Për librin e leximit për nxënës të ciklit të lartë

Hans Magnus Enzensberger.

Mos lexo ode, biri im, lexo orare udhëtimesh:
janë më të sakta. Shpalosi hartat detare,
para se të bëhet vonë. Duhet të jesh i kujdesshëm, mos këndo.
Vjen dita kur përsëri në portë do të vendosin lista dhe kundërshtarëve në gjoks do t’ua vizatojnë shenjën.
Mësohu të ecësh si i panjohur, mëso më shumë se unë:
të ndërrosh lagjen, pasaportën, fytyrën.
Njoftohu me tradhtinë e vogël, me shpëtimin e përditshëm të ndyrë.
Enciklikat janë të dobishme për të ndezur zjarrin, manifestet: për të mbështjellë tëlyenin dhe kripën për të pambrojturit. Duhet zemërim dhe durim, që në mushkëritë e pushtetit të fryjmë pluhurin e imët vdekjeprurës, të bluar nga ata që kanë mësuar shumë, të cilët janë të saktë, pluhurin e bluar prej teje.

Përktheu nga gjermanishtja: Enver ROBELLI