Për apo kundër themelimit të Gjykatës Speciale? Flasin Besa Luzha, Engjëllushe Morina, Agon Maliqi, Halil Matoshi, Petrit Zogaj, Ismet Kryeziu, Arbana Xharra

Të premten pritet që Kuvendi i Republikës së Kosovës të votojë për themelimin e Gjykatës Speciale, e cila do të merret me dyshimet se eksponentë të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë kryer krime të luftës gjatë dhe pas konfliktit në Kosovë në fund të viteve 90-të. Në vijim mbi këtë çështje flasin komentues të njohur të zhvillimeve politike dhe aktivistë të shquar të shoqërisë civile në Kosovë.




Besa LUZHA*: «Nuk duhet t’i ikim përgjegjësisë për të gjykuar edhe bashkëvendësit»

Luzha«Çështja e Gjykatës Speciale është shumë e ndjeshme dhe paksa e koklavitur. Parimisht jam që çdo krim që ka ndodhur në Kosovë, jo vetëm gjatë luftës dhe pas saj, por edhe në ditët e sotme, të hetohet nga institucionet tona të drejtësisë. Ne nuk duhet t’i ikim përgjegjësisë për të gjykuar edhe bashkëvendësit tanë që mund të kenë bërë krime individuale dhe jo veprime të organizuara e të udhëhequra nga udhëheqja e UÇK-së. Po edhe nëse në vetë mesin e njerëzve dhe lidershipit të UCK-së ka individë për të cilët supozohet se kanë kryer krime individuale, ne duhet të gjejmë forcë morale dhe profesionale për t’i hetuar dhe për të provuar fajësinë apo pafajësinë e tyre. Por në rastin e Gjykatës Speciale gjithçka duket e komplikuar. Si mund të formohet një gjykatë për një mandat kohor të limituar, për një grup të caktuar njerëzish të një etnie – nëse është e vërtetë që do të gjykojë vetëm pjesëtarët e një etnie. Pra, të gjitha këto bëjnë që të kemi dilema për këtë institucion. Por nëse duhet të zgjedhim nëse gjykatën ta krijojmë ne apo Këshilli i Sigurimit i OKB-së, atëherë jam që përgjegjësinë ta marrim ne, për aq sa është e mundshme. Do të jetë një test për pjekurinë e demokracisë te ne dhe për maturinë tonë si shtet i ri».

(Besa Luzha është aktiviste e shoqërisë civile në Kosovë)

Engjëllushe MORINA*: “Kemi dëshmuar që nuk dimë të ndërtojmë shtet dhe shoqëri të shëndoshë»

_Engjellushe_Morina«Kjo pyetje është thikë me dy tehe. Në njërën anë një shteti demokratik, siç pretendon të jetë Kosova (e që në fakt mungesa e sovranitetit të plotë është edhe thelbi i problemit këtu), nuk i nevojitet një Gjykatë Speciale e sjellë nga jashtë, sepse do të ishte sistemi i drejtësisë vendore që do ta kishte dhomën e vet të veçantë që do të merrej me krime të rënda dhe krime të luftë, siç i kanë shtetet përreth dhe gjithandej. Në mungesë sovraniteti ne kemi komunitetin ndërkombëtar që merr vendime për Kosovën dhe pastaj i kanalizon këto vendime si ligje që duhet të votohen në Kuvend! Gjykata Speciale, e cila vjen nga jashtë, nuk është ‘produkt vendor’ dhe si e tillë vështirë që do të ketë sukses siç nuk ka pasur sukses të duhur dhe të prekshëm EULEX-i për shembull, misioni më i madh dhe më i shtrenjtë i Bashkimit Evropian për rendin dhe ligjin! Pyetje me vend në këtë moment do të ishte pse Gjykate Speciale me prokurorë ndërkombëtarë kur ne tashmë e kemi EULEX-in në Kosovë me kompetenca ekzekutive?

