Për M.

Foto: Shutterstock



Atë natë kur ti nuk erdhe
Unë nuk fjeta, po dola shpesh para porte
Binte shi dhe u futa sërish brenda.

Atëherë nuk e dija, por tani e di:
Ajo natë ishte si netët e tjera më vonë
Kur ti nuk erdhe më, dhe unë nuk flija
Dhe thuajse nuk prisja më
Vetëm se shpesh shkoja para porte
Ngaqë aty binte shi dhe ishte ftohtë.

Mirëpo pas atyre netëve dhe vite të tjera më pas
Dëgjoja kur binte shi hapat e tua
Para portës dhe në shi zërin tënd
Të dëgjoja se si qaje te qoshja e ftohtë
Sepse s’vije dot brenda.
Ndaj shumë shpesh jam çuar natën
Dhe kam shkuar para portës, e kam hapur
Dhe kam ftuar brenda këdo që qe pa atdhe.
Hynin kështu brenda lypsa, kurva, llum i fundit
Njerëz turlilloj.

Tani shumë vite kanë shkuar, edhe kur ndodh
Që bije shi dhe erë frynë
Dhe ti nëpër natë vjen, e di
S’do të njoh më, as zëri tënd jo
As fytyrën, sepse gjërat kanë ndryshuar.
Prapëseprapë ende dëgjoj hapa në erë
Dikë që qan në shi, dikë
Që do të vijë brenda.

Dhe më vjen të dal jashtë para porte
Që ta hap, të shikoj nëse dikush ka ardhur –
Por nuk çohem jo, nuk shkoj përjashtë
Nuk dal të shikoj
Dhe as nuk vjen ndokush.

Përktheu: Ardian Klosi