Pehlivanët kthejnë vëmendjen nga ritet e kohëve të lashta

«Lojë e rrezikshme, por e bukur», thotë vizitorja franceze që nuk e largon syrin e djathtë nga aparati fotografik. E ndërpret muhabetin me kaq pasi acarohet situata midis dy pehlivanëve që janë në momentet vendimtare se cilit do t’i prekë shpina në tokë që njëri prej tyre të shpallet fitues me automatizëm.




Është koha kur bari i parkut të Muzeut Etnologjik është vajosur nga shkarravitjet e gjashtë pehlivanëve të shkathët. Por ceremonisë së lojës së mundjes tradicionale të organizuar nga Muzeu i Kosovës në kuadër të Ditëve të Trashëgimisë Evropiane, të martën, i kanë prirë disa ceremoni të tjera, shkruan sot «Koha Ditore».

Pehlivanët Arsim Zejnullahu, Nijazi Hajdari e Hasan Bislimi, kanë ardhur nga Shkupi për të prezantuar shkathtësitë e tyre. Nja gjysmë ore u është dashur vetëm të veshin ato që duken sikur pantallona të shkurtër e që quhen kisbet, me ngjyre kafeje të mbyllët, 7 a 8 kilogramë të rënda. Pehlivanët ndihmojnë njëri-tjetrin për t’u pajisur me këtë «uniformë» e cila vishet direkt në trup. Përbëhet nga lëkura e kafshëve. Është tejet e fortë dhe zor shqyhet. Në bel e në gjunjë shtrëngohet me litarë. Treshes nga kryeqyteti i Maqedonisë u bashkohen edhe tre nga Prishtina.

Që të gjashtë qëndrojnë bashkë në këmbë dhe bisedojnë me njëri-tjetrin, derisa duket se planifikojnë gjithçka. Është radha që të zbrazen shishet e vajit të cilin nuk e kursejnë. Me të dyja duar fërkojnë trupin që të vajoset çdo cep, madje edhe kisbeti. Kur duket se gjithçka është gati për lojën që besohet se e ka origjinën nga vendet e Lindjes, ka edhe një procedurë para duelit. Që të gjashtë dalin jashtë rrethojave të oborrit të Muzeut dhe nisin tupanët. Pas «orkestrës» me dy tupanë dhe një surle, pehlivanët ia mësyjnë «ringut». Hapat e tyre pas muzikës janë të ngadalshëm. Kur të gjithë mendojnë se tashmë është koha të fillojë loja e mundjes tradicionale, pehlivanët tregojnë se të shoqëruar nga tupanët do të luajnë vallen e tyre. Duke rrahur duart për gjunjë vrapojnë lehtë në drejtim të tupanëve. Këtë e bëjnë dy herë. Tupanxhinjtë gjithçka e përshtatin me ritmin që e imponojnë pehlivanët. Të ndarë në tri grupe, dy nga dy, ata nisin të ndeshen krejt qetë. Brenda rreth një ore lojë, gjendja «acarohet».

Referi Mirsad Krasniqi, jep shenjen që njëri duel tashmë ka përfunduar pasi Arsim Zejnullahu ia ka prekur shpinën në tokë kundërshtarit të tij. Triumfuesi largohet nga fushëbeteja. Nuk duhet edhe shumë kohë që të përfundojë krejt loja. Nuk qëndrojnë edhe shumë në «skenë» pas ndeshjes për t’iu kthyer prapë «zhveshtores» në një dhomë në kompleksin e «Emin Gjikut».

«Është privilegj të shohësh diçka të vjetër dhe tradicionale», thotë Susane nga Anglia, e cila bashkë me bashkëshortin, Peter, rastësisht të martën kishte ardhur për të vizituar Muzeun Etnologjik.

«Diçka e tillë bëhet edhe në Angli nëpër stadiume dhe prindërit e mi i përcjellin. Muzika po ashtu ishte tejet e bukur», thotë ajo. E Peter i cili tregon se para 15 vjetësh ishte në Kosovë me një delegacion ndërkombëtar dhe ka dashur ta vizitojë prapë vendin ballkanik, mundjen e pehlivanëve e lidh me vallëzimin.

«Është një lloj vallëzimi, ndoshta me koreografi por tejet lojë e mirë», thotë Peter, pak para se të ftohet nga drejtori i Muzeut, Skender Boshtrakaj për të shijuar flinë e mantiat, servuar për krejt vizitorët.

Arsim Zejnullahu ka 20 vjet që është pehlivan. Qysh nga mosha 10-vjeçare është i lidhur me mundjen tradicionale.

«Këtë nuk e kam trashëguar, por në Shkup sporti i mundjes është më i avancuari», thotë Zejnullahu pasi ka fshirë vajin nga trupi. «Është lojë që e ka kënaqësinë e vet», thotë ai derisa shpjegon se vaji ia vështirëson punën kundërshtarit. Sipas tij, në Shkup kjo lojë zë vend të veçantë edhe në festat familjare.

