PDK tregon pse nuk mori pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të KK të Prishtinës

Grupi i asamblistëve të Prishtinës, përmes një kumtese për medie ka sqaruar pse nuk ka marrë pjesë në mbledhjen e jashtëzakonshme të thirrur nga kryetari i komunë së Prishtinës, Shpend Ahmeti, transmeton Koha.net.




Në këtë kumtesë thuhet:
Sot grupi i Asamblistëve të PDK-së në Prishtinë nuk mori pjesë në Mbledhjen e Jashtëzakonshme për këto arsye:
E para konsiderojmë nuk është temë e jashtëzakonshme për tu trajtuar në mbledhje të Jashtëzakonshme. Një pikë si kjo ka mundur të trajtohet në mbledhje të rregullt. Përveç kësaj paraprakisht kanë mundur të diskutohet në Komitetin për Politika dhe Financa ose me Shefa të grupeve që përfaqësohen në Asamblenë Komunale.

E dyta vetë fakti që para një viti Ambasadës së Shqipërisë i është caktuar një lokacion në Kryeqytet nga ky Kryetar dhe tani Shpend Ahmeti dëshiron që të krijoj situata tensionuese dhe po tenton që të krijojë tema diskutimi duke dashur që pronën e ndarë për një subjekt politik në vitin 2007 të ia ndaj tani Ambasadës së Shqipërisë.
Konsiderojmë që kjo mbledhje është thirrur me tendenca për të tensionuar KK të Prishtinës duke na sfiduar me qëllim me tema të tilla. Qëllimi i kësaj mbledhjeje nuk ka qenë gjetja e zgjidhjes por krijimi i problemit të cilin Shpendi pastaj mundohet ta përdorë për marketingun e tij popullist e folklorik.

Akuzat që ne qenkemi kundër Shqipërisë apo ndërtimit të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë janë më shumë se qesharake aq më shumë kur vijnë nga një njeri që për Shqipërinë dhe shqiptarët ka nisur të flas pasi ja ka imponuar subjekti i tij politik.

Ka pasur shumë momente kur Shpendi ka mundur ta shfaqë atdhedashurinë por ai ka munguar në ato momente.
Po ta donte ai Shqipërinë ashtu siç pretendon nuk do ta përdorte atë si mjet për të arritur qëllimet e tija të ulëta politike por do ta trajtonte me seriozitet dhe në bashkëpunim me të gjithë. Tendenca për të krijuar poenë politikë me të tilla tema nuk i bëjnë nder askujt dhe i lusim që mos të “tregtojnë“ me to.

Jo rastësisht është krijuar kjo temë katër ditë para mbajtjes së mbledhjes së përbashkët të dy qeverive asaj të Kosovës dhe Shqipërisë me përpjekjen për ta rrënuar. Por kjo nuk do të ketë sukses sepse Shqipëria dhe Kosova do të thellojnë bashkëpunimin. Ky përafërim ndodh me veprime konkrete institucionale e jo me deklarata pamflet e populiste.