PDK: Ja tmerri i vërtet në rrugët e Gjilanit

Partia Demokratike e Kosovës në Gjilan ka reaguar ashpër ndaj gjendjes së disa rrugëve në këtë komunë.




PDK, e cila përmes një komunikate për media ka dërguar edhe disa fotografi ku paraqet gjendjen e rrugëve, thotë se këto rrugë në gjendje të mjerueshme nuk janë në Siri, por në rrugët e qytetit të Gjilanit, konkretisht rruga «Enver Miftari» që lidh qendrën e qytetit me rrugën qarkore.

Dallimi i vetëm, sipas PDK-së, është se në Siri, infrastruktura rrugore është shkatërruar nga bombardimet, «ndërsa te ne në Gjilan janë shkatërruar nga llumi qeverisës që sot ka komuna e Gjilanit nën udhëheqjen e Lutfi Hazirit», raporton Koha.net.

Sipas asambleistit të PDK-së, Riad Rashiti, komuna e Gjilanit e ka kontraktuar kompaninë për mirëmbajtjen e rrugëve verore në vlerë prej 161,780.00 euro, mirëpo kjo rrugë për këto dy vite asnjëherë nuk është trajtuar (qoftë mbulimin e gropave me rërë), sikurse edhe shumë rrugë të tjera të qytetit por edhe të fshatrave të komunës të cilat janë bërë të pakalueshme dhe të cilat po i shkaktojnë dëme të mëdha në automjetet e qytetarëve të Gjilanit, të cilët gjatë vitit paguajnë qindra mijëra euro taksë komunale.

«Derisa Luta flet për autostrada të reja që do të ndërtohen kah Gjilani, nëpër rrugët e komunës që e udhëheqë ai nuk mund të kalohet me vetura, por ka ardhur koha që nëpër disa rrugë të qytetit të përdoret transporti me qerre e kuaj. Kjo qeverisje e Lutës po e kthen jetën mesjetare në Gjilan», ka theksuar Rashiti.