«Diku 10 apo 15 dasma në Shkup gjatë verës bëhen me pehlivanë dhe pagesa është shumë e mirë», tregon shtatgjati. Sipas tij, edhe maqedonasit tashmë kanë nisur ta praktikojnë mundjen krejt sherri i pagesës së mirë.

Mundësi nga Prishtina, Valon Dragusha, bashkë me kolegët Sadat Rukovci dhe Ilir Zeka, e ka provuar vajosjen për herë të parë. Dragusha, i cili ka qenë disa herë kampion i Kosovës në mundje thotë se ka tri ose katër vite që nuk ushtron më. Tash është mësimdhënës i edukatës fizike në një shkollë në Prishtinë.

«Më e vështirë është mundja popullore sesa ajo zyrtare që aplikohet nëpër gara», tërheq vërejtjen Dragusha, i cili për herë të parë ka provuar lojën simotër të asaj që ka praktikuar për një kohë të gjatë.

«Në mundjen popullore, pa i rënë njërit shpina në tokë, nuk përfundon lufta. Kurse në mundje zyrtare mund të fitosh edhe me pikë», thotë ai derisa i kthehet muhabetit të vajit, duke treguar se lyerja e trupit e ka penguar. «Por u adaptova», thotë Dragusha.

Referi i lojës, ish-trajner i mundjes Mirsad Krasniqi thotë të ketë qenë goxha i emocionuar.

«Në një formë kisha edhe frikë, sepse koha nuk ishte e përshtatshme dhe frikësohesha se mos lëndohet dikush pasi ishte goxha ftohtë», thotë ai, teksa shton shpejt se kjo ngjarje do të mbetet në histori. Sipas tij, ka qenë tejet e vështirë të zhvillohen duelet në kushte klimatike të kohës së vjeshtës.

«Mundja popullore ka specifikat e veta. Loja di të zgjasë edhe gjithë ditën. Ka ndodhur loja ka zgjatur deri në mbrëmje», thotë Krasniqi. Sipas tij, kjo lojë vjen nga Lindja, konkretisht nga Turqia.

«Tek ne njihet në regjionin e Prizrenit, në Dragash. Në Maqedoni e kanë më në qejf se ne. Në çdo organizim gazmor e praktikojnë mundjen», thotë ai.

Ngjarjen e kanë konsideruar si tejet të rëndësishme koordinatorët e projektit, punonjësit e Muzeut Etnologjik, Valon Shkodra e Bekim Xhemili.

«Aktivitetet e tilla që janë paksa më të veçanta sigurisht që e kanë vendin në Muzeun Etnologjik dhe ia rrisin vlerën institucionit», ka thënë Xhemili. Sipas tij, në të ardhmen kjo pjesë e trashëgimisë shpirtërore do të jetë në fokus të studimit të tij bashkë me kolegun Shkodra. E Shkodra ka treguar se në zhargonin popullor pehlivanët njihen edhe si «rrotelë».

«Është interesant roli i tyre në dasma», ka thënë Shkodra. Sipas tij, dikur krushqit vriteshin kur përballeshin në rrugë duke u ngatërruar se kush ka përparësi për të kaluar apo kush duhet ta lëshojë rrugën.

«Pastaj pehlivanët u kanë prirë krushqve dhe në raste kur janë takuar dy palë krushq, janë ndeshur pehlivanët. Ata që kanë fituar gjatë lojës kanë pasur përparësi kalimi», ka thënë Shkodra. Nëse loja në raste të tilla nuk ka përfunduar deri në mbrëmje qysh edhe di të ndodhë, i bie që dhëndrit t’i këtë rënë të presë për nusen më shumë sesa ka menduar.

Drejtori i Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, ka thënë se qëllimi i parë i aktivitetit është që si institucion të fillojnë ta trajtojnë më shumë trashëgiminë shpirtërore.

«Jemi nisur me pehlivanët, sepse është një rit që vjen nga lashtësia. Nuk është i studiuar dhe është prezent në tre kufijtë: Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Ka interesim të madh për garat e pehlivanëve e në anën tjetër ka një abstinencë shumë të madhe të studiuesve», ka thënë ai. E veçanta e lojës, sipas tij, është se duelet ofrojnë traditë, sport e muzikë.

«Qëllimi është ta kthejmë vëmendjen e etnologëve nga këto rituale. Do të provojmë të gjejmë edhe pjesë të tjera të traditës që deri me tash nuk janë studiuar e parë», ka thënë Boshtrakaj. Sipas tij, për aq sa ka studime flitet për një ardhje të këtij sporti në Ballkan bashkë me osmanët. Por ka thënë se është tejet i bindur se gjurmët e këtij sporti mund të gjenden deri në antikë.

«Mundja është prezente në historinë e njerëzimit në të gjitha periudhat. Është një sport pak më i lashtë dhe është një ritual që e tejkalon gjeografinë që pretendohet», ka thënë ai. Harxhimi i nja tri litrave vaj dhe i energjisë së lojtarëve bashkë me brohoritjet e të pranishmëve janë incizuar për t’u ekspozuar në Muzeun Etnologjik si dëshmi për vizitorët se pehlivanët i kanë rënë edhe nga kompleksi «Emin Gjiku» në Prishtinë.