Për fëmijët dhe qentë

Kur ndodhën ato incidentet e trishtuara në Kosovë, që qentë e shqyen një fëmijë, m’u kujtua një rast identik para disa viteve në Zvicër. M’u kujtuan edhe histori të tjera me fëmijë dhe me qen.

Tek po e shpallja një herë një banesë, në formularin elektronik të portalit më duhej t’i selektoja kategoritë që vlenin për banesën: ballkon, parket, laminat, pllaka, tepih, resho qeramike…, kafshëdashës, fëmijëdashës. Ups! Domethënë, nëse banorët e bllokut i duan fëmijët! Paska njerëz që nuk i duan fëmijët?! Dhe, këta duhet të vendosin nëse mund të strehohet dikush me fëmijë në një vend?

Nuk është aq e lehtë për ta vendosur sa duhen fëmijët në Zvicër. Në njërën anë është sistemi, i cili e inkurajon hapur lindshmërinë. Kontrollet e shtatzënisë dhe lindja në Zvicër janë falas. Franshisa e rregullt në sigurimet shëndetësore për fëmijë është zero franga. Në disa kantonte prindërit e marrin një shumë të caktuar parash për lindjen e fëmijës, përkrahje që mund të zgjasë deri në dy vjet. Në anën tjetër, njëra ndër pyetjet që u shtrohet grave në bisedat për punësim është ajo nëse janë shtatzëna. Nëse është ashtu, ato nuk e fitojnë vendin e punës…, por fshehja e saj është po aq legjitime dhe nuk ka konsekuenca! Lindja e fëmijëve shpallet në gazetën lokale të vendbanimeve në Zvicër – si një sihariq!

Në memorien time kërkoj momente që flasin për njërën apo për tjetrën anë të medaljes në raportin me fëmijët në Zvicër. Një turmë njerëzish po pritnim në peron të ngjiteshim në trenin që sapo kishte ndaluar. Dera u hap dhe turmën e njerëzve e përshëndeti buzëqeshja e një foshnje në karrocën që e mbante nëna. Burri që ishte i pari në radhë e kishte kënaqësinë e veçantë t’i ndihmonte asaj ta zbriste karrocën në tokë. Zonja na la shkurt të mrekulloheshim me fëmijën dhe u kthye. Ndërsa mendonim se ajo do të dukej me valixhe në krahë, sakaq u shfaq me dy foshnja të tjera në një karrocë dyshe! Entuziazmi ynë ishte frenetik. U krijua një atmosferë, thua se po xhirohej një film.

Po në tren kam qenë dëshmitar i një skene të vështirë. Një grua me një foshnjë në një thes në kraharor dhe dy fëmijë të tjerë përdore rendte katërshe më katërshe të vagonit në një zagushi gushti… Fëmijët i bindeshin pa marrë vesh se ç’po bëhej, duke mos u zënë nganjëherë këmbët në tokë, ndërsa ajo mërmëriste ndër dhëmbë me alegori: «Zvicra është një vend që i do fëmijët!» Disa nga pasagjerët u nxinë në fytyrë. U ra rëndë në ndërgjegje. Disa kapardisen në katërshen e ulëseve të vagonit me valixhet e tyre dhe me kufje në vesh, pa e çarë kokën për ata që enden në këmbë…

Një mik zviceran, të cilin e çmoj si për kompetencat e tija shkencore, ashtu edhe për ato sociale, e ka blerë një shtëpi. Vendimtare për këtë kishin qenë ankesat e fqinjëve për dy fëmijët e tij. Punë e ngatërruar! Del që trendi i blerjes së shtëpive nga shqiptarët nuk është patjetër një dëftues i integrimit në shoqërinë zvicerane. Ata shpeshherë, thjesht, nuk kanë paqe me fqinjët dhe i shmangen sherrit me ta. Sidomos për shkak të vizitave të shumta, për të cilat vendësit flasin me përmallim, por nuk i durojnë!

Një herë e mbajtëm një referendum. Të gjithë banorët e bllokut shtatëkatësh u desh të shpreheshim për ose kundër largimit të një familjeje kurde, sepse dy djemtë e saj nën dhjetë vjeç, sipas disa banorëve dhe administratorit të banesave, e kishin tepruar me zhurmë. Demokraci direkte zvicerane kat më kat! Iniciatorët e referendumit e humbën kauzën e tyre, kurse familja e lëshoi bllokun vetë pas një kohe.

Tani në atë banesë kam kaluar unë me familjen time. Edhe ne e kishim nderin të shkëmbenim me komshiun, i cili është shumë sensibël. Ai reagon për një vrap fëmije, për një petale që i bie në ballkon… Tani e kemi shtrënguar çunin edhe më shumë dhe druajmë se mos ky regjim do të lërë pasoja në zhvillimin e tij.

Dëshiroj ta diskutoj një paragjykim që qarkullon në opinion. Përvoja personale më sugjeron që nuk janë pleqtë ata që shfaqin mosdurim ndaj fëmijëve. Në shëtitjet me nusen shtatzënë, pleqtë na shihnin gjithmonë me shumë simpati. Dhe të parët që na uruan në shtëpi për lindjen e fëmijës ishin dy plaka që erdhën me gjithë ato dhurata, sapo e kishin lexuar buletinin e lindjeve në gazetën lokale.

Komshiu nuk na ka në hatër ne, si duket për faktin se u shmangemi pesë qenve të tij. Ato në fakt janë shumë të disiplinuar – një orkestër qensh memecë që rrallë i dëgjon. Po edhe ai u bën fort hyzmet. I shoh çdo natë në darkë tek dalin me ta në shëtitje. Sikur i shpie në një shkollë nate. Ndërsa reagimet tona në ballafaqim me qentë u referohen përvojave të pakëndshme me ato në vendlindje…

«Zviceranëve ua pranoj një», i vë kapak një kushëriri im, kur flasim për këso temash: «Ata i duan fëmijët dhe kafshët më shumë se ne!» Unë e konfirmoj. Sidomos për sa u përket kafshëve. Që të merakosesh për kafshët, duhet të jesh në terezi me njerëzit. Dedikimi për kafshët s’duhet të jetë patjetër një arratisje nga njerëzit, ai mund të jetë edhe kusur i dashurisë ndaj tyre. Të tjerat mund të jenë dështime dhe vese.

Sido që të jetë, nuk dua të besoj se dikush mund të mos i dojë fëmijët e të ketë pushtet. Dhe e selektoj kutizën «fëmijëdashës» në formularin elektronik për banesën…

S'KA KOMENTE

PËRGJIGJU