Për Diasporën e keqkuptuar




Nga Vjosa MUSLIU

Muajt e verës, si gjithmonë, do ta sjellin karvanin e gjatë të Diasporës kosovare që kthehet «atje poshtë». Përpos doganave e kompanive të sigurimit, këtij karvani i gëzohet secili sektor, dyqan, shitës misrash, performues e taksist në Kosovë. Mirëpo, bashkë me remitancat dhe gjallërinë, në këta muaj të verës udhëtojnë edhe një varg keqkuptimesh të ndërsjella.

Me statusin e saj identitar gjithmonë të dyzuar, identitetin e kontestuar, qoftë në vendin e origjinës, qoftë në atë të jetesës – Diaspora është gjithmonë një kategori gati mistikisht interesante.

Diaspora e sotme kosovare nëpër botë, e sidomos ajo në Evropën perëndimore, mund të konsiderohet si gjenerata e tretë e Diasporës. Gjenerata e parë është ajo që emigroi gjatë viteve të ‘60-ta, bashkë me fluksin e gastarbajterëve të vendeve të Lindjes. Motivi ekonomik për rimëkëmbje të ekonomive familjare ishte dominues. Duke qenë rajoni më i prapambetur ekonomikisht në ish-Jugosllavi, demografia e Kosovës atëbotë edhe ashtu mund të «eksportonte» kryesisht vetëm punëtorë fizikë. Shumë nga këta «gastarbeiter» u kthyen në vendin e origjinës, e nëse asgjë tjetër arritën të paktën ta ndërtojnë një shtëpi disakatëshe. Disa të tjerë u integruan dhe sot janë qytetarë të denjë të vendeve ku jetojnë. Të tjerë natyrshëm janë «hibridizuar» me identitetin lokal të vendeve ku jetojnë dhe sado që mbajnë emra tipikë të asaj kohe, si p.sh. Besnik, Afrim, Bashkim, e kanë një shqipe të çalë dhe lidhje më pak intensive me Kosovën.

Gjenerata e dytë është ajo që emigroi nga përndjekja politike dhe llava e dhunës në ish-Jugosllavi. Kjo është sigurisht gjenerata më tragjike, e cila për shkak të asaj që lirisht mund të quhet si aparteid i viteve të ‘90-ta, mungesës së një pluralizmi mediatik dhe informativ, dhe sidomos dramës së luftës, mbeti e ngujuar mes Kosovës, në njërën anë, dhe «qëndrimit të përkohshëm» në Perëndim. Rezistenca folklorike, themelimi i klubeve shqiptare me posterë të Ibrahim Rugovës e të UÇK-së, formimi i degëve partiake nëpër katunde piktoreske të Zvicrës, dhe koncepti i trupit në perëndim i veprimtarisë në Kosovë e mbajti në vakuum politik, shoqëror e njerëzor disavjeçar këtë gjeneratë.

Ajo që do të vërshojë kësaj vere në Kosovë është gjenerata e tretë e Diasporës së Evropës perëndimore. Pavarësisht nivelit të emancipimit, të edukimit, të përshtatjes me vendet ku jetojnë, pa hezitim mund të thuhet se kjo gjeneratë po e thyen fetishin për «Kosovën». Për «Kosovën» jo thjesht si vend i të parëve, vend i origjinës së tyre, vend ku shtegtojnë çdo korrik-gusht. Për «Kosovën» si një strukturë, e cila i pret të ardhurat tona vjetore çdo vit, si një obligim të domosdoshëm respektimi e kujtimi, apo si një amanet që është në pritje për t’u kryer. Pra, kjo është gjenerata e parë, e cila nuk e sheh «Kosovën», konceptin e «Kosovës», si pelegrinazh veror, si ritual patriotik, me nota gati religjioze, siç ishte për gjeneratën e dytë.

Pluralizmi mediatik, teknologjia informative, mundësia më e shpeshtë e vizitave, ndërmjet tjerash, kanë bërë që kjo gjeneratë ta demistifikojë «Kosovën» e gdhendur si amanet në memorien kolektive të viteve të ‘90-ta. Për dallim prej jo më shumë se një dekade më parë, të ardhurat e punës «në Perëndim» nuk janë më (vetëm) kapital për t’u investuar në struktura betoni në Kosovë. Ato kanë filluar të konceptohen normalisht siç i koncepton secili prej nesh të ardhurat e veta – kush për shkollimin e fëmijëve në universitetet në vendet ku jetojnë, kush për investim në ndonjë biznes, kush për udhëtime dhe pushime edhe jashtë Kosovës e Ulqinit.

Përderisa këto ndryshime sa shkojnë e marrin formë më të plotë me kalimin e kohës, perceptimi në Kosovë për Diasporën e Evropës perëndimore duket të jetë i ngujuar ende në ato klishetë e zakonshme. Ai i pantallonave të bardha, veturave me kredi dhe përgjithësisht konceptimit të Diasporës si hordhi, e cila punon dhjetë muaj të vitit «atje» për të jetuar dy muaj në Kosovë.

Dr. Vjosa Musliu është ligjëruese në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Gentit në Belgjikë