PDK në Ferizaj: Zyra e inspektorëve e jashtëligjshme

Dega e PDK-së në Ferizaj e ka akuzuar të hënën kryetarin e kësaj komune, Muharrem Svarça, se ka formuar Zyrë inspektorësh jashtëligjshëm duke shkelur edhe aktin më të lartë komunal, Statutin. Sipas PDK-së, meqë kryetari aktual i Ferizajt nuk ka marrë miratimin e Kuvendit në seancën e kaluar për ndryshimet statutare ka vepruar më pas njëanshëm.




Selim Marevci, udhëheqës i Departamentit të administratës së PDK-së, Dega e Ferizajt, ka thënë se ajo çfarë ndodhi pas seancës së KK-së, nuk është aspak e panjohur për Ferizajn, pasi që sipas tij, kryetari vazhdoi atë që di ta bëjë më së miri moszbatimin e aktit më të lartë, Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës, statutit të Komunës si edhe vendimeve të Kuvendit Komunal, shkruan sot «Koha Ditore».

«Si reagim ndaj mosformimit të Drejtorisë së Inspektoratit nga Kuvendi Komunal, Svarça ka vendosur të formojë një zyrë të Inspektoratit brenda kabinetit të tij dhe ka bërë emërimin edhe të një koordinatori, Ismet Vranovci, deri në atë kohë këshilltar i bujqësisë. Ky emërim skandaloz, i kryetarit Svarça, është shkelje flagrante e legjislacionit të shtetit tonë. Me këtë emërim bëri shkelje e Statutit të Komunës, neni 59, ku nuk parashihet fare zyra e Inspektoratit, po ashtu edhe shkelje të organogramit të Komunës, ku dihet fakti që mbas zgjedhjeve lokale të vitit 2013 Komuna e Ferizajt nuk e ka miratuar fare organogramin e ri», ka thënë Marevci.

Ai ka shtuar se këtë koordinator, i punësuar nga siç i ka cilësuar «marrëveshjet për shërbime të veçanta,“ e emëroi pa asnjë procedurë, duke bërë shkeljen e ligjit të shërbimit civil konkretisht neni 12 pika 4. E ky nen thotë: «Emërimet me afat të caktuar për një periudhë më të shkurtër se gjashtë (6) muaj do të bëhen në bazë të kontratave të quajtura «Marrëveshje për shërbime të veçanta» të cilat i nënshtrohen Ligjit për detyrimet dhe për të cilat zbatohet një procedurë e thjeshtësuar e rekrutim».

Ndërkohë, Marevci ka shtuar po ashtu se subjekti të cilit i përket në vazhdimësi ka bërë thirrje për ndaljen e shkeljeve dhe keqpërdorimeve ligjore.

«Por, kjo ka hasur gjithmonë në vesh të shurdhër, ndaj ne tashti kemi grumbulluar të gjitha shkeljet që i ka bërë ky kryetar dhe këtë javë do t’u drejtohemi institucioneve relevante për të gjitha këto parregullsi të pushtetit lokal», ka thënë ai.

KD-ja ka provuar të vinte kontakt me kryetarin Svarça, lidhur me këtë çështje të hënën, por kjo nuk ka qenë e mundur. E, nuk i është përgjigjur thirrjes telefonike as zëdhënësi Naim Ferati.