Në anën tjetër sistemi i drejtësisë në Kosove është njëra prej shtyllave më të dobëta të shtetit dhe nuk funksionon, për pasojë Kosova dhe shoqëria e saj kanë treguar mungesë të kapacitetit dhe integritetit që të merren dhe t’i gjykojnë krimet e çfarëdo lloji në mënyrë të drejtë dhe parimore. Në rastin e Gjykatës Speciale është pothuajse e pamundur te imagjinohet që kjo shoqëri është e gatshme të merret me të kaluarën dhe krimet potenciale të luftës që janë kryer nga kosovarët, sepse krimi dhe korrupsioni janë futur deri në palcë gjithandej në institucione shtetërore, akademike dhe shoqërore, dhe nuk ka masë kritike që t’i luftojë këto dukuri – në Kosovë ka vetëm interesa personale dhe fjalëve parim dhe vlera u kane humbur kuptimi qëmoti.

Përgjigjja ime është: Kosovës nuk i duhet Gjykata Speciale për krime lufte, Kosovës i duhet anulimi i pavarësisë, sepse e kemi dëshmuar që nuk dimë të ndërtojmë shtet dhe shoqëri të shëndoshë. Më së miri do të ishte që Kosova t’i jepej Shqipërisë dhe të shpresojmë që së bashku të ndërtojmë një të ardhme me prosperitet ekonomik dhe politik. Opsioni më i keq do të ishte ndarja e Kosovës në baza etnike, e cila tashmë ka ndodhur de facto (dhe me dialogun Kosovë-Serbi po ndodhë edhe de jure) dhe pjesa tjetër e Kosovës, e cila është e ngufatur nga e keqja, të vazhdojë të jetë jofunksionale dhe ekonomikisht në shuarje e sipër».

(Engjëllushe Morina, aktiviste e shoqërisë civile, komenton rregullisht zhvillimet politike në Kosovë)

Agon MALIQI*: «Viktimave nuk duhet t’u mohohet drejtësia»

a. maliqi«Jam pro themelimit të Gjykatës Speciale. Është vërtet mëkat që ajo duhet të themelohet në këtë formë, si një imponim politik i jashtëm dhe si një masë e jashtëzakonshme ligjore. Por ja që ne ende nuk i kemi mekanizmat e brendshme për t’u përballur me çfarëdo problemi të një natyre më të rëndë – që nga krimet e individëve të caktuar gjatë dhe pas luftës, e deri te abuzimi me pushtet i elitave politike.

Ballafaqimi me të kaluarën është një proces i dhimbshëm, por i domosdoshëm për t’ia mundësuar një shoqërie forcën dhe kohezionin për të ecur përpara – një proces me të cilin janë përballur shumë vende që kanë kaluar nëpër luftëra, konflikte civile apo regjime jodemokratike. Ky proces i shëron plagët tona të brendshme, na çliron njëkohësisht nga shumë barra dhe na i vendosë disa standarde të shëndosha civilizuese për të ardhmen. Duhet ta ngulisim në kokë se është e padrejtë dhe e papranueshme që në një vend i cili pretendon të jetë europian, viktimave të dhunës arbitrare t’u mohohet drejtësia, kushdo qofshin ata dhe kushdo qofshin shkaktarët. Do të dëshiroja që njëkohësisht ta krijonim një mekanizëm i cili do të merrej edhe me plagën tonë tjetër të madhe, atë të krimeve të regjimit komunist, i cili u ka shkaktuar plagë të rënda shumë familjeve.

