Për heronjtë dhe horrat

Sulmi në Parlamentin e Maqedonisë në disa pamje. Kush ishin heronjtë dhe antiheronjtë e kësaj ngjarjeje dramatike?




Çudia më e madhe zgjat tri ditë, thonë. Po ngjarjet e fundit në Parlamentin e Maqedonisë të çuditin gjithnjë e më shumë. Po dalin regjistrime që i shpërfaqin përmasat dhe kualitetin e sulmit të deputetëve të shumicës parlamentare në Maqedoni. Skena të trishtuara që i kemi parë rrallë a s’i kemi parë kurrë në botë. Analiza e tyre do të dojë kohë, tani mund të bëjmë vetëm një revistë të personazheve si i kemi parë. Në një një kontinum nga heronj te antiheronj.

Ngjarjet e dhimshme kanë vetëm një fat: kur kanë dëshmitarë. Dhe, një ndër heronjtë e sulmit të shumicës parlamentare në Maqedoni janë ata që nuk duken: gazetarët. Ata, mbrëmjen e së enjtes në të premte, dokumentuan me kurajë dhunën e paparë të një armate horrash që u ndërsyen kundër deputetëve të shumicës së re parlamentare. Sekondë pas sekonde, nga jashtë e nga brenda, në rrugë dhe në korridore, në limeret ku agresorët mendonin se ishin vetëm me prenë e tyre.

Ata dhanë imazhe që e treguan një realitet prekës: Një grup deputetësh maqedonas e kishin krijuar një mur mbrojtës për kryeparlamentarin e ri shqiptar, të dytin në historinë e Maqedonisë pas Vullnet Starovës, Talat Xhaferri. Në momentin kur këta donin t’i drejtoheshin opinionit publik, u përmbytën nga një ushtri protestuesish të xhindosur, duke i katandisur të zgjedhurit e mijëra qytetarëve të vendit për faqe të zezë në një qoshe me shpinë për muri.

Në kordonin që do ta mbronte kryeparlamentarin e ri dyfish të rrezikuar, si shqiptar dhe kryeparlamentar i padëshiruar për mentorët e protestuesve, ishte vetë kryetari i socialdemokratëve maqedonas dhe kandidati për kryeministër, Zoran Zaev. Askush nuk e di si do të shkojë puna e kësaj aleance të re shqiptaro-maqedonase, por gjaku që i kullonte në fytyrë e në gjoks dhe rezistenca e tij do të fiksohen në memorjen e opinionit dhe të historisë së re të vendit.

Skeptikët nuk kanë mudur të mos e vërejnë mungesën e Ali Ahmetit në seancën e djeshme parlamnetare. Dhe, interpretimi i parë ka qenë se këtu struket një marifet nga sfondi i tij konspirativ. Lideri i socialdemokratëve ka dëshmuar këto ditë se mungesa e Ahmetit ishte një marrëveshje për ta kursyer atë nga zhvillimet e pakëndshme eventuale! Një gjest fisnik. Por, liderin shqiptar duhet ta preokupojnë dyshimet që i vijnë së pari në mendje opinionit kur në kombinim është emri i tij.

Sikur pardje dhe dje, aq më shumë sot, në pamjet e ngjarjeve dramatike në Parlamentin e Maqedonisë spikat së paku një personazh i panjohur, dhe ky është truproja e Zaevit. Përkushtimi i tij për mbrojtjen e liderit maqedonas dhe të shokëve të tij, me fjalë e me grushta kundër malit të agresorëve e ka impresionuar opinionin publik. Me një revole në dorë dëshmon sa i vendosur e i duruar është ai në këto momente të dëshpëruara kundër dhunuesve dhe sa i dedikuar ndaj shefit.

Me sakrificën e tyre gati epike, Zaevi, shokët e tij dhe patjetër truprojat arritën ta ruajnë kryeparlamentarin e ri Xhaferri, por jo edhe njërin ndër personazhet më të vendosura të zhvillimeve të fundit në Maqedoni, Zijadin Sela. Imazhi i një personazhi të tërhequr zvarrë nga dhunuesit, që thuhet se është Sela, por që nuk identifikohet nga shfytyrimi që ka pësuar, e jep fytyrën e vërtetë të protestuesve. Gjithsesi, Sela është i vetmi që trajtohet ende në spital. Dhe, kjo dhunë ndaj tij nuk duket të jetë e rastësishme.

Një ndër imazhet më të trishtuara të sulmit të pardjeshëm të Parlamentit në Maqedoni është pa dyshim tërheqja për flokësh e deputetes socialdemokrate Radmila Shekerinska. Keqardhja për të është aq më e madhe, për faktin se ajo përflitet si pjesëtare e komunitetit të asimiluar shqiptar të ortodoksëve të Rekës. Si do që të jetë, ajo është shqiptare si çdo shqiptar që fillimisht është njeri, por edhe sa herë që ajo identifikohet me problemet dhe kërkesat e shqiptarëve.

Nuk ngeli pa protagonizëm as Lëvizja Besa. Seanca e zgjedhjes së kryeparlamentarit të ri, të cilin ajo nuk e votoi, ishte edhe një rast për ta ngritur regjistrin e ligjërimit politik. Në anarkinë e krijuar në seancë, një deputeti të saj i jepet ta këndojë himnin shqiptar! Një fakt që tani po interpretohet si sebep për vërshimin e protestuesve në Parlament. Një deputet i mirëfilltë e di së paku se kur u shërben dhe kur jo qytetarëve. Përndryshe, ata që kanë manifestuar zell të tepruar patriotik, janë parë gjithnjë me dyshim.

E gjithë ngjarja në Parlamentin e Maqedonisë pardje do të ishte zhvilluar ndryshe, sikur ministri i Brendshëm, Agim Nuhiu, të kishte qenë në krye të detyrës. Ishte gati një pabesi: Policia, jo vetëm që nuk e ndaloi agresionin e protestuesve, por u bë palë me to. I ngrati ministër doli të shfajësohej, duke u arsyetuar me mosdëgjueshmërinë e vartësit të tij që nuk i përgjigjej. Ishte një moment që e zbuloi në mënyrën më paradigmatike mjerimin e ministrave shqiptarë në qeveritë e Maqedonisë, sesi ata nuk e kanë asnjë fuqi!

Pasi u arrit të shpëtonin gjallë deputetët e ngujuar, por edhe gazetarët, opinionit iu drejtua presidenti Gjogje Ivanov. Burri i dheut, që konsiderohet pjesë e krizës së krijuar me refuzimin për t’ia dhënë mandatin për formimin e qeverisë kreut të shumicës së krijuar parlamentare, nuk ia nxjerr goja ta dënojë dhunën, e cila ka bërë xhiron e botës dhe i ka skandalizuar të gjithë njerëzit e civilizuar. Ftesës së tij për takim me partitë kryesore për zgjidhjen e krizës nuk i është përgjigjur asnjëra.

Dhe, në fund, pas mesnate u lajmërua presidenti i presidentit të Maqedonisë, ish-kryeministri Nikola Gruevski. Ai e kishte siguruar alibinë e mosndodhjes në vend, duke qenë në një vizitë në Austri. Ky, në mesazhin e tij i dha karar, duke e dënuar edhe dhunën e përdorur, edhe deputetët, edhe Selën…! Përse jo, përderisa ka seli perëndimore që e presin. Ministri i Jashtëm austriak madje e kishte përkrahur hapur gjatë fushatës elektorale për shërbimin e bllokimit të të ashtuquajturit Itinerar të Ballkanit të refugjatëve nga Lindja.