Për librat që nuk u dogjën




Lexuesja nga Peja, librat e shkruara në një alfabet tjetër, shtëpia e shpëtuar dhe domosdoshmëria e çlirimit nga simbolika nacionaliste.

 

Nga Vjosa MUSLIU

«Për shkak se dhomat tona ishin të mbushura me libra të Milan Ćurčin-it, Dositej Obradović-it e shumë të tjerëve, shtëpia jonë ishte e vetmja në atë lagje të Pejës që nuk u dogj e shkatërrua nga forcat serbe në vitin 1999». Kështu më shkruan një lexuese nga Peja lidhur me artikullin «Aty ku digjen librat», botuar së fundi këtë portal. Ajo ishte prekur thellë, jo pse ata rreshta i kanë ngjallur ndonjë nostalgji për periudhën e studimeve në Beograd apo edhe për kohën që i ka ikur nëpër duar. Ajo ishte prekur për shkak se kishte kuptuar sa kujtime dhe dëshmi asaj dhe shumë prej nesh na është dashur të mos i përmendim kurrë pas çlirimit.

Pasi plaçkisnin gjithçka me vlerë materiale, forcat serbe u vinin flakën shtëpive të lagjes. Kjo nuk ndodhi vetëm me një shtëpi në të cilën prezenca e një bibloteke familjare në alfabetin cirilik, kishte bërë magjinë e vet. Nuk ka kuptim të thuhet se në krahasim me shqiptarët që digjinin libra në serbisht në vitin 1999, shpëtimi i po këtyre autorëve nga ushtarët serbë ishte shenjë e ndonjë emancipimi. Ushtarët serbë mund të kenë hamendësuar se bëhet fjalë për një familje etnikisht të përzier. Mund të kenë menduar se është thjeshtë ndonjë shtëpi profesori. Mund edhe të kenë menduar se për dallim prej «barbarëve shqiptarë» (siç pasqyroheshin rëndom shqiptarët në diskursin serb), kjo shtëpi qenka ndryshe. Për arsye krejt banale që vetëm nacionalizmi i sëmurë di t’i prodhojë, djegia dhe shpëtimi i librave vetëm pse ato bartin një alfabet të caktuar, është njëlloj tragjike. Në të dyja rastet, po digjej dhe po shpëtohej një simbolikë e nacionalizmit. Në të dyja rastet libri nuk është as subjekt i krimit apo shpëtimit.

Vlerat anglo-saksone në të cilat thirrej krijimtaria e Čurćin-it apo fryma rilindase e Obradović-it, i cili njëherit ishte edhe ministër i parë i arsimit në Serbi, do të kryqëzonin krimet makabre të po këtyre ushtarëve. Nuk ka rëndësi sa revolucionare ose tërësisht të tejkaluara janë mendimet e tyre, e rëndësishme në periudha të tilla mbetet se me cilin kamp, me cilën ideologji përkojnë këto libra. Sepse çdo gjë ose duhej të ishte (është ende) nacionaliste, ose tradhtare/jo-kombëtare. Sepse si libri, edhe njeriu, liria, dashuria zvogëlohen thjeshtë në një produkt që i shërben kauzës së madhe nacionaliste.

Nacionalizmi – ai që shpesh e me të drejtë konsiderohet si i sëmurë, e poashtu edhe ai që vështirësisht mbrohet si i shëndetshëm – është egërsisht i lidhur me simbolikën. Për shqiptarët e Kosovës, alfabeti cirilik ishte shndërruar në personifikim të dhunës së shtetit serb dhe Kishës Ortodokse Serbe. Për serbët gjithandej, alfabeti cirilik kishte mbetur streha e nacionalizmit kombëtar dhe fetar. Në emër të të dyjave do të vriteshin njerëz.

Kur përfundoi lufta në Kosovë dhe narrativa e çlirimtarëve u derdh gjithandej si llavë vullkani, u bë pothuajse e pamoralshme e jonjerëzore për familjen nga Peja ta përmendë shpëtimin e librave e të shtëpisë si një fat në fatkeqësi. Nuk kishte kuptim të flitej për të! Nuk kishte as audiencë që do ta dëgjonte këtë rrëfim. Disa tema, emra dhe koncepte u varrosën bashkë me lirinë individuale për të kujtuar dhe idealizuar fragmente që nuk kishin të bënin me narrativën lineare të «luftës së shenjtë». Mungesa e lirisë individuale për këso rrëfime në dukje margjinale, është simbolikë e mungesës së lirisë. Kjo simbolikë u ndërtua nga turmat nacionaliste, të cilat ndalonin të drejtën individuale për ta parë luftën, paqen dhe heroin në mënyrë të lirë.

Edhe në ditët e sotme, se si vlojnë gjakrat e paragjykimet kur takojmë shqiptarë që nuk kanë egërsi për simbolikën e alfabetit cirilik, për shqiptarë që nëpër qoshe të Kosovës ende fshijnë pluhurin e librave serbisht, në fakt bëhet fjalë kryesisht për libra të shkruara në serbokroatisht, siç quhej dikur lingua franca e njerëzve mes Jesenicës sllovene dhe Gjevgjelisë maqedonase.

Për fat të mirë injoranca, dhuna dhe frika nuk na ka kapur të gjithëve njësoj. Dhe kjo është frika më e madhe e nacionalizmit dhe simbolikës nacionaliste. Që mobilizimi, urrejtja, qëllimi final dhe mjeti të mos jetë uniform. Njeriu i lirë (në kuptimin sociologjik) është gati i pamundur në ideologjitë nacionaliste. Prandaj, shikuar nga këndvështrimi nacionalist, na pengojnë ata që nuk vjellin vrer, racizëm dhe mosbesim paushall ndaj çdo gjëje që lidhet me serbë dhe me Serbinë. Na pengojnë ata që shkojmë në Beograd për ndonjë aktivitet kulturor ose thjeshtë për të kaluar një fundjavë me britma e birra. Na pengojnë, shikuar nga këndvështrimi nacionalist, ata që nuk e thjeshtëzojnë të gjithë shtetin serb dhe metafizikën e tij në tanket e Millosheviqit. Na pengojnë lidhjet që ndërtojmë me serbë e serbe. Sepse në esencë, kjo u pengon të gjithë atyre që vetë nuk janë të lirë. Atyre që nuk janë të lirë për ta ndarë dhunën disa dekadëshe të Serbisë në Kosovë nga një Serbi normale me të cilën edhe do të na duhet të jetojmë, sepse jemi fqinj dhe të bekuar apo të mallkuar të jetojmë pranë njëri-tjetrit. Të gjithë ne, jo vetëm ata që bëjnë biznes në veri të Kosovës dhe ata që ulen në Bruksel për të negociuar. Por të gjithë ne, që kur të çlirohemi prej simbolikave ngufatëse do të shohim një vend normal, një alfabet normal, nje libër normal!

Dr. Vjosa Musliu është ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Gentit në Belgjikë.