Pensionistët ankohen për sjelljen e punëtorëve të «Trafikut Urban»




Nga tregu i gjelbër e deri në lagjen «Bregu i Diellit», 73-vjeçarit Skënder Shaqiri i duhet të udhëtojë me autobus për shkak të moshës. Mirëpo shpesh autobusi nuk ndalon ta marrë atë. Edhe kur ndalet, konduktorët e qortojnë pensionistin.

 

Ai thotë se shumë herë i është dashur të ecte ose të paguante ndonjë taksi. «Po, shkoj në mëngjes të blej në treg perimet e freskëta dhe gjëra të tjera, pasi jetoj vetëm me gruan. Disa herë më kanë lënë me qese në duar duke pritur në stacion, shkruan sot Koha Ditore.

Kur ka edhe udhëtarë të tjerë ndalet autobusi. Në momentin që shohin vetëm të moshuar, nuk ndalen në stacion fare. Nuk iu kushton asgjë që të hapin dyert për pensionistë. Sjellja e tyre është e papranueshme», është shprehur Shaqiri. 73-vjeçari ka thënë se ka raste kur në autobusë të moshuarit edhe ofendohen nga punëtorët e autobusëve.

«Po na rëndojnë me fjalë. ‘Na keni lodhë’, ‘Nuk po mundeni pa dalë çdo ditë’, janë fjalët më të shpeshta që i përdorin. Ne edhe pse të moshuar, nuk mund të mbyllemi në shtëpi», ka shtuar ai. Ndërkaq Sabile Bajgora e Fatmire Jusufi udhëtojnë çdo ditë me ‘Trafikun Urban’ deri në Parkun e Gërmisë.