PDK – Ferizaj: Sfarqa po e shkel ligjin sërish

Insistimi i kryetarit të Ferizajt, Muharrem Sfarqa, për ta mbajtur në punë shefin e zyrës së prokurimit të Ferizajt përmes kontratës për shërbime të veçanta, për degën e PDK-së në Ferizaj po konsiderohet si shkelje e radhës e kryetarit.




Zyrtarë të këtij subjekti gjatë një konference për medie i kanë rikujtuar kryetarit Sfarqa, se ky zyrtar para më shumë se një muaj e ka arritur moshën e pensionimit.

«Për kryetarin e Ferizajt nuk ka rëndësi mosha e pensionimit, por shërbimi ndaj tij. Andaj, Sfarqa vendosi që mos ta lërë të shkoj , por ta ndalojë të punojë edhe atë përmes kontratës për shërbime të veçanta», ka thënë me këtë rast udhëheqësi i departamentit të administratës në degën e PDK-së, Selim Marevci.

Për më tepër zyrtarë të këtij subjekti kanë thënë se me këtë veprim kryetari ka bërë shkelje të ligjeve dhe rregulloreve të legjislacionit të shtetit tonë, ligjit për prokurimin publik dhe ligjit për shërbimin civil.

«Pra zyrtari i prokurimit duhet të jetë nëpunës civil dhe jo me kontratë të shërbimeve të veçanta, ngase pika 1 dhe e 6 e nenit 23 të ligjit të prokurimit, tregon se largimi i tij bëhet me ligjin për shërbimin civil dhe në ketë rast ai ka bërë shkeljen e këtij ligji», ka thënë Marevci

Nisur nga kjo PDK-ja e Ferizajt mendon se këtu ka të bëhet me shkelje të ligjeve dhe jo deklarata politike siç i quan kryetari Sfarqa, por që këto në komunën e Ferizajt janë bërë sikurse «telenovelat latino-amerikane« nga kryetari i Ferizajt, Muharrem Sfarqa.

Ndryshe, para një jave grupi kuvendor i këtij subjekti në Kuvendin e Ferizajt, dorëzoi në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL), kërkesën për suspendimin e kryetarit Sfarqa, për shkak të pretendimeve se ky ka bërë shkelje të vazhdueshme të ligjeve.