E gjithë kjo punë natyrisht e ka edhe një prapavijë politike. Një pjesë e mirë e akuzave ndaj UÇK-së janë të bazuara në shpifjet e regjimit jodemokratik serb që u përfshinë në raportin e Dick Martyt. Por përtej kësaj, është po ashtu fakt se në rrethanat kaotike të luftës dhe të pasluftës ka pasur edhe viktima civile në mesin e pakicave dhe shqiptarëve, që u konstatuan edhe nga një prokuror amerikan. Mohimi i këtij fakti nuk i bën nder luftës së drejtë çlirimtare të UÇK-së dhe as raporteve tona me shtetet që na çliruan pikërisht duke u thirrur në parimet e të drejtave të njeriut dhe që e çuan gjithë kreun shtetëror të Serbisë në Hagë. Sa më shumë që e pamundësojmë transparencën rreth këtyre akuzave; sa më shumë që i lidhim krimet eventuale të individëve me idenë se kjo është njollosje e gjithë UÇK-së apo barazim mes xhelatit dhe viktimës, aq më shumë, në fakt, jemi ne vetë ata që e njollosim UÇK-në dhe e bëjmë këtë barazim. Nuk do të ketë kurrë vend për barazim me një shtet fashist nëse, ashtu siç kemi qenë në anën e drejtësisë në vitin 1999 si viktima, tani sërish dalim në anën e drejtësisë – për viktimat.»

(Agon Maliqi është aktivist i shoqërisë civile dhe komenton rregullisht zhvillimet politike në Kosovë)

Halil MATOSHI*: «I kemi mbyllur sytë para ‹kriminelëve tanë të mirë›»

halil-matoshi-kuvendi-u-uzurpua_hd«Jam pro themelimit të Gjykatës Speciale. Themelimi vjen si pasojë e një sjelljeje pafundësisht të papërgjegjshme të klasës politike kosovare që nga çlirimi i vendit e deri më sot. Mbyllja e syve para krimeve eventuale të ‹kriminelëve tanë të mirë› dhe fokusimi tek krimet e armikut, përkatësisht tek ‘kriminelët e tyre të këqij’, pra mungesa e guximit dhe paaftësia për të vendosur sistemin tonë të drejtësisë, e nxiti bashkësinë ndërkombëtare që t’ia imponojë Kosovës edhe një formë tjetër gjyqësori: Gjykatën Speciale! Dhe sot harroni pallavrat e politikanëve, sepse nuk ka politikan në Kosovë që ka kredibilitet për ta penguar krijimin e kësaj Gjykate, por në thelb nuk ka as fuqi, sepse kjo është një punë tashmë e kryer! Po të ndërtohej një sistem normal i drejtësisë në vend, menjëherë pas çlirimit, ose së paku pas shpalljes së pavarësisë, po të dënoheshin eksponentë të ish-gueriles UÇK për krimet eventuale të tyre, ose po të mbaheshin në burg ata që ishin dënuar simbolikisht, dhe po të mos zhdukeshin dëshmitarët dhe të mos mbizotëronte kodi i heshtjes së atyre dëshmitarëve që kishin mbetur gjallë, nga të gjitha rastet në gjyqësinë vendore (nën UNMIK) në atë ndërkombëtare (nën Tribunalin e Hagës) dhe tashti nën gjyqësinë e përbashkët eulexiano-kosovare, sigurisht që kosovarët nuk do të dëgjonin për këtë lloj gjykate, asnjëherë. Po të kishte vullnet politik për ta lejuar gjyqësorin ta bënte punën e tij të pavarur dhe po të kishte gjykatës të pavarur me etikë, atëherë qëmoti do të pastrohej lufta çlirimtare nga krimet eventuale dhe imazhi i Kosovës do të ishte ndryshe. Pra, Kosova do të shihej me simpati nga të tjerët. Tashti, kjo gjykatë nuk mund të thuash se do ta njollos luftën e UÇK-së, sepse gjyqësori nuk është për të njollosur, por për të vënë drejtësinë në vend, mirëpo, nuk mund të thuhet as që do ta pastrojë UÇK-në, sepse ekziston mundësia të dëshmohen e zbardhen krime monstruoze, për të cilat është përfolur si nëpër dhëmbë tash e 15 vjet në Kosovë. E mira e kësaj pune është se nuk ka dhe nuk mund të ketë fajtor kolektiv dhe se askush në një proces gjyqësor nuk është i fajshëm përderisa të mos argumentohet fajësia e tij para një trupi legal gjykues. Nëse Kuvendi i Kosovës nuk e themelon Gjykatën Speciale ajo do të bëhet pa Kosovën dhe kundër saj, pra në aktin themelues të kësaj gjykate të OKB-së do të figurojë termi gjenocid (me akuzën se ‹UÇK-ja ka tentuar gjenocid mbi pakicat›); nuk do të ketë afate strikte – mund të shndërrohet në Gjykatë Permanente dhe në panele të saj mund të ketë rusë dhe filoserbë».

