Për 62 bletarë të Ferizajt 600 koshere

Ferizaj, 22 shtator - Drejtoria e Bujqësisë dhe e Pylltarisë në Ferizaj, të martën, ka bërë shpërndarjen e koshereve për bletët më ç’rast përfituan 62 bletarë të kësaj komune.




Me këtë rast drejtori i Bujqësisë, Xhemajl Reçica, ka deklaruar se shpërndarja e koshereve të bletëve po bëhet në kuadër të subvencioneve që po i ndan Komuna e Ferizajt, shkruan sot «Koha Ditore».

«Ne shpërndamë 600 koshere të bletëve për 62 përfituesk», ka thënë Reçica. Ndërkaq, bletari Nazmi Hajdari, njëri prej përfituesve, ka thënë se kjo është një ndihmë shumë e madhe për të gjithë bletarët e Ferizajt.

«Kjo për neve është shumë e mirëseardhur dhe jemi të kënaqur, sepse po përfitojmë nga komuna. Vërtet kemi nevojë të madhe për koshere për shkak të asaj se dita-ditës shtohet edhe numri i bletëve», ka thënë Hajdari. Projekti një fjalë ka kushtuar rreth 24 mijë euro, ndërsa një koshere ka kushtuar 47 euro, derisa bletarët kanë participuar me nga 5 euro.