«Për çdo vit Krusha jonë po mbetet pa fëmijë»

Ditari i Krushës së Madhe (3): Para një dekade në shkollën fillore të Krushës së Madhe vijonin mësimet rreth 1200 nxënës, sot ky numër ka rënë në 600. Nataliteti po bie në mënyrë dramatike. Për shkak të varfërisë të rinjtë më shumë mendojnë të emigrojnë se sa të krijojnë familje. Në gjimnazin e fshatit ka pak më shumë nxënës, sepse një pjesë e konsiderueshme vijnë nga fshatrat tjera, por ndërtesa e hapur para 10 viteve tashmë po e rrjedh ujin për shkak të kulmit të izoluar keq.

Pamje nga qendra e fshatit Krushë e Madhe.



Kur pasditen e hershme filloristët e shkollës së Krushës së Madhe dalin në atë që e quajnë «pushim i gjatë», vizitori mund të fitojë përshtypjen se ky fshat i komunës së Rahovecit gëlon nga fëmijët. Ata vërshojnë dyqanet e fshatit, blejnë artikuj që u pëlqejnë fëmijëve, lozin, vrapojnë, kërcejnë. Bëjnë ç’bëjnë fëmijët në mbarë botën.

Por, përshtypja e parë për numrin e madh të filloristëve duhet të korrigjohet menjëherë pas bisedës me arsimtarët e shkollës. Drejtori i shkollës, një burrë mjaft i përzemërt, tregon se para dhjetë vitesh mësimet në shkollën fillore «Bajram Curri» i ndiqnin rreth 1200 nxënës nga ky fshat. (Shkolla e ka marrë emrin e Bajram Currit, sepse thuhet se patrioti shqiptar u lind këtu, por ndoshta kjo s’është e vërtetë. Sidoqoftë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar si vendlindje të Bajram Currit e përmend Gjakovën).

Varfëria dhe ëndrrat për emigrim

«Për çdo vit Krusha jonë po mbetet pa fëmijë», tregon një mësues i anglishtes. Para një dekade, kur Kosova shpalli pavarësinë, rreth 1200 nxënës ndiqnin mësimet në shkollën fillore të fshatit. Brenda një dekade numri i nxënësve ka rënë në mënyrë dramatike – në 600. Është përgjysmuar. Mësuesit numërojnë një arsye për këtë zhvillim shqetësues: varfërinë. Kush nuk ka një vend pune, e ka të vështirë të vendosë të krijojë familje. Edhe të rinjtë e Krushës, si moshatarët e tyre në shumë fshatra të Kosovës, më shumë bëjnë plane për të emigruar sapo të hiqen vizat se sa të qëndrojnë në fshat. Falë internetit ata kanë qasje në botën e madhe, e cila sa më e largët që është, aq më e bukur duket, aq më shumë shkëlqen. Të paktë janë ata që janë të vetëdijshëm se Gjermania nuk është vend përrallor, ku punëdhënësit mezi presin punëtorët nga Kosova. Në mbrëmje të rinj dhe burra të pjekur mblidhen kryesisht në dy lokale të fshatit – njëri quhet «Mulliri», tjetri «Mullini»: aty shikojnë ndeshjet e futbollit të ekipeve të tyre të preferuara angleze, spanjolle apo italiane. «Askush nuk është i interesuar të punojë në bujqësi», ankohet një burrë. «Tërë pasditja më shkoi duke kërkuar punëtorë në Celinë, por nuk gjeta asnjë». Ndonjë investim serioz nuk është bërë as në këtë fshat, ku banorët jetojnë edhe falë ndihmave nga diaspora. Zyra më e rëndësishme në fshat është mbase ajo e një kompanie që bën transferin e parave nga vendet e Europës Perëndimore në Krushë të Madhe.

Duke pritur laptopët qe 10 vjet

Në gjimnazin «Ukshin Hoti» të Krushës së Madhe numri i nxënësve nuk ka rënë dukshëm, sepse këtu mësimet i vijojnë edhe nxënës nga fshatra të tjera. Historia më e re e këtij gjimnazi e shpjegon mjaft mirë mënyrën se si qeveriset Kosova. Para se të shpallej pavarësia e Kosovës në Krushë të Madhe erdhi ministri i Arsimit. Ishte i LDK-së. Ai vuri gurthemelin e gjimnazit dhe mbajti një fjalim, siç i mbajnë politikanët e Kosovës. Pas shpalljes së pavarësisë erdhi sërish ministri i Arsimit. Ishte i PDK-së. Ai hapi solemnisht gjimnazin, tha se profesorët e këtushëm meritonin më shumë përkrahje nga shteti dhe premtoi se secili profesor do të pajiset me laptop. Para se të vijnë laptopët, tha ministri, profesorët e gjimnazit duhet të shkojnë në Prizren, ku do të vijojnë një kurs për të punuar në kompjuter. Shumica shkuan, vetëm dy refuzuan, me arsyetimin se ministria nuk ua paguante kursistëve rrugën dhe shujtën. Një dekadë pasi kanë mësuar të përdorin Wordin dhe çudira të tjera, profesorët e gjimnazit të Krushës së Madhe ende presin laptopët e premtuar. «Ministri na gënjeu në sy», thotë një profesor i historisë. Por, kjo nuk është e tëra. Objekti i gjimnazit është ndërtuar shkel e shko – dhe tani pullazi e lëshon ujin. Në një shtet funksional firma që ka ndërtuar objektin do të detyrohej të sanojë menjëherë gjendjen. Në Krushë të Madhe, si kudo në Kosovë, e tëra përfundon me disa mallkime e sharje ndaj ministrit, mentalitetit të tenderizmit dhe firmës që ndërtoi keq.

Muzeu që nuk është muze

Në Krushë të Madhe një emër dhe një fotografi janë gjithkund: Ukshin Hoti, politologu pothuaj mitik shqiptar, i cili lindi e jetoi në këtë fshat, pasi u lirua nga burgjet serbe. Në periferi të fshatit shtëpia e tij është shndërruar në diçka si muze. Një pjesë e çatisë është konservuar, kështu që vizitorët kanë mundësi të shohin se si është dukur ajo pas shkatërrimit nga forcat serbe. Në oborr është vendosur një bust i Ukshin Hotit, i cili në vitet ’70 ishte ndër shqiptarët e paktë të Kosovës që studioi në universitetet më të famshme amerikane dhe ushtroi detyra të rëndësishme në politikën e jashtme të Kosovës autonome në kuadër të Jugosllavisë. Ideja e atyre që kanë meremetuar shtëpinë e Ukshin Hotit me siguri ka qenë që ajo të shërbejë si muze, por për muze s’mund të flitet ende. Në dhomat e shtëpisë janë varur disa fotografi nga jeta e Ukshin Hotit, në vitrina qëndrojnë të renditura vepra të ndryshme të tij dhe të autorëve të tjerë, mes tyre edhe një me titullin bizar: «Romantika në luftën e UÇK-së». Legjendat e fotografive janë shkruar me lloje shkrimesh të ndryshme, vetëm në shqip, ndërsa kulmi i absurdit është një kornizë, në të cilën është futur biografia e Ukshin Hotit – një screenshot nga Wikipedia. Ndoshta një ditë përgjegjësit në komunën e Rahovecit dhe instancat më të larta në Prishtinë do të kujdesen që ndonjë profesionist i muzeve të vë dorën në këtë objekt dhe Ukshin Hoti të nderohet e kujtohet siç e meriton dhe jo me këso improvizimesh.