(Halil Matoshi është komentues politik në gazetën «Koha Ditore» dhe shkrimtar)

Petrit ZOGAJ*: «Jam për themelimin e Gjykatës Speciale, por kundër eksperimenteve juridike»

Petrit-Zogaj-1«Fillimisht duhet thënë se i gjendur përballë një pyetjeje të tillë përgjigjja e padiskutueshme është që jam ‹pro drejtësisë› në parim, në çfarëdo rrethana e në çfarëdo shoqërie. Pra, një përgjigje e tillë është e paevitueshme nga cilido njeri, i cili beson në vlera universale, në të drejtat e njeriut dhe është aktiv që këto të drejta e parime të mbrohen në çfarëdo rrethanash e situatash. Duke e kontekstualizuar situatën, Kosova, të paktën, në 16 vitet e fundit ka qenë pjesë e një eksperimenti ndërkombëtar (shefi i EULEX-it para pak muajsh e ka konfirmuar që Kosovës është pjesë e eksperimentit) në shumë fusha, e rrjedhimisht edhe në aspektin e drejtësisë përmes Misionit të UNMIK-ut dhe tash EULEX-it. Këto dy misione kishin dhe kanë mandate për hetimin e krimeve të luftës dhe, në të njëjtën kohë, kishin edhe mandatin që të ndihmojnë institucionet tona që të ndërtojnë kapacitetet tona në sistemin e drejtësisë. Mirëpo, pas afro dy dekadave si misionet ndërkombëtare ashtu edhe institucionet e Kosovës nuk kanë ndërmarrë veprimet e duhura që dyshimet për krime lufte dhe çështje të ngjashme të adresohen si duhet. Si rrjedhojë e gjithë kësaj, ne, pra qytetarët e Kosovës, jemi përballur me një shou tjetër vendor e ndërkombëtar për themelimin e Gjykatës Speciale. Duke parë një udhëheqje politike problematike dhe krejtësisht të papërgjegjshme, duke pasur parasysh që misionet ndërkombëtare bënin dhe bëjnë ende kompromise politike me partitë politike në vend dhe mbi të gjitha duke pasur parasysh dyshimet e bëra nga Raporti i Dick Marty-it në Këshillin e Evropës, ne, si shoqëri, e domosdo si institucione, duhet dhënë përgjigjen e duhur në lidhje me Gjykatën Speciale. E ajo përgjigje është themelimi i saj. Padyshim që vendimi për themelimin e kësaj Gjykate do të jetë tejet problematik për të ardhmen politike të Kosovës; mund të kemi stagnim të njohjeve ndërkombëtare, rënie të interesit për investime nga jashtë, ngritje të potencialit destabilizues nga brenda dhe të ngjashme. Këto zhvillime për shkak të rëndësisë do të krijonin një agjendë mbizotëruese ndaj zhvillimeve tona të brendshme ekonomike e politike. Mirëpo, pavarësisht mundësive për zhvillime negative pas themelimit të Gjykatës, ajo për çfarë ne duhet të kemi vëmendje të shtuar është që kjo Gjykatë të mos shndërrohet në eksperimentin e tretë juridik e të dështuar siç kemi parë dhe po shohim ende për afro dy dekada. Nëse në rastet e mëparshme nuk kishim adresën e duhur për dështimin eventual, në këtë rast duhet ta kemi të qartë se nuk mund të përfundojë misioni i kësaj Gjykate duke na u thënë se duhet krijuar edhe diçka tjetër për të arritur qëllimet. Kosova dhe qytetarët e saj nuk duhet të mbesin peng as i eksperimenteve ndërkombëtare e as i lojërave meskine të një klase të papërgjegjshme politike».

