PDK e Ferizajt i ofron «rastin ideal» Mustafës për ta dëshmuar veten

Partia Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj, ka dalë me një propozim për kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.




Kjo degë e PDK-së po kërkon nga kryeministri që ta suspendojë kryetarin e komunës së Ferizajt, për të cilin thonë se ka shkelur të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me pushtetin lokal.

«Këto ditë Kryeministri Mustafa bëri një akuzë publike për gjykatat në Kosovë.
Sipas tij ato nuk po e mbrojnë si duhet ligjin dhe as po i dënojnë meritueshëm ata që po i shkelin ato. Në anën tjetër, gjatë dy viteve të qeverisjes së tij në Ferizaj, Muharrem Svarqa si kryetar komune, ka shkelur të gjitha ligjet që kanë të bëjnë me pushtetin lokal», thuhet në propozim-reagimin e PDK-së, dega në Ferizaj.

Grupi i asambleistëve të PDK-së, ditë më parë, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të zbatojë ligjin që i sanksionon kryetarët e komunave që e shkelin ligjin dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës.

«Por si do të veprojë tash Kryeministri!? A do ta suspendojë kryetarin e komunës, siç parasheh ligji, apo do të veprojë njësoj sikur gjykatat të cilat, sipas tij, nuk po e ndajnë drejtësinë si duhet», pyet PDK e Ferizajt, ndërsa shton se «kjo është një sfidë për të».

Kjo degë e PDK-së pyet nëse Mustafa do të jetë i pari në historinë e re të Kosovës që do ta bëjë një hap të tillë, përmes të cilit, thonë ata, do ta ndihmojë zhvillimin e demokracisë apo në të kundërtën «do ta lejojë autokracinë».

«A do t’i lejojë kryetarët e komunave që të sillen edhe më si mbretër apo do t’i detyrojë ata që të binden se Kosova është republikë dhe jo monarki», pyet sërish PDK, duke përfunduar: «Shpresoj që akademik Isa Mustafa, Kryeministër i Kosovës, të mos e humb këtë rast ideal për të».