Për Kosovën vazhdon të jetë sfidë shtrirja e sovranitetit edhe 17 vjet pas hyrjes së NATO-s

Gëzim të madh në fytyrat e qytetarëve të Kosovës, solli 12 qershori, futja e trupave të NATO-s në Kosovë, pas 78 ditë të fushatës ajrore kundër caqeve policore e ushtarake serbe.

Të parat që kanë zbarkuar kanë qenë njësitet britanike, raporton KTV.

Ndërhyrja e NATO-së në Kosovë, i parapriu një lufte të ashpër ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe forcave ushtarake e paraushtarake serbe, dhe pas shumë masakrave të kryera ndaj civilëve nga paramilitarët serbë.

Hyrja e trupave të NATO-s u bë pas marrëveshjes së Kumanovës ndërmjet zyrtarëve serbë dhe autoriteteve të NATO-s, të udhëhequra në atë kohë nga gjenerali britanik, Mike Jackson.

Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova.

Si pasojë e luftës në Kosovë, më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë, rreth 5,000 të tjerë janë zhdukur dhe rreth 1 milion janë zhvendosur.

Për këto 17 vjet, ende nuk dihet fati i më shumë se 1 mijë e 600 shqiptarëve të zhdukur.

Por, 17 vjet pas kësaj ndërhyrjeje, Kosova nuk a ka të shtrirë sovranitetin dhe sundimin e ligjit në gjithë territorin e vet.