë. Pasi e kalon këtë rrëmujë si skiator sllallomi, mund të mendosh për një kafe në njërën nga pikat e karburantit pas tunelit të Kalimashit. Së shpejti edhe rruga për në Shkup do të shkurtohet. Dhe do të na kujtohet ajo legjenda mbi ata dy shqiptarët që kur ishte hapur hekurudha Mitrovicë-Selanik diku nga Ferizaj kishin marrë trenin për në Shkup. Kur lokomotiva i ishte afruar tunelit në Grykën e Kaçanikut dy shqiptarët kishin filluar një muhabet filozofik: e zë apo nuk e zë trenin tuneli? Nga frika se nuk do e zinte, të dy kishin kërcyer nga vagoni. Krahasuar me atë kohë viset shqiptare vërtet kanë bërë përparim të madh. Por kur mendon më gjatë për mundësitë që kishin shqiptarët sidomos në dy dekadat e fundit, nuk ka shumë arsye për duartrokitje. Janë dekada të humbura në polarizime politike, në afera korruptive, beteja edhe të përgjakshme për pushtet. E arritur do të ishte po të shihnim tani Shqipërinë në BE dhe jo duke shpresuar se ndoshta sivjet do të hapen negociatat për anëtarësim.

«Dëshira që vendi të lulëzojë», shkruante Faik Konica, «të bën pak nga pak të ëndërrosh se lulëzon, dhe largimi i gjatë të këllet ca më thellë në gjumë dhe ta shpie shpirtin dhe mendjen në një botë të bukur, e cila s’ka trup dhe s’ndodhet gjëkundi veçse në tru të ëndërronjësit. Po le të marrë fund gjumi dhe menjëherë e sheh veten të rrethuar me gjëra të shëmtuara. Të do zemra të futesh përsëri në gjumë e të kthehesh në botën e lulëzuar nga e cila sapo dole; po më kot! Një ëndërr e zhdukur nuk përsëritet».

Shumë ëndrra janë bërë realitet në çerekshekullin e fundit, por, fatkeqësisht, kur zgjohemi e shohim veten të rrethuar me gjëra të shëmtuara.