Për Brezovicën, ende asnjë lajm

Brezovicës ende nuk po i dihet fati. Edhe pse ka kaluar afati 10-ditësh i përcaktuar nga komiteti drejtues për të marrë një vendim, kjo nuk ka ndodhur, raporton KTV.

Zyrtarë të kësaj ministrie kanë refuzuar të japin detaje me arsyetimin se me vendim do të dalin brenda një periudhe të shkurtër kohore, pasi janë ende duke analizuar dokumentet e sjella nga konsorciumi.

Burime të KTV-së kanë bërë të ditur se përkundër pritjeve, konsorciumi nuk ka arritur të plotësojë kushtin kryesor, sigurimin e parave.
«Nga dokumentet e deritashme të verifikuara, konsorciumi ka arritur t’i mbledhë vetëm 125 milionë euro nga mbi 160 milionë sa duhet t’i ketë në mënyrë që qeveria t’ia japë të drejtën për të nisur investimet», ka thënë burimi.

Eksperti i turizmit, Zekë Çeku e bën fajtore qeverinë, që sipas tij s’ka pasur fare interes për të finalizuar suksesshëm këtë proces.
Çeku ka deklaruar se asnjë nga ekspertët e vjetër të skijimit nuk është ftuar kurrë për të marrë pjesë në procesin e Brezovicës.

Disa ditë me radhë qarkulluan informacione se konsorciumi ka arritur marrëveshje me kompaninë turke Limak, mirëpo, zyrtarë të saj në Kosovë i kanë thënë Kohës Ditore se nuk janë fare të përfshirë në këtë projekt.