PDSH i humbi zgjedhjet, BDI nuk i fitoi ato



Zgjedhjet në Maqedoni përfunduan, tani është koha e bilancit të tyre. Përshtypjet e përgjithshme janë pozitive. Madje edhe humbësit, si duket, janë të kënaqur! Së paku në kampin e shqiptarëve nuk ka ndonjë pezm që shkon kah ajo që quhet mungesë e kulturës së humbjes: mosnjohje e rezulatit të zgjedhor.

Ata që quhen fitues në kampin e shqiptarëve janë të mallëngjyer nga rezultati i zgjedhjeve. Edhe pse ky raport ka qenë i pritur në opinion. Nuk ka hezitime që këto zgjedhje të quhen një festë e demokracisë. Nëse këto zgjedhje mund të quhen të tilla, atëherë si duhet t’i çmojmë ato të fillimit të pluralizmit politik në Maqedoni?

Edhe rilindja e protagonistit të atëhershëm, Partisë për Prosperitet Demokratik, e cila në atë kohë ishte ndër partitë me më shumë anëtarë në Jugosllavi, nuk u dha atyre sharmin e zgjedhjeve të fillimit të viteve të 90-ta në Maqedoni.

Ajo që zgjedhjet i bën më të vlefshme dhe demokracinë më legjitime, është dalja në votime. Dhe më 1991 pjesëmarrja në zgjedhje ishte rreth 90 përqind. Ndonëse një pjesë e mirë e qytetarëve shqiptarë nuk gjindeshin në listat e votuesve. Ky rekord nuk është lëkundur ndonjëherë nga froni.

Atëbotë emigrantët shqiptarë bllokuan aeroportet e Maqedonisë, duke vërshuar masovikisht në vend për të votuar. Babai im, si shumë mërgimtarë të tjerë, udhëtoi nga Zvicra me veturë për një ditë qëndrimi atje – vetëm për të votuar.

Performanca e munguar, përçarjet që karakterizuan gjithë spektrin politik në Maqedoni, korrupsioni… patën për pasojë një tëhuajsim nga politika. Nga kjo kohë ajo nuk mundi të rehabilitohet më. Pjesëmarrja në votime shkoi duke rënë, sa kërcënonte dhe funksionimin e sistemit. Në vitin 2005 pragu legal për zgjedhjet lokale u ul në një të tretën e trupit votues, më vonë u ul edhe pragu për zgjedhjen e presidentit nga 50 në 40 përqind. Te shqiptarët pjesëmarrja në votime nga kjo kohë nuk e ka kaluar ndonjëherë 30-përqindshin.

Demokracia njihet si sundim i shumicës. Për të llogaritur çfarë shumice ka fituesi i zgjedhjeve te shqiptarët e Maqedonisë nuk na duhet kalkulatori.

Elitat politike, pavarësisht investimeve aspak modeste në fushatat elektorale, nuk arrijnë t’i mobilizojnë votuesit për të dalë në zgjedhje. Babai im nuk shkon më në Maqedoni për të votuar, edhe pse tani nget një veturë më të mirë se ajo fillimit të viteve të 90-ta. Nuk dalin as kushërinjtë e mi, të cilët jetojnë atje, edhe pse për një gjë të tillë nuk kanë nevojë për veturë. Ndonëse për benzinën kujdeset partia. Në fakt ajo kujdeset për të gjitha.

Kurrë nuk do ta harroj votimin në zgjedhjet lokale të vitit 2005. Ndodha në Maqedoni dhe dola me mëngjes për të votuar. Tek po nënshkruaja në regjistrin e votuesve pashë që prindërit e mi, të cilët ndosheshin në Zvicër, kishin votuar para meje! Megjithatë numri i votuesve nuk e kaloi 30-përqindshin.