(Petrit Zogaj është aktivist i shoqërisë civile dhe komenton rregullisht zhvillimet politike në Kosovë)

Ismet KRYEZIU*: «Të tregojmë pjekuri në mbrojtjen e interesave shtetërore të Kosovës»

ismet-kryeziu-gjykata-dhe-vler-euml-sim-t-euml-drejt-euml_hd«Shteti i Kosovës tani gjendet para vetëm dy alternativave edhe nuk ka arritur të sigurojmë një alternativë të tretë. Institucionet tona ose duhet të votojnë Gjykatën Speciale dhe t’i hapin rrugë krijimit dhe funksionalizimit të kësaj gjykate ose çështja do të jetë objekt trajtimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Alternativa e dytë, e cila do të mund të votohej nga Këshilli i Sigurimit, do të bënte që trajtimi i kësaj çështje të mbetet jashtë juridiksionit të shtetit të Kosovës. Prandaj aktualizimi i Rezolutës 1244 do të ishte një dëm në disa aspekte për shtetin e Kosovës dhe do të pengonte edhe zhvillimin e Kosovës dhe politikave të saja në arenën ndërkombëtare.

Në këtë situatë, kur Gjykata Speciale do themelohej nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, mundësia e dhënies së kontributit të shteteve aleate të Kosovës në favor të Kosovës do të ishte shumë e kufizuar. Së paku kështu kanë paralajmëruar vetë diplomatët e shteteve aleate.

Gjithashtu gjykata e themeluar nga Kombet e Bashkuara do t’i nënshtrohej një procesi tërësisht tjetër të kompletimit me gjykatës, hetues e prokurorë dhe kjo do rrezikonte që roli i shteteve mike të Kosovës të ishte shumë i kufizuar për të garantuar dhe siguruar se vendimet dhe gjykimet e kësaj gjykate kalohen përmes një procesi gjyqësor korrekt dhe të pandikuar nga politikat e shteteve që tani janë të deklaruara kundër pavarësisë së Kosovës. Nisur nga këto rrethana dhe fakte që tregojnë ndjeshmërinë e kësaj çështjeje e konsideroj si të domosdoshme ndërtimin e një konsensusi politik dhe shoqëror në funksion të marrjes së një vendimi pro themelimit të gjykatës nga institucionet e shtetit të Kosovës dhe në këtë mënyrë të demonstrohej pjekuria dhe përgjegjësia në mbrojtje të interesave shtetërore të Kosovës».

(Ismet Kryeziu është drejtori ekzekutiv i Institutit Demokratik të Kosovës)

Arbana XHARRA*: «Drejtësia nuk duhet të jetë peng i individëve»

arbana_952212350«Unë nuk e kundërshtoj themelimin e Gjykatës Speciale. Madje duke i njohur kapacitetet e sistemit tonë të drejtësisë kjo gjykatë është ndoshta mundësia e vetme që të hiqet disa hije të zeza mbi luftën e UÇK-së. Sistemi ynë i drejtësisë është i kapur prej njerëzve që nesër mund të ballafaqohen me Gjykatën Speciale. Drejtësia nuk duhet të mbetet peng i disa individëve, pa marrë parasysh fuqinë e tyre që e kanë krijuar që nga fundi i viteve 90-të».

(Arbana Xharra është kryeredaktore e gazetës «Zëri»)