Pengjet e emrit të Maqedonisë

Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë përse t’ivuajnë pasojat e kontestit të identitetit kombëtar të maqedonasve. Ata duhet të sigurojnë garanci për shtyrjen e proceseve të integrimit.

Foto: Andrei Tudoran / Shutterstock.



Vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë ambicien të intergohen në Unionin Evropian. Ky nuk është lajm. Pavarësisht kësaj, në këtë rrugëtim ato kanë performansa të ndryshme. Kampioni i integrimit në Ballkan tani për tani duket Serbia. Por, kjo nuk ka qenë dinamika që i ka karakterizuar vendet e rajonit. Favoriti i integrimit ishte Maqedonia. Ajo e ka nënshkruar e para në rajon Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Në vitin 2001, në mes të konfliktit të armatosur në vend. Më 2005, gati dymbëdhjetë vjet para Shqipërisë, Maqedonia e ka fituar statusin e vendit kandidat. Dhe, këtu ka pushuar karriera e saj e integrimit.

Ky fakt nuk mund të mos bëjë përshtypje. Në kontekst të zhvillimeve të fundit politike në Maqedoni, është me rëndësi të vërehet që kjo ndërprerje e përparimit në procesin e integrimit përkon me ardhjen në pushtet dhe qeverisjen e VMRO-DPMNE-së. Përtej koinçidencës, stagnimi i Maqedonisë në pistën e integrimit euroatlantik lidhet me rritjen e korrupsionit në sistem, drejtësinë e kapur, shkeljen e lirisë së medieve, autoritarizmin e të tjera. Para së gjithash, sepse bashkësia ndërkombëtare nganjëherë di ta mbyllë njërin sy, ngecja e Maqedonisë në integrimin euroatlantik lidhet me dështimin e saj për ta gjetur një zgjidhe për emrin me Greqinë.

Afrimi në strukturat euroatlantike, të cilat e nënkuptojnë Unionin Evropian dhe NATO-n, lidhet kryesisht me përfitimin nga programet e ndryshme ekonomike, me adaptimin e standardeve më të arrira të qeverisjes, si dhe me garantimin e integritetit territorial. Nga kjo perspektivë, bilanci i humbjeve të Maqedonisë nga dështimi i integrimit në strukturat euroatlantike është i zymtë: Qytetarët nuk kanë huqur asgjë më pak se ato që janë thelbi i ekzistencës së shtetit: siguria, mirëqenia dhe demokracia. E kanë humbur stabilitetin dhe një cilësi më të mirë të jetesës.

Në të njëjtën kohë, raporti me benefitet është asimetrik. Maqedonia e ka fituar një identitet të rremë të sanksionuar në kurrikulat e sistemit shkollor dhe në politikë. E ka fituar një përmendore të Lekës së Madh, sado e madhe të jetë, aeroportin me emrin e tij dhe diçka të ngjashme. Para së gjithash, ka fituar klasa politike në pushtet dhe klientela e saj, sikurse del nga akuzat e Prokurores Speciale, një pasuri të madhe të pandershme. Për hir të së vërtetës, në kohën e qeverisjes së kësaj klase, qytetarët e Maqedonisë e kanë fituar edhe heqjen e regjimit të vizave – privilegjin e lirisë së lëvizjes në Zonën Shëngen.

Përtej debatit për identitetin e maqedonasve, edhe sikur ta marrim të justifikuar flijimin për hir të kontestimit të identitetit, në këtë mes ka një kundërthënie. Nën regjimin e përjashtimit nga proceset e integrimit për një kauzë partikulare të maqedonasve, po dergjen edhe shqiptarët, të cilëve nuk u përket tema e identitetit të maqedonasve. Situata e shqiptarëve në Maqedoni është e ngjashme me pozitën e Malit të Zi në federatën me Serbinë, kur duhej ta vuante barrën e embargos kundër Milosheviqit, pa u identifikuar me kauzën për të cilën sanksionohej ai.

Penalizimi i shqiptarëve nën politikën refuzuese të elitave maqedonase është i dyfishtë. Ajo u ka kushtuar atyre me përjashtimin ekonomik, ndrydhjen kulturore dhe pasigurinë. Kreu i shqiptarëve në Maqedoni në një moment u dorëzua nga argumentat e opinionit për shkeljen e të drejtave të popullit të tij dhe e lansoi tezën se pozita e tyre do të rregullohej me integrimet euroatlantike. Por, njëmendësinë e tij për integrimet e ka kompromentuar keq mbështetja e vazhdueshme për Nikola Gruevskin, armikun më të madh të integrimit të Maqedonisë në UE, dhe sidomos në NATO.

Nga kjo perspektivë, nga politikanët shqiptarë pritet të kërkojnë garanci për shtyrjen përpara të proceseve të integrimit të Maqedonisë në strukturat auroatlantike. Në të kundërtën, ata duhet të mendojnë për një strehë të sigurt për shqiptarët, ku ata nuk do të jenë peng i kapriçieve të maqedoasve dhe i komplekseve e hipotekave të politikanëve të caktuar shqiptarë. Shqiptarët po e thonë fjalën e tyre; ata janë duke i diskualifikuar njërin pas tjetrit reprezentuesit e rremë: PPD-në, PDSH-në, BDI-në. Dhe, disa aktorë nuk do të përshëndeten vetëm me turp, sepse edhe Prokuroria e ka një fjalë të fundit. Partitë e reja në horizont, të marrin mend. Ato edhe ashtu nuk i kanë bindur shqiptarët akoma.