Për masakrën në Orlando mund të paditet edhe gruaja e Mateenit

Prokurorët amerikanë mund të ngrenë aktakuzë ndaj bashkëshortes së autorit të sulmit në Orlando, ku u vranë 49 persona dhe u plagosën shumë të tjerë. Prokurorët dyshojnë se ajo, ndonëse kishte njohuri për sulmin, nuk i kishte informuar autoritetet.

Sipas medieve amerikane, prokurorët e kanë organizuar një juri të madhe për të hetuar Noor Salmanin, bashkëshorten e Omar Mateenit, transmeton ARTA TV. Padia mund të ngrihet duke e akuzuar atë si ndihmëse për vrasjet.

Mediet përtej atlantikut raportojnë se Salmani kishte bërë përpjekje që të bisedojë me bashkëshortin e saj duke i kërkuar që të heqë dorë nga sulmi, por ajo gjithashtu u ka thënë autoriteteve se njëherë e ka vozitur deri te klubi i natës, «Pulse», sepse ai dëshironte që ta vëzhgojë lokalin. Hetuesit federalë dhe Shtëpia e Bardhë kanë thënë se ai ishte radikalizuar vetë dhe se nuk ka ndonjë dëshmi që thotë se ai ka marrë instruksione apo ndihmë nga grupe si Shteti Islamik.

Autoritetet janë gjithashtu duke i hetuar raportimet se Mateeni e kishte vizituar disa herë klubin ku e kreu masakrën, duke kërkuar takime me homoseksualë, dhe se ai kishte një jetë sekrete prej homoseksuali, megjithëse e ka shprehur urrejtjen e tij ndaj tyre.